E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e dytë e Wynones

Nëse dëshirohet të kujtohet, apo kuptohet, si ishte Amerika njëzet vite më parë, s’është keq t’i hidhet një sy një kopertine të ‘Time’ të korrikut 1991. Në atë kopertinë është një femër mahnitëse, njëzet vjeçe, me një shikim të brishtë dhe shkrehur, ulur këmbëkryq, në pantallona xhins me rripa. Kjo femër e re ishte Wynona Ryder e javorja prestigjioze e definonte në titull: “Engjëll i Amerikës në Blue Jeans”.

Po qe se është e vërtetë se Amerika 2010 nuk e ka më një engjëll mbrojtës me flokë të shkurtër dhe krehur për t’i qëndruar te koka nga ekrani i madh, për një komunitet mbështetësish kryeneç dhe të durueshëm të përhapur nëpër botë, vera e këtij viti është gjithsesi një verë për t’u kujtuar. Winona Ryder lulëzon përsëri nëpër shpallje dhe rilindet nëpër sallat kinematografike, pas gati dhjetë vitesh harrese pothuajse totale. Një rol i vogël, tash për tash, por më shijen e rikthimit. E befasia është e dyfishtë. Ndërkohë talenti i saj është mrekullisht i paprekur. E filmi i pavarur, ‘The private Lives of Pippa Lee’, i Rebecca Miller, në të cilin Ryder ka një rol të vogël por shumë të bukur, lë një shenjë të fortë në kinemanë e pavarur amerikane.

Në filmin e rikthimit të saj, mbi jetën e një gruaje të cilës i duket i vështirë rasti për një fillim të ri, Wynona nuk e fsheh faktin se ka futur shumëçka nga vetja në të. Filmi, prezantuar me sukses në Festivalin e Berlinit 2009, është në shfaqje këto ditë në dhjetë vende europiane. Me producent Brad Pitt-in, filmi është bazuar në romanin homonim të vetë Miller-it, artistes poliedrike amerikane – regjisore, shkrimtare, piktore dhe poeteshë – në provën e saj të dytë si regjisore. Protagonistë të këtij filmi, definuar nga ‘Time’ si ‘zbulim i vitit’, janë Robin Wright Penn, në pjesën e protagonistes konfuze dhe të lumtur Pippa Lee dhe Allan Arkin në atë të burrit Herb, arketip perfekt i burrit amerikan bashkëkohor dyfish në krizë, financiare dhe para se gjithash ekzistenciale. Në kast edhe Keanu Reeves e Julianne Moore.

filmi mund të duket një variant intelektual dhe i rafinuar i serisë televizive amerikane "Desperate Housewives". Muza e përsosur e vatrës, Pippa Lee, është në të vërtetë një mister. Në pragun e moshës pesëdhjetë vjeçare reagon ndaj tradhtisë së burrit duke u lëshuar në një eksplorim të seksualitetit të vet të varrosur prej kohësh. Ryder në film është Sandra Dulles, dashnorja e burrit të protagonistes. "Kriza e një gruaje dhe në përgjithësi e raporteve janë në qendër të kësaj historie shumë të bukur, që ma ka dhuruar mundësinë të kthehem te publiku im”, deklaron Ryder e emocionuar dhe e pjekur. E shton: “Filmi i R. Miller-it është një parabolë pozitive mbi mundësinë e një fillimi të ri, gjithnjë të pranishëm për atë që di ta kapë rastin”. Dhe mbi parimin se guximi nuk është talent i lindur, por është fitore dhe sakrificë”.

Është e qartë se aktorja mendon edhe për veten e vet. Në tetor do t’i mbushë dyzet vite. Shikimi është ai i gjithmonshmi. Po ai që mes viteve 1988 e 1990 ka magjepsur botën në komeditë horror, kryevepër e Tim Burton, "Beetlejuice" dhe "Edward scissorhands ", si dhe në shumë filma në vijim, si "Mosha e pafajësisë".

“Është e vështirë për mua ta kontrolloj gëzimin e kthimit në ekran, kthimit për së mbari, me një projekt në të cilin besoj dhe që përfundimisht do t’i japë zë asaj që është më intimja në mua”, rrëfen aktorja. Më 2011 do të ketë tre filma me Wynona Ryder, në njërin nga të cilët, më në fund, është protagoniste: "When Love Is Not Enough: The Lois Wilson Story", të John Kent Harrison, bazuar në historinë e martesës së trazuar të themelueses së Alkoolistë Anonimë. Në fund të vitit 2011 do ta rishohim në ambientet alla Tim Robbins që e kanë bërë të njohur, në trilerin "Black Swan" të Darren Aronofsky (regjisori i "The Wrestler"). E menjëherë pastaj në "Cheaters", komedi e Ron Howard.
Një rikthim në stil të lartë, por përjetuar me rezervimin kryeneç që Wynona e ka mësuar në tetë vitet që kanë rrezikuar ta çojnë karrierën e saj në dyert e një harrese përfundimtare. Nga 6 nëntori i vitit 2002, pak pas hedhjes së filmi "Simone" me Al Pacino-n, kur u arrestua dhe gjykua: kishte futur në çantë 5 mijë dollarë rroba në një butik luksi në Fifth Avenue. Edhe çantën. Nuk bëhej fjalë për nevoja, puna në atë kohë nuk i mungonte. Bëhej fjalë për kleptomani. E më tepër gjendjen e rëndonte fakti se në xhep i kishin gjetur psikofarmtikë të pa përshkruar nga mjeku. Dënimi qe i rëndë: tri vite liri me kusht dhe 500 orë të dobishme shoqërore. E kështu mishgrirësi i shtypit skandalistik vihet në lëvizje dhe shkatërron jetën publike e private të saj. Hollywoodi e braktis. Por jo adhuruesit.

Pas kësaj eksperience të keqe, aktorja angazhohet thellësisht me psikën e vet për ta kërkuar një pikë të re të nisjes. “Ka qenë shumë e vështirë të përplasem me skajet më të errëta të egos sime, s’do të doja kurrë ta rikujtoj”, rrëfen. Por sot ka kënaqësinë ta pranojë se brishtësia që e ka çuar deri te një veprim pa arsye vjen nga larg, e tash është paqtuar me ndarjen e dhimbshme nga Jonny Depp, në maje të karrierës, në fund të viteve '80. "Fundi i një dashurie është gjithmonë një përvojë e rëndë. Fundi i dashurisë së parë është edhe më shumë. E ajo ishte dashuria ime e parë. Kanë kaluar njëzet vite, por për mua është ende e vështirë të flas për të”. Suksesi marramendës, megjithatë, është i akuzuari i parë i jetëve ë kanë dalë nga binarët. Ryder tregon se ka qenë e hallakatur nga suksesi. Dhe se i ka mbyllur sytë përballë një shkatërrimi të tmerrshëm nervor. “Jam angazhuar shumë në punë, por s’ia kam vënë veshin vetes. Hollywood dhe jeta m’u duken pa pritur e pa kujtuar një detyrë tepër e rëndë për mua".

Sot, kur i rastis të takojë artiste të reja, ndjen një mallëngjim të madh. Dhe një dridhmë përgjatë shpinës: “Ende mendojnë se problemet e një personi të njohur janë shumë glamour. Fatkeqësisht nuk është ashtu. Atëherë kisha përshtypjen e pastër se kurrë s’do të kisha mundur të bëj diçka të gabuar. Natyrisht, këtu hyn edhe fakti se kam mbi supe një familje të bashkuar, që më ka mbështetur përherë në gjithçka dhe që, për fat, ka qenë në gjendje të më mbajë me këmbë në tokë. Por edhe një dashuri pa kushte mund të tregohet një armë me dy tehe”.

Ish vajza e "Reality bites" dhe e "Girl Interrupted" iu flet femrave dyzet vjeçe që gjenden në role bukur të ndryshme nga ato që ua ka premtuar emancipimi femëror: “Gruaja amerikane është e lodhur nga rolet e imponuara pesëdhjetë vite më parë në një Vend që nuk ekziston më. ‘Pippa Lee’ shënon për mua një rilindje, jo vetëm artistike. Nëse gratë si ajo ia dalin mbanë ta bëjnë të vlefshëm rolin e tyre në Amerikë dhe botë, atëherë ka shpresë”. (L’espresso)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›