E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtej Gurit të Lartë të Manastirit të Cepos

Të përshkosh sot luginën e lumit të Kardhiqit, është një kënaqësi dhe mundim njëherësh. Peizazhi natyror dhe peizazhi historik shkrihen në një dhe vetëm mungesa e një rruge të shtruar automobilistike të lodh dhe të trishton. Trishtimi të pushton kur mendon se ky shteg e korridor i lashtë rrugor mes maleve, që është përdorur në të gjitha periudhat e jetës njerëzore qysh nga prehistoria, antikiteti, e mesjeta, prej ilirëve, epirotëve, maqedonasve, romakëve, sllavëve, turqve, grekëve, italianëve, gjermanëve, vazhdon të mbetet një shteg i braktisur dhe një zonë e izoluar nga bota. Për shkak të mungesës së një rruge, nëpër të cilën banorët vendas mund të lëviznin lirisht, krahina me 8-9 fshatra në këto 15 vitet e fundit është shpopulluar me një shpejtësi marramendëse. Në fshatrat me 200-300 shtëpi, si Fushëbardha, Kardhiqi, Zhulati e Prongjia, sot del tym vetëm në 40-50 oxhakë.

Kur Kryeministri Berisha gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të shkurtit të vitit 2007 premtoi në Sarandë e Gjirokastër financimin e ndërtimit të aksit rrugor Ura e Kardhiqit-Sarandë me gjatësi 37 kilometra, askush nuk e besoi dhe të gjithë e morën për propagandë elektorale. Por, kur në fillim të janarit të këtij vitit ai zbriti vetë në qendër të Komunës së Cepos për të përuruar fillimin e punimeve të ndërtimit të 7 kilometrave të para të kësaj rruge, që do të shkurtojë distancën me bregdetin me rreth 30 kilometra, të gjithë u shtangën me zellin e tij për të realizuar këtë investim, që vetë Berisha e quajti "të rëndësishëm dhe strategjik" për zhvillimin e rajonit jugor të vendit. Dilemat kaluan shpejt dhe sot tri firma ndërtimi kanë nisur punimet në "lotin" e parë, për ndërtimin e kilometrave të para me një investim prej 600 milionë lekësh dhe sipas kontratës parashikohet që këto punime të para të përfundojnë në pranverë të vitit 2009.

Tani, në udhën që i solli fitore rreth 230 vjet më parë Mbretit Skerdilaid, kunatit të Mbretëreshës ilire Teuta, kur kaloi për të pushtuar Kaoninë, kanë zbritur mjetet e rënda dhe ka nisur traseja e rrugës së re në gjurmët e rrugës së lashtë. Kjo rrugë ka zgjuar shumë shpresa te banorët e mbetur dhe te bashkëfshatarët e ikur në kurbet e në qytet...

"Në Cepo, te Manastiri"

Ndalesa e parë bëhet te "porta" e krahinës, Manastiri i Cepos. Ndryshe quhet edhe Guri i Lartë. Manastiri historik ndodhet në një shkallë poshtë një prerjeje shkëmbore të shpatit verior të Malit të Gjerë, në një nga pikat më strategjike të Luginës së Drinos. Në territorin e //////////bravareve të gjelbra, përreth Manastirit, një grua e vetmuar, rreth të 50-tave, nget një tufë të vogël me dhen të bardha borë. Midis kopesë lodrojnë ca qengja të vegjël, të bardhë, llajush dhe larush. Gruaja thotë se janë të fisit të Bathajve. Përtej Manastirit të vjetër, vetëm disa qindra metra larg ndodhet fshati Plesat. Vendi ku ndodhet ky objekt, dëshmi e rrallë e krishterimit të hershëm të banorëve të zonës, ngjan si një "vendroje" gjigante e portës kryesore të Labërisë. Prej këtej syri i strategut në lashtësi mund të kontrollonte të gjitha lëvizjet e ushtrive që mund të vinin nga gryka e Dragotit dhe e Tepelenës, nga brendësia e Luginës së Drinos dhe nga Delvina nëpërmjet qafave të Skërficës dhe Taroninës.

Qysh në lashtësi, kur Antigonea, kryeqendra e Luginës së Drinos përjetonte një zhvillim të shpejtë rreth vitit 230 Para Krishtit, pikërisht kur Teuta kishte vënë një ushtri nën komandë të kunatit të saj, Skerdilaidit, u drejtua për të pushtuar Kaoninë nga toka, kur flota ilire e Teutës kishte zbarkuar në Butrint, Onkezëm (Saranda e sotme) dhe Foinike, pikërisht kjo "portë" kishte vendosur fatin e një lufte të madhe të asaj periudhe. Arkeologu Dhimitër Çondi, që udhëton së bashku me ne për të fotografuar gjurmët e lashtësisë në këtë zonë, thotë se Skerdilaidi kishte marshuar me ushtarët e tij pikërisht nëpër ngushticën e lumit të Kardhiqit, poshtë "këmbëve" të Cepos. Sipas shkrimeve të historianit grek Polibi, thotë Condi, kur kaonët, meqë morën vesh se Skerdilaidi me 5000 ilirë po vinte kundër tyre nëpër tokë, duke kapërcyer ngushticën e Antigonesë, dërguan një pjesë të forcave të tyre për të mbrojtur këtë qytet. Pozita gjeografike kyçe e Luginës së Drinos, si pikëtakimin e rrugëve të Epirit, Ilirisë dhe Maqedonisë ishin dhe fati e fataliteti i banorëve të saj. Kështu, historia përsëritet pak më vonë, në vitin 198 para Krishtit, Mbreti Filipi V u vu në krye të ushtrisë maqedonase dhe u nis për të pushtuar "ngushticat e Antigonesë". Historiani romak, Tit Livit, shkruan se ushtria romake, e udhëhequr nga konsulli romak, Tit Kuinkt Flamini, e ndihmuar edhe nga një bari vendas që i dinte shtigjet, goditi nga pas shpine kampin maqedonas në anë të lumit Aos (Vjosa). Por përplasja më e madhe me maqedonasit ndodhi rreth 20 vjet më vonë, kur komandanti romak Ap Klaudi u godit befasisht nga maqedonasit në "ngushticat e Antigonesë" dhe pasi i shpëtoi goditjes, u vendos në Meleona (Memaliaj). Fushata e maqedonasve vazhdoi më pas mbi antigonasit dhe me vënien nën kontroll të "grykave të Antigonesë". Në këto rrethana të humbjeve me maqedonasit, antigonasit u detyruan të bashkohen me maqedonasit dhe molosët kundër romakëve, ndërsa kaonët vazhduan të mbajnë anën e Romës.

Aq strategjik është ky vend, saqë qysh nga koha e kryengritjeve antiosmane të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në vitin 1992, ka shërbyer si kazermë ushtarake, si vendkomandë, vendgrumbullim luftëtarësh, pikë referimi për kuvendet e ///////////lebërve, por edhe vendi i faljeve, lutjeve dhe të tyre me Zotin. Ky vend ka parë dhe ka pritur shumë nga luftëtarët më të njohur të Jugut, që nga Çelo Picari, Sulo Beqiri, Çerçiz Topulli, Bajram Ligu, Hito Lekdushi, Riza Veipi, Mustafa Matohiti, Shefqet Peçi etj. "Në Cepo te Manastiri / Gjëmon pushka e tundet briri/ Sokëllin Sulo Beqiri/ Sa dëgjohej nga Erindi/ E nxori pallën nga milli…", thotë një këngë e vjetër për ngjarjet që ka përjetuar ky vend. Një plak nga Plesati thotë se gjatë një operacioni ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtarët fashistë dogjën të gjallë një kallogre në flakët që i kishin vënë hajatit të Manastirit historik të Cepos. "Ksenon e gjorë, një nga kallogretë e këtij Manastiri historik, e dogjën të gjallë, sepse ajo nuk u tregoi se nga kaluan pjesëtarët e një çete partizane, që ishte e dislokuar dhe strehuar për disa muaj në Manastirin e Cepos", rrëfen plaku nga Plesati.

Nga kompleksi i ish-manastirit historik, kanë mbetur sot vetëm dy objekte, kisha e tipit bazilikë me kupolë dhe një nga dhjetëra konakët e dikurshëm, që, sipas vendasve, prisnin dhe përcillnin udhëtarët që qëndronin për të pushuar në Manastir. Arkeologu Dhimitër Çondi, që është bashkudhëtar me ne në këtë rrugëtim, thotë se kjo bazilikë me kupolë, me /////////aos dhe altar të zbukuruar me afreske dhe figura të gdhendura në gurët e pjesës së jashtme të /////////naosit trenefësh të mbuluar me një sistem harqesh, është një nga monumentet dhe gjurmët më të rralla të krishterimit të zonës. Konaku zë vend pranë kishës në anën lindore të saj dhe është vendosur mbi një varg galerish me harkore dhe qemerë cilindrikë. Megjithatë, në territorin e Manastirit gjenden edhe 5-6 gërmadha një dhe dykatëshe, të cilat janë ndërtuar nga ushtria gjatë periudhës së komunizmit dhe që e shëmtojnë krejtësisht këtë ambient, edhe pse dy objektet e sipërpërmendura, kisha dhe konaku, u janë nënshtruar një ndërhyrjeje të fuqishme restauruese dhe tepër rigoroze nga pikëpamja e respektimit të vlerave autentike të tyre me financim të kryepeshkopit Anastas Janullatos dhe Mitropolisë së Shenjtë Ortodokse të Gjirokastrës.

Kardhiqi i hakmarrjes alipashiane

Nga Cepoja, muret e kalasë së Kardhiqit rrezatonin diçka nga shkëlqimi dhe madhështia e dikurshme. Por kur hyn në brendësi të ish-qytetit mesjetar, tashmë të zhytur mes gërmadhave, rrënojave të banesave mesjetare dhe disa shtëpive të braktisura së fundi me arkitekturën "elbasançe" të viteve të komunizmit, nuk ka shumë vend për lavdinë e dikurshme. Duhet të endesh shumë mes këtij kompleksi rrënojash për të takuar njerëz. Sipër mureve të gurtë, ca dhi të hirta ushqehen me gjethe kulprash a me lastare ende të paçelur të hardhive.

Atë që nuk e bënë dot hakmarrja e Ali Pashës dhe luftërat e shumta, e bëri më shpejt varfëria dhe skamja. Këtë të vërtetë e beson më shumë kur lexon opinionet e Pukëvilit për Kardhiqin, për konsullin francez të Napoleon Bonapartit në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, zotin Pulëvil, mbijetesa në shekuj e banorëve të zonës së Cepo - Kardhiq - Zhulatit, krahinës malore, por mjaft të lakmuar për pozicionin strategjik, lidhet nga ai me qëndresën, shtëpitë gjysmëfortesa dhe të mbrojtura nga burra të vendosur, si dhe në aftësinë e vendasve për t‘u përshtatur në momente të vështira të invazioneve dhe pushtuesve. Banorët e Kardhiqit, shkruante Pukëvili, shfaqen arjanë në kohë të Alarikut që shkatërruan Epirin, kristianë ortodoksë gjatë kohës që perandorët e Kostandinopojës zotëronin Epirin, katolikë gjatë invazionit të Normanëve dhe Katalanëve, e së fundi myslimanë pas pushtimit të Epirit prej turqve; ata i kishin shpëtuar syrit të të gjithë pushtuesve dhe duke kaluar nëpër këtë metamorfozë fetare, ata kishin ruajtur identitetin e tyre.

Më e tmerrshmja histori është ajo e hakmarrjes së Ali Pashës ndaj kardhiqiotëve.

Qysh nga vegjëlia e tij, Alia Pashë Tepelena mbajti të fshehur brenda vetes një "tënjë", apo një ëndërr nga ato të adoleshencës që "të ngjiten, e s‘të shqiten tërë jetën, atë të shpëlarjes së hakut për nënë Hankon dhe motër Shanishanë, të cilat ishin turpëruar kur ai nuk ishte veçse 10-12 vjeç. Thonë se deri në momentet e fundit të jetës, kur ajo kishte zënë shtratin e vdekjes, mëmë Hankua lëshonte nëma e mallkime për kardhiqiotët, që t‘i kujtonte Aliut turpin dhe që t‘i kërkonte atij shpagim.

Bashkë me famën e Aliut, rritej brenda tij edhe dëshira për hakmarrje dhe kur ishte në kulmin e lavdisë, afro 40 vjet pas çnderimit të Hankos ai gjen kohën, vendin dhe mënyrën që të vinte nderin në vend. Në vitin 1812, ai rrethoi Kardhiqin dhe fillimisht ekzekutoi 60 burra të parisë kardhiqiotë, që i kishte marrë peng. Por historia nuk mbaroi me kaq. Aliu në krye të ushtrisë më pas hyri në qytetin e Kardhiqit dhe kërkoi që të gjithë burrat të paarmatosur të niseshin për në Hanin e Xharahajve pranë Valaresë, duke i konsideruar kardhiqiotët të falur, si vëllezër dhe djem të tij. Por, në mes të atij udhëtimi fatal, befas ndizet urrejtja e Aliut; ndizet flakë ndjenja e hakmarrjes dhe në çast vjen urdhri për rrethimin e Hanit të Valaresë dhe vrasjen e masakrimin e gjashtëqind burrave kardhiqiotë. Kardhiqiotët e mbetur gjallë, nuk harrojnë dhe brez pas brezi përcjellin qëndrimin burrëror të luftëtarëve mirditorë të Aliut, që refuzuan të vrisnin kardhiqiotët e paarmatosur. "Armatosi pasha, pastaj le të luftojmë, nuk qëllojnë mirditorët mbi burra të paarmatosur", i është drejtuar Aliut një nga komandantët mirditorë i quajtur Ndrek Gazulli, një nga pasardhësit e Abacisë së Mirditës. Por, pavarësisht nga kundërshtimi i mirditorëve, mes ushtarëve mercenarë të ushtrisë së Ali Pashës u gjendën disa të kryesuar nga Thanas Vaja, që e përfunduan masakrën kundër gjashtëqind kardhiqiotëve.

Sot në Kardhiq banojnë vetëm 4 familje dhe 15 banorë. Të tjerët janë larguar. Pjesa më e madhe e shtëpive janë kthyer në stalla bagëtish. Degët e pemëve kanë hyrë nga dritaret në brendësi të banesave, ndërsa rrënjët e pemëve kanë çarë dyshemetë dhe tarracat prej betoni. Në Kardhiq rrënojat e shtëpive të reja të braktisura në këto vitet e fundit ngjajnë më shëmtuar se shtëpitë me qemere guri, kullat me frëngji e oxhakë dhe xhamitë e rrënuara të mesjetës kardhiqiote. Rruga e re ka ndezur një shpresë të re te të mbeturit në Kardhiq. "Mbaso kthehen prape ata që ikën. Këtu i kanë muret e koshtrat, këtu i kanë binatë. Po u bë udha le të vinë", thotë plaka Liro Shehu.

Në Zhulatin e kanunit dhe "inatit" me Bizantin

Në Zhulat, një tjetër atmosferë dhe e papërsëritshme e peizazheve e dramave të natyrës dhe historisë. Maleve të larta dhe të aksidentuara nga rrëketë që presin si me thikë shpatet shkëmbore, forma nga më të çuditshme të shkëmbit, bimëve dhe ujërave. Fushëza të vogla e të gjelbra në hapësirën e ngushtë të maleve. Idetë përthyhen dhe mendimi rrëzohet në honet që të shfaqen papritur ngado. Imazh i mahnitshëm, pa limit e kufi ngjyrash. Brenda kësaj mrekullie të natyrës dallohet lehtë varfëria e sotme dhe aty këtu edhe lavdia e dikurshme e Zhulatit, që "me Bizant e zu inati". Banorë me urtësinë dhe thjeshtësi e tyre fisnike të rrëfejnë historinë me këngët e tyre të vjetra. Zhulati ruan më shumë se kushdo tjetër në këtë krahinë krenarinë e pamohueshme të origjinalitet. Me krenari dhe sinqeritet të tregojnë "Mëhallën e të krishterëve", vendosur në shpatin përballë fshatit të sotëm. I fundit i krishterëve është larguar nga fshati në vitin 1960.

Shtëpitë e fshatit, edhe pse disa prej tyre të reja, ndërtuar 10 - 15 vjet më parë, shumica janë të braktisura. Një plakë që nuk e thotë emrin e saj, por na thotë se është "e Alikajve", na vështron me habi dhe na përshëndet butësisht. Ku është kalaja? - e pyesim plakën e Alikajve. "Kalaja ka qenë atje, në majë të bregut. Nuk ka më mure e gurë. Ka vetëm ca radhoj guri. Ikën gurët, janë bërë mure për shtëpi, për shkollën, për dylbene", thotë "e alikajve" dhe na fton bujarisht për një "gotë ujë" në shtëpinë e saj.

Një grua tjetër, rreth të gjashtëdhjetave, që nuk e "fshehu" emrin dhe që quhej Begzo Çela, na thotë se nga 250 shtëpi që kishte në vitin 1990, sot kanë mbetur rreth 90 shtëpi. "Të shumtat banohen nga dy pleq të vetmuar. Të rinjtë kanë ikur. Nga 500 nxënës që ka pasur, tani në shkollë ka vetëm 30 fëmijë", thotë Begzo. Megjithatë, Zhulati edhe me këto "statistika" spontane e në rënie, aktualisht mbetet fshati më i madh i krahinës.

Deri para 30 vjetësh, gjurmët e lashtësisë, muret, mbishkrimet dhe dokumentet ishin më të dukshme. Ato u përkisnin periudhave të hershme ilire. Nga Zhulati kanë qenë Papa Zhuli, që është bërë i famshëm për "Kanunin e Papa Zhulit" dhe Petro Zhulati, që sipas këngës së vjetër epike me moshë 950-vjeçare "...me Bizant e zu inati". Një përplasje me përmasa të mëdha duhet të ketë ndodhur derisa gojëdhëna që sjell kënga e moçme që ruhet me fanatizëm për afro 9 shekuj thotë: "Lum, o bir, Petro Zhulati / Kal i kuq sa gjysmë shpati / Me Bizant të zu inati / Ǒi bëre gjithë ata trima / Me kuaj si vetëtima / Jataganët vringëllima?"

Kronikat e vjetra për fshatin Zhulat, dikur ai përmendet me emrin Julius, diku Zhul, diku ndryshe. Sundimtarët bizantinë e më vonë venedikasit, jo aq shumë për vetë Zhulatin, por më shumë për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit Jonian, fushat e luginës së Rrëzomës, e në gjithë pellgun e begatë të Delvinës. Historiani turk, Evlia Çelebi, shkruan se Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka 200 shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth tij ishin të mbuluara me vreshta. "Banorët e tij merren me shkëmbime të produkteve të zejtarisë me qytete të tjera brenda dhe jashtë krahinës... Kështjellën e Zhulatit e ka themeluar mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleatë të tij. Më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas në ///////shek e Bajazitit të shenjtë, e zaptoi Qedik Ahmet Pasha... Ajo ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore... Kështjellë e pashembullt në bukuri, të cilës mund t‘i përngjasë ajo e Kordusit ose ajo e Benefshes në Peloponez".

Kryetari i Komunës së Cepos, Dragush Logli, është vetë nga Zhulati, prandaj nuk rresh së foluri për të. "Zhulati ka jetuar gjithmonë i lirë dhe i organizuar në bashkësi fshatare, me ekonomi natyrore dhe me një vetëqeverisje zakonore, që nga koha e Kanunit të Papa Zhulit", thotë Dragushi, njeriu nuk la gurë pa lëvizur në qeveri për financimin e rrugës Kardhiq-Sarandë. Rruga e re, sipas tij, do të sjellë një zhvillim të madh e të shpejtë të krahinës. "Mbarështimi i blegtorisë ka vazhduar me ritme të mira, por bujqësia dhe aktivitetet e tjera tradicionale janë ndërprerë, sepse fshatrat e komunës janë krejtësisht të izoluara. Megjithatë, rruga do të rikthejë shumë njerëz në fshatrat e krahinës. Ka mundësi për shumë veprimtari. Aktualisht kemi 4 ekonomi të mbarështimit të troftës në ujërat e pastra të lumit të Kardhiqit. Uji, toka, pyjet e Piksit, malet, pasuritë natyrore dhe trashëgimia kulturore e zonës të ofrojnë mundësi për të ardhura dhe zhvillim", shprehet me një optimizëm të dukshëm kryetari i komunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›