E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e natës, fundjava mbyllet në orën 24:00

Shpresa Mezini

Akti normativ

Shkarkime nga detyra, qofshin inspektorë të Policisë, Mjedisit apo Shëndetit Publik

Shpresa Mezini

Edhe pse sezoni turistik është në ditët e fundit, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese është mbledhur jashtë axhendës normale të Kuvendit për shqyrtimin e aktit normativ të ndotjes akustike.

Sipas kryetarit të komisionit, Jemin Gjana, Kuvendi duhet të miratojë brenda 45 ditëve aktin normativ, i cili në fakt u miratua nga qeveria më 25 korrik dhe kishte fuqi vetëm një muaj. Për pasojë, sipas Gjanës, lindi nevoja që deputetët të thirreshin gjatë kohës së pushimeve. Por, sipas socialistëve, zvarritja që i është bërë shqyrtimit të këtij akti erdhi nga neglizhenca e mazhorancës. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese mori në shqyrtim dje aktin normativ të qeverisë, për krijimin e task-forcës, për marrjen e masave ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë në qendrat urbane dhe zonat bregdetare.

Kryetari i këtij Komisioni, Jemin Gjana, shprehu nevojën e miratimit që në seancën e parë parlamentare të sesionit të ri, me qëllim shndërrimin në ligj të këtij akti normativ të qeverisë. Ndërsa anëtari socialist i komisionit, Eduart Shalsi, e përshëndeti aktin normativ të hartuar më 25 korrik, por shtoi se ky akt duhet të ishte miratuar meqenëse Kuvendi e zhvilloi seancën e fundit më 6 gusht. Neni 3 i aktit normativ parashikon që task-forca ta kryejë aktivitetin e saj çdo ditë të javës, duke ndaluar ushtrimin pas orarit të lejuar të veprimtarisë së subjekteve fizike e juridike, të cilat janë burim zhurme. Pika dy e nenit 3 thotë: Për mjediset e hapura, orari i lejimit të veprimtarisë për ditën e premte dhe të shtunë të jetë nga ora 19:00 deri në orën 24:00 ndërsa për ditët e tjera të javës të jetë nga ora 19:00 deri në orën 23:30 sipas normave të lejuara të zhurmës. Ndërsa për mjediset e mbyllura, veprimtaria lejohet duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës. Ndërkohë në akt sqarohen njëkohësisht masat penalizuese që do të merren për subjektet që nuk i respektojnë këto orare.

Kështu, akti parashikon, krahas masave për subjektet që shkelin orarin e lejuar, duke shkaktuar zhurma në mjedis, edhe masa ndaj punonjësve publikë, përgjegjës për zbatimin e ligjit, që e neglizhojnë atë. Ai përcakton shkarkime e ulje në detyrë ndaj të gjithë atyre që nuk e zbatojnë Aktin dhe që janë përgjegjës për zbatimin e tij, qofshin inspektorë të Inspektoratit të Mjedisit, të Shëndetit Publik apo të Policisë së Shtetit.

Gjatë diskutimeve të zhvilluara mes palëve në takimin e djeshëm, deputeti socialist, Artan Gaçi, kërkoi shpjegime se si do të veprohet me ato subjekte, të cilat kanë leje ushtrimi aktiviteti 24-orëshe, ndërsa shtoi se legjislacioni nuk ka munguar, por duhet që autoritetet të zbatojnë ligjin në fuqi dhe të parandalojnë një shqetësim që tashmë është bërë kolektiv.

Sipas informacionit që kam, shkak për mediatizimin e këtij problemi të vjetër nuk ka qenë halli i shqiptarëve, por reagimi i papërmbajtur i një gazetareje italiane të RAI-t, e cila kishte ardhur për pushime në Jug të vendit e pasi nuk kishte bërë dot asnjë natë gjumë, iku me lemeri natën e tretë. Ky ishte shkaku i vërtetë që e detyroi Berishën të nxiste këtë akt normativ para sezonit turistik e për ta sjellë për miratim në Parlament, pasi ka mbaruar sezoni turistik. Populizëm i mirëfilltë, tha Gaçi. Nga ana tjetër, Ilir Bala, kryeinspektor për mjedisin në Ministrinë e Brendshme sqaroi se pavarësisht, të tilla subjekte me leje 24-orëshe nuk janë përfshirë në aktin normativ, ato janë të barabarta përpara ligjit në zbatimin e propozimeve të aktit për sa i përket zhurmave. Vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës nuk ishin prezentë, ky komision miratoi aktin normativ, i cili tashmë pret votën e deputetëve për tu miratuar në Kuvend.

Jeta e natës, fundjava mbyllet në orën 24:00 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›