Çamët, Bakojanis: Pronat zgjidhen përmes gjykatave
Për varret e të rënëve grekë gjatë luftës italo-greke, ministri Basha tha se, pala shqiptare është e vendosur të japë kontributin e saj
TIRANË- Pronat e popullsisë çame në Greqi dhe ajo e varreve të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke kanë qenë dy ndër çështjet që janë diskutuar dje në takimin që ministri i Jashtëm, Lulzim Basha zhvilloi dje në Tiranë me homologen e tij greke, Teodora Bakojanis. Ashtu si në çdo takim tjetër që krerët e lartë të shtetit shqiptar zhvillojnë me ata grekë, këto dy çështje nuk i janë shmangur axhendës së bisedimeve. Por, ashtu si edhe në takimet e tjera, shumë pak bëhet e njohur për publikun lidhur me atë çfarë arrihet në diskutime, ndërsa përgjigjet e zyrtarëve janë mjaft diplomatike. Kështu, pas takimit, ministri Lulzim Basha është shprehur se, çështja e pronave të popullsisë çame në Greqi do të trajtohet në kuadër të traktatit të Miqësisë Greqi-Shqipërisë në baza individuale dhe ligjore, ndërsa Bakojanis ka qenë akoma dhe më e rezervuar, duke thënë se për këtë çështje do të vendosin gjykatat, ashtu si për çdo çështje tjetër pronash në Greqi. “Kemi folur dhe për çështjen e pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi dhe trajtimin e kësaj çështje në kuadër të Traktatit të Miqësisë Greqi-Shqipëri në baza individuale dhe ligjore”, është shprehur ministri Basha, ndërsa ministrja Bakojanis ka thënë se, “çdo çështje pronash në Greqi zgjidhet sipas legjislacionit grek, nëpërmjet gjykatave”. Lidhur me çështjen e varreve të të rënëve grekë gjatë luftës italo-greke, ministri Lulzim Basha u shpreh se, pala shqiptare është e vendosur të japë kontributin e saj për ta përfunduar sa më shpejt, si një çështje që ka sensibilitet humanitar dhe moral. Një tjetër çështje mjaft e rëndësishme që është diskutuar mes Bashës dhe Bakojanis ka qenë anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ku ministrja greke ka deklaruar se Shqipëria i ka të gjitha arsyet për të merituar ftesën për anëtarësim dhe ka mbështetjen miqësore të Greqisë. “Shqipëria i ka të gjitha arsyet për të merituar ftesën për anëtarësim në NATO. Ju do të keni mbështetjen tonë miqësore. E njëjta gjë vlen edhe për Kroacinë. Ju e dini që nuk mund të them të njëjtën gjë për ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë për shkak të faktit që për 17 vjet rresht kanë ngecur bisedimet për përcaktimin e emrit të saj dhe kjo është arsyeja që ka një ndikim negativ në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe në drejtim të bashkëpunimit rajonal”, tha Bakojanis, ndërsa për integrimin në Bashkimin Evropian tha se, kjo kërkon, ndër të tjera, respektim dhe zbatim të vlerave dhe traditave më të mira njerëzore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e njeriut dhe të drejtat e pakicave. Këto të fundit, sipas ministres së Jashtme greke, janë një faktor që lidh dhe forcon më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.