E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një spot që duhet ndaluar

Nuk di ekzaktësisht kujt kompanie t’i drejtohem, se nuk di kujt ia jep tenderat e reklamave ish-ministri Mediu, për spotin propagandistik për ushtrinë shqiptare. Ka disa ditë para tragjedisë së Gërdecit dhe vazhdon akoma dhe pas tragjedisë që në çdo bllok reklamash shfaqet një spot nervangritës për sukseset e ushtrisë shqiptare. Me një butafori që tanimë duket dhe më e pështirë, reklamohen arritjet e mëdha të ushtrisë shqiptare, para pritjes për të marrë ftesën në NATO. Kam këtu dhe mendimin e mijëra qytetarëve që kjo është tashmë një gjë që ua ngre nervat më shumë se çdo gjë tjetër shqiptarëve. Pas asaj që ndodhi në Gërdec dhe pas përgjegjësive konkrete të të gjitha autoriteteve ushtarake dhe politike të ushtrisë shqiptare, ky spot duhet të ndalojë së transmetuari. Së paku duhet të ndalohet për hir të respektit për viktimat e Gërdecit. Ata e panë me sytë e tyre të tmerruar nga flakët e vdekjes, se cila është ushtria shqiptare dhe profesionalizmi i saj. Drejtuesit e medias që dje u fyen publikisht nga kryeministri, se kanë festuar atë ditë që ndodhi tragjedia, është mirë të ndalojnë festën e qeverisë në ekrane. Ai spot është tashmë i turpshëm dhe cinik, pasi duket sikur tallet me tmerrin që iu kanë parë sytë qytetarëve.
Ai spot duhet të ndalet, edhe pse ministri Mediu e ka paguar. Do t’iu lutemi organeve të prokurorisë dhe gjithë ekipeve të auditit të mos ia quajnë shkelje financiare zotit Mediu këtë sot. S’ka rëndësi si e ka bërë dhe pse e ka bërë, mjafton të mos e transmetojë më. Nëse Shqipëria ka realisht nevojë për lobim në marrëdhëniet publike me NATO-n, nuk ka nevojë t’iu mbushë mendjen shqiptarëve se ushtria shqiptare ka suksese të mëdha. Ato suksese kanë marrë fund, për fatin tonë të keq, ne as kemi patur dhe as kemi ndonjë ushtri për t’u mburrur. Kjo ushtri nuk ka fituar asnjë betejë dhe nuk ka arsye të krenohemi kaq publikisht me të. E vetmja gjë që vlente para marrjes së ftesës së NATO-s ishte klima politike dhe bashkëpunimi për reformat. Ato ishin në rrugë të mbarë dhe dukej se gjithçka po shkonte mbarë, duke mbuluar dhe kalbësirën e ushtrisë shqiptare. Por Zoti na ndëshkoi dhe drita e fortë e tmerrit në Gërdec na la zbuluar para gjithë botës. Tani, së paku të mos gënjejmë veten dhe mos t’iu ngremë nervat njerëzve me spote të tilla. Nëse zoti Mediu ka nevojë t’i mbushë mendjen botës që ka ushtri të fortë, le të paguajë median ndërkombëtare dhe ta transmetojë atje. Ndoshta vlen t’iu hedhë atyre hi syve. Ne na mjafton hiri i Gërdecit.
Së fundi, ai spot duhet ndaluar dhe për një arsye të thjeshtë. Kryeministri ka akuzuar dje median, se ka manipuluar me tragjedinë. Ka thënë gjëra të rënda jo se i beson, por se do t’i dalë përpara çdo akuze që media mund të ngrejë rreth këtij skandali. Është kohë e mirë të refuzohen ato pará dhe t’iu shkojnë viktimave të Gërdecit. Nuk ia vlen që në një vend ku kryeministri mbron trafikantët dhe sulmon median, të përdorësh paratë e tij për të mbajtur në këmbë një kështjellë rëre që u shemb para syve tanë me lemeri. Prej së shtunës, shqiptarët besojnë më shumë median se kryeministrin dhe ky i fundit thotë se këto janë paguar, nuk dihet nga kush. Ata që kanë vdekur, s’kanë as pará, as fuqi të paguajnë. Këta që janë gjallë, kanë paguar dikë tjetër që kanë marrë tenderat vdekjeprurës. Ai spot duhet pushuar së transmetuari nga kolegët e mi të medias televizive për të respektuar ata që nuk kishin fuqi të refuzonin paratë e një projekti fatal që iu mori jetën. Media, e cila ishte e para që iu gjend në krah qytetarëve, është mirë të jetë me ta dhe jo me gënjeshtrat që i çuan ata drejt vdekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›