E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mposhtet Ebola

Autoritetet e Ugandës kanë njoftuar të premten për shuarjen zyrtare të epidemisë së etheve hemorragjike (që përcillen me gjakderdhje), të cilat shkaktohen nga virusi i Ebolës.

Që nga shfaqja e saj, në muajin qershor, epidemia e Ebolës në perëndim të Ugandës – afër kufirit me Kongon - ka lënë 17 persona të vdekur.

Po ashtu, epidemia e dytë e Ebolës, vetëm gjatë muajit gusht la të vdekur edhe 36 persona të tjerë në verilindje të shtetit fqinj, Republikës Demokratike të Kongos.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), Ebola është një sëmundje tejet ngjitëse, me një vdekshmëri mes 25 dhe 90 përqind të të prekurve nga ajo. Ende nuk ekziston ndonjë terapi apo vaksinë kundër kësaj sëmundjeje. Sëmundja bartet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun e të sëmurit, përmes marrëdhënieve seksuale, përmes lëngjeve trupore, apo nga kufomat e të vdekurve nga kjo sëmundje – po qe se ato nuk trajtohen si duhet.

Ndryshe, pas deklarimit zyrtar të përfundimit të epidemisë, autoritetet e Ugandës iu kanë bërë thirrje të gjitha shteteve që aplikuan ndalimin e udhëtimeve nga dhe për në këtë shtet, që t’i pezullojnë ato.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›