E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta e tretë e Xhoni Nash

Xhoni ka humbur aparatin fotografik, Xhon Xhunior ka humbur librin që nuk e ndan kurrë nga dora "Njeri i pasur, njeri i varfër", të autorit Irvin Shou, Alisia ka humbur pallton.

Xhoni murmurin me zë shumë të ulët: "Konfliktet mes besimit fetar e shkencës? Përgjigja duhet të jetë politikisht korrekte. Teo-politikisht korrekte". Reagon me padurim Xhon Xhunior, me shumë seriozitet: "Lutem për shpëtimin e të gjithë shpirtrave". Ndërsa Alisia shton me ëmbëlsi: "Nuk është e vërtetë që Xhon Xhunior i vuri flakën vilës sonë në Princtaun. Bëhej fjalë vetëm për një zjarr të vogël".

Gjithçka shkon mirë në shtëpinë Nash. Çmimi "Nobel" për ekonominë, të cilin bota e njeh si "Mendja e Mrekullueshme", është bërë më i famshëm se edhe vetë aktorët hollivudianë. Ndihet shumë i shtendosur pas një dreke me gjel deti e mbyllur me disa çokollata. Buzëqesh edhe gruaja që i ka qëndruar gjithë jetën përkrah, Alisia. Gjithçka në fund u gjet - aparati fotografik, romani dhe palltoja - dhe u vendos në vendin e vet, si të qenë formulat e një teoreme apo si jeta e re e Xhoni Nash.

Kjo është jeta e tretë, e panjohur nga thuajse askush, e paraqitur disi në një film, në kufijtë e së pabesueshmes përmes syve melankolikë të aktorit Rasell Krou, i bazuar te biografia e shkruar nga Silvia Nasar. Libri mban titullin "Gjeniu i numrave" dhe tashmë është kthyer në bestseller, edhe pse Xhoni nuk pranon t‘i shohë as kopertinën. "Jo, është biografi e paautorizuar". Nuk i pëlqen as aktori që pranoi të merrte përsipër rolin e tij në film: "Në fakt, nuk më ngjan aspak".

Fraza që pason duket se kërkon të na bindë se matematicienët jetojnë mes dy botëve: "Në një kristalierë formash platonike, por edhe në botën normale, ku gjërat janë të errëta. Lëvizin para e prapa. Janë madhorë në botën e parë e fëmijë në të dytën". Duke u përpjekur t‘u shpëtojë vështrimeve të të tjerëve, Xhoni Nash reciton më së miri pjesën e fëmijës gjenial dhe përqendrohet te detajet e mikrokozmosit brenda një treni që udhëton drejt Italisë. "Me çfarë shpejtësie po ecim. Me treqind në orë?". Po udhëton në trenin Eurostar Roma-Milano, në shoqërinë e familjes dhe të një miku që i qëndron pranë prej gjysmë shekulli, Robert Auman, edhe ai "Nobel" në ekonomi. I shoqëron Pierxhiorxho Odifredi, i cili të dielën, i kishte ngjitur triumfalisht në podin e Festivalit të Matematikës në Romë. Por duhet thënë se sjellja fëmijërore e Nashit është veç sipërfaqësore.

Fazën e parë të jetës e mbylli në Institutin e Teknologjisë në Masasutçets, nga ku shpërtheu "teoria e lojërave". Të dytën, si i sëmurë nga skizofrenia, të mbytur nga mesazhe prej jashtëtokësorëve e takimeve haluçinante. E treta përshkohet nga një energji e padëgjuar: është një laser që skanon të gjithë planetin dhe arrin të kuptojë rrënimin e kredive amerikane ("Po mundohem të kuptoj çdo të thotë të vësh bast kundër parasë"), të arsyetojë për rrugët që duhen ndjekur për të shpëtuar nga rrënimi total kompaninë italiane të fluturimeve "Alitalia" ("Me Air France dhe Klm duhet që të përdor një emërtim të ri: për shembull ‘Allied Airlines‘, pasi ‘United Airlines‘ ekziston prej kohësh në treg"). Arrin t‘i gjejë përgjigje edhe fuqizimit të pamat të Kinës: "Amerika nuk arriti të vinte një masë fikse këmbimi dollar-juan". Për "Nobel"-in e fituar nga Al Gor thotë: "Vështirë të thuhet ndonjë gjë e zgjuar mbi të, ashtu si edhe për ngrohjen globale". Ndërsa për sfidën Hillari-Obama vëren: "Duhet zgjedhur e keqja më e vogël: Ndoshta do të votoj për Ralf Nader".

Me shokun dhe kolegun Auman, fëmija gjenial (më 13 qershor feston 80-vjetorin) flet për fillin që i mban të bashkuar: të famshmen "Teori të Lojërave", një kryevepër e krijimtarisë matematike, e cila citohet nga pjesa më e madhe e njerëzve pa rëndësinë e duhur. Janë të paktë ata që e kanë kuptuar thelbësisht, por po gjen shtrirje gjithnjë e më të madhe përtej fushës së ekonomisë, siç janë logjikat e transformimit të ADN-së. Ai e ka kodifikuar në një term të vetëm, "Ekuilibër" (që tashmë është kthyer në objekt të mirëfilltë studimi): "Vërehet kur askush nuk arrin ta modifikojë në formë të njëanshme sjelljen vetjake. Për të ndryshuar lipset ndërveprimi. Ndërkaq, Auman është shtyrë edhe një hap më tej me "Ekuilibrin e bashkëlidhur". Në një univers të tillë parashikohet mos-ndërveprimi i një morie subjektesh dhe, duke gërshetuar të shkuarën me të tashmen, nga kriza e raketave në Kubë te tragjeditë e Lindjes së Mesme shpjegon se "pika thelbësore është gjetja e rrugëve për të shtyrë kundërshtarin të bëjë atë që të leverdis ty".

Luftë dhe Paqe. Më pas Bursa dhe Sport. Strategji tregu e ligje biologjike. Gërshetimi është aq çorientues sa do t‘i errësonte trurin pjesës më të madhe të banorëve të globit, ndërkohë që Nash, duke buzëqeshur se është më mirë të qëndrosh mënjanë përpara fakteve të jetës së përditshme. "Po, shumë probleme e shumë përllogaritje. Teorinë e Lojës nuk e aplikoj te vetvetja". Por shton përmes një batute: "Është gjithnjë më mirë t‘u përgjigjesh pyetjeve, duke përcaktuar një raport mes asaj që thua dhe asaj që është më mirë për veten". Si i ftuari i përkryer i Aumanit, i cili "duhet të lëvdojë të paktën njërën nga pjatat që i janë servirur, edhe pse të gjitha mund të kenë qenë të shpifura".

"Shtypi duhet të jetë veçanërisht i mirë", thotë Nash, ndërsa i lëviz pandërprerë në ajër. Dhe teksa treni i afrohet me shpejtësi stacionit qendror, papritmas thotë se sapo i ka mbërritur "një mendim filozofik": "Jemi tamam në mes të një krize teprimesh, por nuk besoj se fundi do të vijë përpara se njerëzimi të ketë provuar udhëtimet intergalaktike. ‘The show must go on!‘".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›