E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jeta nën fatwa

Del në shqip jetëshkrimi i shkrimtarit britanik me origjinë indiane, Salman Rushdie. “Joseph Anton”, i botuar pothuajse në të njëjtën kohë si në anglisht ashtu edhe në shqip, sjell jetën e shkrimtarit në kohën kur jetonte i fshehur për shkak se ndaj tij ishte lëshuar dënimi me vdekje, i njohur si fatwa.

Më 14 shkurt të vitit 1989, ditën e Shën Valentinit, shkrimtarit britanik me origjinë indiane, Salman Rushdie, i telefonoi një gazetar i BBC-së, i cili i tha se Ajatollah Khomeini e kishte ‘dënuar me vdekje’. Ishte hera e parë që ai dëgjonte fjalën fatwa. Cili qe krimi i tij? Shkrimi i romanit me titull ‘Vargjet satanike’, i cili, sipas akuzës, ishte “kundër islamit, Profetit dhe Kuranit”.

Dhe kështu nisi odiseja e jashtëzakonshme e një shkrimtari që detyrohet të jetojë në ilegalitet duke u zhvendosur nga një strehë në tjetrën, nën praninë e vazhdueshme të një skuadre të armatosur mbrojtëse. I kërkuan të zgjidhte një emër të rremë, me të cilin ta thërrisnin policët. Ai filloi të mendonte për shkrimtarët që donte më shumë dhe të krijonte kombinime me emrat e tyre. Papritur, në mendje i përshkënditën emrat e shkrimtarëve Conrad dhe Çehov – Joseph Anton.

Si mund të jetojë një shkrimtar dhe familja e tij nën kërcënimin e vdekjes për nëntë vjet radhazi? Si mundet ai të vazhdojë të punojë? Si dashuron dhe si pushon së dashuri? Si u jep dëshpërimi trajtë mendimeve dhe veprimeve të tij, për se gabon ai dhe si mëson të kundërveprojë? Në këtë libër të jashtëzakonshëm me kujtime, Rushdie flet për herë të parë për këtë histori, që është historia e njërës prej betejave më të rëndësishme të kohës ku jetojmë, historia e betejës për lirinë e fjalës. Ai flet për realitetet herë-herë të zymta e herë-herë komike të bashkëjetesës së tij me policë të armatosur dhe për lidhjet e ngushta që krijoi me mbrojtësit e tij, për luftën e tij për të siguruar mbështetjen dhe mirëkuptimin e qeverive, shefave të shërbimeve të fshehta, botuesve, gazetarëve dhe kolegëve shkrimtarë dhe se si e rifitoi lirinë.

“Ky është një libër që dëshmon për çiltërsi dhe sinqeritet të jashtëzakonshëm, një libër që të ngërthen, të ngacmon, të prek, një libër me rëndësi jetike. Sepse, ajo që i ndodhi Salman Rushdie-s ishte akti i parë i një drame që shpaloset çdo ditë në ndonjë vend të botës”, thekson botuesja e librit ‘Joseph Anton’ në shqip, Arlinda Dudaj. Libri, i cili është përkthyer në shqip nga Engjëllushe Shqarri, është botuar para pak ditësh në Tiranë dhe nga botuesja e Rushdie-s në shqip është paralajmëruar se do të dalë edhe romani kontrovers i këtij shkrimtari, ‘Vargjet satanike’.

Salman Rushdie është autor i gjashtëmbëdhjetë librave, ndër të tjera i romanit “Fëmijët e mesnatës” (Midnight’s Children), që ka fituar çmimin “Booker Prize” në vitin 1981, çmimin “Booker of Bookers”në vitin 1993 dhe çmimin “Best of the Booker” në vitin 2008. Romani “Psherëtima e fundit e Arapit” ka fituar çmimin “Whitbread Prize” në vitin 1995 dhe çmimin e Bashkimit Europian “Aristeion” për letërsinë në vitin 1996. Në vitin 2007, Salman Rushdie u nderua me titullin e Kalorësit për shërbime ndaj letërsisë. Ai është anëtar i “The Royal Society of Literature” dhe i “l’Ordre des Arts et des Lettres”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›