Jeta normale në një vend normal

Më 18 mars, diçka normale ndodhi në Gazimestan, diçka që sërish dëshmoi se Kosova po bëhet një vend gjithnjë e më normal dhe meriton të trajtohet si i tillë nga komuniteti ndërkombëtar, duke mos i marrë parasysh mendimet e klasës politike të Beogradit. Në atë ditë, Policia e Kosovës mori përgjegjësinë nga KFOR-i për të ruajtur lokacionin historik serb në Gazimestan
Nga Patrick Moore*
Mbrojtja policore e monumenteve të njohura
mirë në territorin ku janë, nuk është asgjë e re në botë. Por, t'i lexosh
komentet e të përjavshmes serbe NIN dhe të disa mediave të tjera në Beograd,
dikush do të mund të mendonte se botës i ka ardhur fundi.
Ministria koloniale e Serbisë për Kosovën gjithashtu ka protestuar, duke thënë
se ruajtja e atyre vendeve nuk mund tu besohet atyre që i kanë shkatërruar.
Përvoja tregon se që nga viti 1999, trashëgimia historike dhe kulturore (e
Serbisë) ka qenë vazhdimisht në shënjestër të ekstremistëve shqiptarë, derisa
synimi i vetëm i këtij vandalizmi është fshirja e gjurmëve të pranisë së gjatë
me shekuj të serbëve.
Nuk do të përpiqem të komentoj çdo pikë të kësaj deklarate, sepse kjo do të
kërkonte një artikull më vete. Është e vërtetë se në gjashtë vjetët e fundit ka
pasur disa akte vandalizmi kundër lokacioneve kulturore serbe.
Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë e qartë, se cilët ishin përgjegjësit e atyre
sulmeve. Shumë kosovarë dyshojnë se janë provokuar nga forcat serbe të
sigurimit, të cilat vazhdojnë të kenë zyra të posaçme për Kosovën në vende të
ndryshme të Serbisë.
Të mos harrojmë se forcat serbe të sigurisë sot janë trashëguesë të UDBA-s
jugosllave, e cila dikur shihej si një nga organizatat më efektive në Evropë.
Me fjalë të tjera, po të mos ishin shqiptarët ekstremistë ata që sulmojnë
objektet historike apo kishat, do të ishte e domosdoshme për disa njerëz që ti
shpikin ata ekstremistë, për të dëshmuar se propaganda serbe nuk gënjen.
Një hap i madh
Por, le të zhvendosemi nga frika e pohimet e klasës politike në Beograd dhe të
dëgjojmë disa mendime të tjera. Komandanti i NATO-s, admirali Mark Fitzgerald,
ka thënë më 19 mars në Prishtinë se transferimi i përgjegjësive për ruajtjen e
monumentit të Gazimestanit është rezultat i përmirësimit të situatës së
sigurisë në vend.
Pak ditë pas kësaj deklarate, forcat amerikane i dhanë fund patrullimit të
përbashkët me policinë kufitare të Kosovës në kufirin me Maqedoninë. Kapiteni
Dan Murphy, zëdhënës i këtyre forcave në kampin Bondsteel, tha se
profesionalizmi i policisë kosovare është përmirësuar deri në atë pikë, kur
amerikanët janë definitivisht në pozicion të bëjnë një hap prapa.
Ai tha se fundi i patrullimeve të përbashkëta ishte një hap i madh. Jemi në
pritje të mundësive të tjera për të transferuar edhe më shumë detyra tek
institucionet lokale në Kosovë.
Situata e sigurisë është aq e përmirësuar në fakt, saqë Spanja dhe Franca janë
duke menduar ti tërheqin fare trupat nga KFOR-i. Ministri gjerman i Mbrojtjes,
Karl-Theodor zu Guttenberg, ka thënë më 30 mars se Gjermania mbase do të
zvogëlojë numrin e forcave që ka në KFOR, por ai gjithashtu ka tërhequr
vërejtjen se trupat aleate duhet të largohen bashkërisht, nisur nga parimi bazë
i NATO-s, së bashku brenda, së bashku jashtë.
Në Gjermani, ekspertët ushtarakë në media kanë vënë në pah, këto ditë, se puna
ushtarake në Kosovë, esencialisht ka marrë fund. Detyrat tani janë të
përqendruara në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe social, paralelisht me
sigurinë bazë.
Këta ekspertë gjithashtu kanë pohuar se çdo kërcënim ndaj pronave kulturore apo
fetare mbase mund të vijë nga individët ekstremistë dhe jo nga ndonjë grup i
organizuar.
Në fakt, që prej vitit 2004, nuk kemi parë ndonjë grup të vërtetë dhune.
Kosovarët, ndërkohë, kanë arritur të dëshmojnë disiplinë të mirë sociale në
vitet që i paraprinë pavarësisë. Nuk ka arsye për të menduar se, brenda natës,
banda të organizuara, befasishëm do të fillojnë t'i sulmojnë kishat apo monumentet
serbe.
Policia e Kosovës ka filluar paqësisht dhe profesionalisht t'i ruajë lokacionet
serbe; këtë e kam parë vetë në Prizren dhe kudo tjetër.
Nëse vërtet ekziston ndonjë shqetësim në raport me kishat serbe, atëherë ato
kanë të bëjnë me rrezikun që del nga radhët e tyre. Një hetim i fundit i
zhvilluar nga Kisha Ortodokse Serbe ka gjetur se janë vjedhur qindra-mijëra
euro, që për destinacion kishin serbët e varfër në Kosovë.
Si rezultat i këtij skandali, është pezulluar vetë peshkopi Artemije. Asnjë nga
individët e përfshirë nuk ishin shqiptarë, qofshin ata ekstremistë apo të
tjerë.
Çështja thelbësore
Rrënja e problemit që gjendet përballë pakicës serbe në Kosovë është sjellja e
një pjese të madhe të saj se shteti i tyre është Serbia dhe jo Kosova. Beogradi
është duke i trimëruar ata ta besojnë një fiksion të këtillë.
Të rikujtojmë se një nga elementet e zakonshme në luftërat e Kroacisë, Bosnjës
dhe Kosovës, gjatë viteve '90, ishte në fakt refuzimi i serbëve lokalë për të
pranuar mundësinë që të jetojnë mirë dhe në mënyrë paqësore, në një shtet të
cilin nuk e kontrollojnë serbët.
Beogradi ka promovuar besime të këtilla atëherë dhe me gjasë ende është duke
bërë një gjë të këtillë. Mund ta kujtojmë edhe vizitën shumë të publikuar të
presidentit Boris Tadiq te komuniteti serb në Kosovë, më 2005, atëherë kur ai
prezantoi në secilin qytet apo enklavë flamurin e Serbisë dhe deklaroi se kjo
është Serbia; diçka të këtillë madje as presidenti Millosheviq nuk e kishte
bërë.
Serbia e post-Millosheviqit i ka mbajtur të gjalla zyrat e MUP-it në Kosovë dhe
ka një ministri shumë të zëshme koloniale, e cila mbështet institucionet
paralele në veri. Dhe, ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, udhëton në gjithë
planetin, në përpjekje për ta vështirësuar jetën e vendit më të ri fqinj të
Serbisë.
Në një nivel më të thellë, problemi më fundamental është varshmëria e
nacionalistëve serbë nga miti për Kosovën dhe rolin e saj në historinë e
Serbisë. Ky mit ka një përfundim pothuajse universal, edhe pse, sikur që e kanë
vërejtur edhe redaktorët në shërbimin serb të Radios Evropa e Lirë, vetëm 20
për qind e serbëve jashtë Kosovës kanë marrë mundin dhe përpjekjen për ta
vizituar këtë vend para vitit 1999.
Kultura politike serbe duhet ta heqë qafe mitin e Kosovës, nëse Beogradi synon
të ketë raporte normale, si një vend normal në rajon.
Stevan K. Pavlowitch, profesor në Universitetin Southampton dhe studiues në
Royal Historical Society, ka identifikuar natyrën e problemit në librin e
tij, Serbia: Historia e një ideje, të botuar më 2002.
Ai thotë se beteja për Kosovën më 1389 nuk është luftuar midis armatës serbe
dhe asaj turke, por midis dy ligave feudale, pa besnikëri etnike. Në raport me
politikën moderne, Pavlowitch thotë se Serbia ka nevojë për një lider të
fuqishëm, i cili do ti thoshte popullit se Kosova është e humbur dhe se ka
ardhur koha për të ecur përpara me jetën, për tu marrë me problemet e vërteta
të Serbisë, në rrafshin ekonomik dhe atë social.
Ai ka shkruar se për tu pajtuar me zhbërjen e Jugosllavisë, Serbia do të ketë
nevojë për një lider që do të kishte fizikun dhe vizionin e Charles de Gaulle
një personalitet ky, i cili do të kuptonte dhe do t'i bindte bashkatdhetarët e
tij, se për tu marrë me problemet që shfaqen nga serbët për shkak të zhbërjes
së Jugosllavisë, Serbia duhet ta heqë barrën e Kosovës.
Ajo çfarë arriti të ketë, ishte Sllobodan Millosheviqi, projekti i të cilit,
nuk ishte synim tjetër, pos të qëndruarit në pushtet. Sot, dikush mund të pyesë
a kanë arritur të dëshmojnë pasardhësit e Millosheviqit se janë më të mirë?
(*) Patrick Moore ka shkru