E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e fshehtë e Harun Yahyas

Kreacionist mysliman, udhëheqës i një kulti, mohues i teorisë së Darvinit, profet. Por cila është jeta e vërtetë e Harun Yahyas? Për shumë myslimanë të dezorientuar, ai është versioni i besueshëm i përfaqësuesit të shkencës mbizotëruese islamike. Ai po shfrytëzon ndjenjat religjioze, për të mashtruar të gjithë. Një njeri absurd, për kohëra absurde. Nga Express më 29 shtator 2011 në ora 08:18

I inspiruar nga profili i lartë i homologëve të krishterë në SHBA, kreacionizmi mysliman po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Një numër i madh i faqeve në internet dhe me dhjetëra libra me tituj si “Gënjeshtra e Evolucionit” dhe “Fytyra e errët e Darvinizmit”, të përgatitura me kujdes, për të eksploatuar modën aktuale të sulmeve me motive religjioze kundër shkencës dhe “ateizmit militant”, duket se kanë arritur të depërtojnë dhe të joshin vëmendje.

Kryesues i kësaj lëvizje të re, i cili citohet nga ata, të cilët synojnë të nënvizojnë mbizotërimin e “shkencës së Kuranit” mbi “gënjeshtrën e evolucionit”, është i “madhi” Harun Yahya.

Duke operuar nga Stambolli, Yahya është themelues i Fondacionit për Hulumtime Shkencore, një perandori impresionuese botuese, e cila i ka kushtuar më shumë se 60 faqe në internet shkrimeve të veta.

Ky fondacion ofron libra dokumentarë dhe audio-xhirime në 15 gjuhë dhe thekson se shet nga 500 mijë libra në vit, përfshirë këtu edhe Atlasin e Krijimit, të cilin ja ka dërguar shumë universiteteve, librarive, institucioneve dhe shkencëtarëve nëpër botë, përfshirë këtu edhe shkencëtarit Richard Dawkins. Me detaje, me fotografi, grafika dhe statistika, të ndërlidhura me vargje të Kuranit, Atlasi synon të dëshmojë se teoria e Darvinit ishte e gabuar, se çdo bimë dhe kafshë është krijuar në formën që ka dhe se nuk ka pasur modifikim gjatë evolucionit.

Kur Dawking kundërshtoi të dhënat e publikuara në Atlas dhe e cilësoi Yahyanë si sharlatan, Yahya shfrytëzoi ndikimin e tij për të ndaluar në Turqi faqen e Dawkinit në internet.

Përkundër dobësisë së shkencës së tij, Yahya ka gjetur një audiencë të gatshme në mesin e atyre, të cilët kërkojnë justifikim shkencor për refuzimin e Perëndimit nga ana e tyre. Gjatë disa dekadave të fundit, Yahya ka shërbyer si këshilltar i disa politikanëve turq dhe ka gjetur mbështetje në gjithë botën arabe me qëndrimet e tij.

Ai gjithashtu u dëshmua si subjekt fascionues edhe për mediet perëndimore, të cilat i bënë oferta të shumta për intervista.

Yahya ka marrë mbështetje të fuqishme edhe nga konservatorët në SHBA, për shkak të qëndrimit të tij të ashpër kundër terrorizmit islamik, është ushqyer nga rabinët ortodoksë sanhedrinë në Izrael, për shkak të anti-ateizmit të tij dhe ka ambicie të krijojë një union turko-islam, një Perandori të re Osmane, që do të shtrihej nga lindja e Rusisë deri në perëndim të Nigerisë, e cila do të bashkonte botën islame, nën kryesimin turk.

Megjithatë, a janë të vetëdijshëm të gjithë ata, të cilët përpijnë porositë e tij, se Yahya është diagnostifikuar si skizofren, i cili në vitin 2008 është dënuar, për shkak të udhëheqjes së një organizate kriminale? Nëse dështon ankesa e tij përfundimtare, e parashtruar në Gjykatën Supreme të Turqisë, ai mund të dënohet me 3 vjet burg.

Por si arriti ky njeri të sigurojë gjithë këtë ndikim dhe burimet financiare, për të qenë aktor në debatin global për origjinën e jetës dhe për ardhmërinë e marrëdhënieve mes islamit dhe Perëndimit?

I lindur në Ankara në vitin 1956, në fund të viteve të 70-ta ai ishte student në Akademinë e Arteve të Bukura, ku studioi dizajnin e brendshëm. Gjatë kësaj kohe, ra nën ndikimin e ideve të ligjëruesit karizmatik islamik, Said Nursi.

Yahya si figurë publike filloi të dalë në sipërfaqe në vitet e 80-ta, gjatë kohës së pushtetit ushtarak në Turqi. Ai më vonë u arrestua, nën akuzat për krime kundër kodit sekular të Turqisë dhe kaloi 19 muaj në burg.

Pjesën më të madhe të kësaj kohe e kaloi në klinikën e burgut, e më pas, në spitalin mendor Bakirkoy, tek ai u diagnostifikua skizofrenia.

Përderisa Yahya filloi të krijojë profilin e tij publik, puna e vërtetë po zhvillohej prapa skenës, pasi që filloi të tubojë një grup të ithtarëve, të cilët mbështesnin vizionin e tij.
Është vështirë të kuptohet se si ai arriti të joshë njerëz të ri, të pasur dhe të edukuar. Dilek, një ish-ithtare e Yahyas, kujton takimin e saj të parë me Yahyanë, të cilin e kishte takuar për herë të parë gjatë kohës sa ishte në spital.

“Prisja një njeri që të frikëson. Por ishte e kundërta. Qeshte shumë, ishte i mbushur me dashuri. Më pushtoi menjëherë”, rrëfen ajo.

Pas lirimit nga spitali, Yahya filloi të organizojë tubime nëpër vende të ndryshme në Stamboll, në të cilat merrnin pjesë persona të rinj dhe të pasur.

“Kishte një urrejtje të madhe kundër hebrenjve. Hebrenjtë ishin njerëzit që shkatërronin botën dhe ne ishim myslimanët e mirë, që duhej të luftonim kundër tyre”, kujton Dilek.

Gjatë viteve të 80-ta dhe 90-ta, Yahya zgjeroi komunitetin e tij. Organizimi social brenda grupit ishte hierarkik dhe siç ndodhë shpesh në kultet e tilla, marrëdhëniet seksuale kontrolloheshin, me qasjen që i jepej profetit, e që ju mohohej të tjerëve. Yahya anëtarët femra të kultit i konsideronte si posedim ligjor të tij.

Berk, i cili është larguar nga grupi pas shtatë viteve, e përshkruan kështu grupin.
“Ekzistonin motrat, konkubinat dhe vëllezërit, anëtarët meshkuj. Vëllezërve ju lejohej që të martoheshin me konkubinat, ndërsa të gjitha motrat ishin të martuara me Yahyanë”.

Siç dëshmojnë paditë kriminale, vajzat e reja josheshin në ahengje të seksit, me premtimin se do të pranoheshin në grup, por në fund ato detyroheshin që të kishin marrëdhënie seksuale me meshkuj me ndikim, të cilët i nevojiteshin grupit për të arritur sukses ekonomik dhe politik. Ai madje shfrytëzonte fragmente të Kuranit si justifikim, për ndërprerjen e lidhjeve të anëtarëve të grupit me familjet e tyre.

Zgjedhjet lokale të vitit 1994, u dëshmuan si një mundësi e papritur për Yahyanë, Partia Islamike e Mirëqenies fitoi zgjedhjet në Ankara dhe Stamboll. Por kësaj partia i mungonte përvoja dhe ajo kishte nevojë për aleatë islamikë. Dhe Yahya e shfrytëzoi rastin. Ai nënshkroi kontrata të mëdha biznesi me komunat, që kontrolloheshin nga Partia e Mirëqenies. Ndikimi i Yahyas u zbeh, pas puçit ushtarak në vitin 1997, por arriti të ringjallet sërish, kur Fondacioni për Shkencë dhe Hulumtime filloi në vitin 1998 fushatën kundër Darvinizmit, gjë që hapi rrugën për hartimin e Atlasit të Krijimit dhe për rolin e ri të Yahyasë si zëdhënës i kreacionizmit mysliman.

Ai thotë se deri me tani ka shkruar 150 libra, por Berk dyshon në këtë.

“Kishte një grup të ithtarëve, të cilët ishin angazhuar për të shkruar libra. Për çdo libër, ata do të merrnin burimet kryesore që ishin shkruar nga kreacionistët e krishterë, shumica prej tyre nga SHBA. Ata shtonin fotografitë, disa fragmente nga Kurani dhe nganjëherë edhe komente. Asnjë nga këto ide nuk janë të Yahyasë”, thotë Berk, i cili ishte anëtar i qarkut të brendshëm të Yahyasë.

Duke nuhatur një mundësi të re pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Yahya befas u shkëput nga anti-semitizmi i tij dhe shkroi librin “Islami dënon terrorin”, me gjasë për t’i hyrë në qejf SHBA’së.

Qartazi, Yahya është një mjeshtër i manipulimit, një sharlatan. Por falë luftës kundër terrorit, ai kishte mundësi që të paraqes vetën si një alternativë të besueshme kundrejt islamit radikal. Dhe mbi të gjitha, për shumë myslimanë të dezorientuar ai është versioni i besueshëm i përfaqësuesit të shkencës mbizotëruese islamike. Ai po shfrytëzon ndjenjat religjioze, për të mashtruar të gjithë. Një njeri absurd, për kohëra absurde.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›