E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza u mohon fustanin e bardhë vajzave shqiptare

Edmond Hoxhaj

Dasmat

Sipas pronarëve të butikëve, fotostudiove dhe restoranteve, këtë vit ka një rënie të kërkesës deri në 50% për shërbimet e tyre

Edmond Hoxhaj

Kriza ekonomike në vendin tonë vazhdon të thellohet, duke ndikuar jo vetëm në bizneset private, por edhe në jetën sociale të qytetarëve shqiptarë. Si kurrë më parë, shqiptarët po i quajnë shpenzime të tepërta, ato që dikur ishin për ta gëzimi i jetës. Kështu, këtë verë që është duke kaluar, kohë kur ishim mësuar të dëgjonim çdo fundjavë muzikën e lartë të orkestrave dhe shpërthimet e fishekzjarrëve gjatë banketeve të dasmave, atmosfera ka qenë më e vakët se ajo e viteve të kaluara. Ndonëse dasmat nuk kanë munguar as këtë verë, mjaft vajzave dhe djemve shqiptarë që kanë vendosur të lidhin kurorë me njëri-tjetrin, kriza u ka mohuar fustanin e bardhë dhe kostumin e dhëndërisë, edhe pse kjo ditë e shënuar e çdo çifti, në Shqipëri festohet si rrallë në vend tjetër. Mjafton të pyesësh në butikët ku shiten dhe jepen me qira fustanet e bardhë të nusërisë dhe mëson se ky vit për ta ka qenë me fitime të pakta. Muaji gusht përfundoi tashmë, por disa prej këtyre butikëve nuk kanë mundur të shlyejnë as shpenzimet me punën që kryer gjatë kësaj vere. Kemi dhënë me qira vetëm 16 fustane të bardha këtë vit dhe kemi shitur 9 kostume dhëndërie. Si këtë verë nuk ka ndodhur asnjëherë. Me këto të ardhura që kemi fituar nuk mund të mbulojmë shpenzimet e gjithë vitit, pasi aktiviteti ynë është i bazuar pikërisht në këtë punë të stinës së verës. Po mendojmë ta mbyllim këtë aktivitet me të cilin kemi siguruar jetesën për rreth 10 vite, është shprehur për gazetën, A.Beqaj, pronari i një butiku në qendër të qytetit të Fierit, që ndryshe nga dyqanet e tjera, ka çmime disi më të larta. Por, e njëjta situatë paraqitet edhe në dyqanet e tjera që kanë çmime më të arsyeshme. Dy shitëset e një butiku tjetër qindra metra katrorësh, ku çmimet janë më të lira, pohojnë se këtë vit puna ka rënë deri në rreth 60% me atë të vitit të kaluar. Ndërsa shtojnë se pjesa më e madhe e çifteve kanë zgjedhur për ditën më të bukur të tyre fustanet dhe kostumet më të lira. Një tjetër fakt që theksojnë pronarët apo shitësit e butikëve, është se gjatë viteve të fundit ka pasur një rënie të vogël graduale, por se këtë vit gjithçka është përgjysmuar, apo edhe më shumë. Ndërkohë, duket se jo vetëm pjesa më e madhe e vajzave që martohen nuk e kanë mundësinë të veshin fustanin e bardhë, por edhe vajzat që kanë përfunduar shkollën e mesme nuk mund të jenë ashtu si kanë ëndërruar për katër vite me radhë, gjatë mbrëmjes së maturës. Para pesë vitesh shisja rreth 70 fustane në ditë për vajzat maturante, ndërsa këtë vit nuk kam arritur të kryej më shumë se 5 shitje në ditë, ka pohuar për gazetën Gelantina Beqiraj, stilistja dhe pronarja e butikut Atelier Moda Fantazia, që ndodhet në qendër të qytetit të Fierit. Rënia e kërkesës për zhvillimin e ceremonisë së dasmës, ka prekur ndërkohë edhe aktivitetet e fotostudiove, restoranteve, bareve etj. Sipas pronarëve të disa fotostudiove, por edhe të restoranteve në qytetin e Fierit, gjatë kësaj vere ka rreth 50% më pak kërkesa për zhvillimin e banketeve e të dasmave, krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, që shqiptarët duket se heqin dorë nga shpenzimet për ditët më të bukura të jetës së tyre, vazhdojnë të martohen apo të lindin fëmijë me të njëjtat ritme si më parë. Kështu, në zyrat e gjendjes civile të qytetit të Fierit, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë regjistruar 202 lidhje martesore, nga 209 për vitin 2011. Ndërsa numri i lindjeve është i njëjtë, 267, si për gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, ashtu edhe për atë të 2011-s.

Intervista

Kredi për shpenzimet e dasmës, sakrifikojnë muajin e mjaltit

Ndonëse u është dashur të sakrifikojnë muajin e mjaltit, dy të rinj nga qyteti i Fierit, nuk kanë hequr dorë nga banketi i dasmës së tyre. Ata kanë sqaruar për gazetën se për shkak të pamundësisë ekonomike, nuk mund të kryenin edhe dasmë, edhe të shkonin në muaj mjalti, kështu që vendosën të shtyjnë për një afat të pacaktuar këtë fundit. Bledi dhe Alda Sheqi, kanë treguar për gazetën, peripecitë që ata kanë kaluar, për të pasur kujtimin e ditës më të bukur të jetës së tyre.

Në radhë të parë ju uroj jetë të lumtur. Doja të dija a patët vështirësi ekonomike për të zhvilluar banketin e dasmës suaj, videoklipet dhe gjithçka tjetër?

Kishim disa muaj që planifikonim se çfarë do të bënim. Sipas të ardhurave ekonomike, ishte e vështirë që të zhvillonim një banket dasme të zgjeruar. Por pastaj na ndihmuan edhe familjarët dhe u detyruam të marrim një kredi. Por sërish paratë mjaftuan vetëm për banketin e dasmës. Tani nuk kemi mundësi të shkojmë për muaj mjalti, kështu që për këtë gjë duhet të presim edhe disa muaj.

Sa ishin shpenzimet tuaja për këtë banket dhe gjithë shërbimet e tjera?

Gjithçka e planifikuam të kushtonte sa më pak. Kështu, që përzgjodhëm njerëzit të cilët ftuam, si dhe u munduam të gjenim çmime të lira për shpërblimet. Banketi në restorantin ku ishin të pranishëm rreth 90 të ftuar kushtoi rreth katërqind mijë lekë të reja. Rreth 300 mijë lekë kushtoi filmimi dhe videoklipi, si dhe DJ, me të njëjtën vlerë. Fustanin e bardhë e dhe kostumin e dhëndërisë i morëm në Tiranë në një dyqan që kishte ofertë nga 99 euro, secili. Gjithashtu, pati edhe shpenzime të tjera.

Ndiheni keq pse nuk keni mundësi të shkoni për muaj mjalti?

Të themi të drejtën na vjen keq që nuk arritëm të shkojmë këtë vit, por në të njëjtën kohë ndihemi edhe me fat. Disa çifte që njohim nuk kanë arritur të kryejnë as dasmën.

Kriza u mohon fustanin e bardhë vajzave shqiptare burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›