E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fushë-Krujë; Në hetim adoleshenti, tentoi të fuste një thikë në burg



Punonjësit e burgut të Fushë-Krujës kanë arrestuar një adoleshent, i cili tentoi të fuste një thikë në ambientet e burgut. Sipas burimeve nga policia, në prangat e

uniformave blu ra një 17-vjeçar, i cili kishte futur së bashku me ushqimet që do t’i dërgonte të afërmit të tij edhe thikën. Ngjarja ka ndodhur dje paradite në burgun e Fushë-Krujës, gjatë orarit të takimeve të të paraburgosurve me familjarët e tyre. Punonjësit kanë qenë duke bërë kontrollin e përhershëm, kur ata kanë konstatuar se në çantën e ushqimeve të sjella nga 17-vjeçari K.GJ., për familjarin e tij, ndodhej një thikë me gjatësi 6 cm (pjesa metalike). Zyrtarisht, policia tha se nga hetimet e para rezultoi se ajo ishte futur aksidentalisht në çantën e ushqimeve. Gjithsesi, 17-vjeçari K.GJ., lindur dhe banues në Mazrek të Shkodrës, do të ndiqet penalisht, por në gjendje të lirë, për shkak të moshës së tij të mitur.

Durrës; Merr flakë bombula, në gjendje të rëndë 49-vjeçarja

Një grua 49-vjeçare është dëmtuar rëndë, pasi bombula me të cilën ajo po gatuante mori flakë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Shënavlash, Komuna Rrashbull në Durrës. Sipas burimeve nga policia, Xhemile Q., 49 vjeçe, në momentin që po ndizte bombulën e gazit në shtëpinë e saj, nga pakujdesia ka marrë flakë dhe për pasojë ka pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Kanë qenë familjarët ata që e kanë dërguar në spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë për ndihmë mjekësore, ku vazhdon të jetë aktualisht nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë që është bërë e mundur edhe shuarja e flakëve në banesë. Policia ka shkuar në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, të cilat mund të kenë ardhur si pasojë e pakujdesisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›