E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia parlamentare, çelësi i artë në duart e Topallit

Jozefina, dikur një vajzë e re me një ëndërr evropiane, sot një personalitet që punon fort për një Shqipëri perëndimore

E përditshmja është përherë një axhendë e ngjeshur pune për Jozefina Topallin. Prej 15 vitesh ajo është mësuar me mbingarkesën politike, të cilën duhet ta mbajë supet e brishta të femrës që ende nuk ka lejuar tu bëjë strehë rrudhave të moshës. Vitet si kryeparlamentare të Shqipërisë, veçse e kanë pjekur si politikane dhe drejtuese të institucionit ligjbërës shqiptar. Znj. Topalli nuk e ka privilegjin e një rutine të zakonshme, por i shkon deri në fund gjithçkaje që i ka vënë vetes si qëllim. Për këtë ajo i është mirënjohëse edhe stafit të saj, ku pjesa më e madhe janë gra, që punojnë me përkushtim, madje edhe të shtunave e të dielave e shpesh deri në orë të vona të natës. Si pakkush Topalli ka krijuar një team-spirit të admirueshëm. Një telefonatë e saj, qoftë edhe afër mesnate, vijohet nga një seri telefonatash zinxhir të vartësve të saj në përgjigje të çfarë kërkohet. Po, ia ka dalë me sukses të punojë në ekip. E nesërmja e saj është sërish një axhendë e ngjeshur. Krahas kalendarit parlamentar, nuk mungojnë në asnjë ditë të javës takime me personalitete të larta, me diplomatë, qeveritarë lokalë, qytetarë të thjeshtë, por edhe opozitarë. Ndihet krenare kur pret apo i kthejnë vizitën homologët e saj në BE, të rajonit dhe më gjerë. Në më pak se gjashtë muaj ka takuar 16 kryeparlamentarë, ndër të cilët kryetari i Parlamentit Evropian, Busek; kryetari i Bundestagut Gjerman, Lamert; kryetari i Rikstagut suedez, Vestenberg, vend i të cilit mban Presidencën e BE-së; kryetarët e Senatit dhe Dhomës së Ulët të Mbretërisë Belge, vend që merr Presidencën e BE-së, presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë Fini dhe një seri e gjatë deri te vizita zyrtare në Tiranë e para tri ditëve e presidentit të Senatit çek, Vlecek, vendi i të cilit kishte Presidencën e BE-së, kur Shqipëria bëri kërkesën për vend kandidat në familjen evropiane. Janë takime që mbartin shumë punë, këmbëngulje, pasion, bindjen e plotë të gruas së fortë se duhet të shohësh nga afër reformat dhe mrekullinë e tyre për ti kuptuar pritshmëritë e shqiptarëve për tiu bashkangjitur Perëndimit aq të dëshiruar dhe mbështetur ata pa hezitim. Jozefina u rrit në një mjedis ku vetëm dija i lejoi të njihte botën e lirë, por e ndalueme për shqiptarët, botë të cilën do ta bënte pjesë të ëndrrës më të bukur, por po aq të ndalueme. Erdhi në krye të Parlamentit në vitin 2005 për meritë të një angazhimi serioz e pa kompromis si nënkryetare e Partisë Demokratike gjatë një opozite të vështirë, për të cilën nuk kurseu asgjë, madje shpesh duke u lënë bashkëshortit dhe familjes përkujdesjen e fëmijëve ende të vegjël. Por edhe ajo opozitë 8-vjeçare nuk e kurseu atë deri në përballjet më sfiduese, edhe me rrezik jete. Krahas me drejtimin jo fort të lehtë të një institucioni me dominancë të deputetëve burra dhe kalimin e ligjeve të domosdoshme për reformat, Jozefina kuptoi se në atë post dhe me intuitën dhe këmbënguljen e saj kishte në dorë të bënte shumë për Shqipërinë. Në rrugën e reformave të vështira Shqipëria kishte nevojë për miq, mbështetës, simpatizantë që ta besonin ta ndihmonin e të lobonin për të. Diplomacia parlamentare rezultoi një instrument i vyer në duart e kryetares së Kuvendit. Ishte diplomacia e marrëdhënieve të hapura, mirëkuptimit dhe të pakushtëzuara, mbi të cilën ajo ndërtoi lidhje miqësore, fitoi simpati dhe admirim për një politikane të paepur që shfrytëzon çdo rast të hapë rrugë komunikimi me qendrat vendimmarrëse evropiane, nuk heziton për asnjë çast të kërkojë te ata që u kishte fituar zemrën mbështetje dhe lobim për integrim të Shqipërisë e nuk shmangu asnjëherë nga axhenda e saj çështjen e pavarësisë e më tej njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pati kundërshtarë politikë miopë që ia përfolën vizitat zyrtare si udhëtime qejfi, por kjo nuk ia prishi kënaqësinë, sepse në vendet pritëse e prisnin lajme të rezervuara enkas për të. Vetëm një ditë para vizitës së saj zyrtare në Paris, në nder të saj, Parlamenti francez ratifikoi MSA-në e Shqipërisë me BE-në; gjatë vizitës së saj në Londër asaj iu njoftua data e ratifikimit të Protokollit të NATO-s; vetëm një javë pas takimit në Strasburg me homologun qipriot, ky i fundit i njofton me telefon se Parlamenti i Qipros kishte ratifikuar MSA-në për Shqipërinë. Kryeparlamentari i Jordanisë e njofton direkt dhe të parën për vendimin e njohjes së Kosovës. Në fakt, ratifikimet e protokolleve të NATO-s nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të BE-së realizuar në një kohë rekord dhe pavarësisht procedurave parlamentare shpesh të ndërlikuara e të ndryshme nga njëri vend te tjetri, përbëjnë një model të çelësit të artë që ofron diplomacia parlamentare. Në këto përpjekje të saj, Jozefina veçon homologen hungareze dhe mikeshën e saj, Katlin Sizli, të cilës i është shumë mirënjohëse. Jashtë çdo procedure dhe në një moment kur Parlamenti hungarez ishte angazhuar me pritjen e Presidentit Barroso, Sizli në hapje të sesionit parlamentar shtator 2008 kaloi ratifikimin e Protokollit të NATO-s për Shqipërinë, duke shënuar një ogur të bardhë për ritmin me të cilin do të mbyllej ky proces jetik për Shqipërinë, prill 2009. Gjatë këtij mandati parësore në axhendën e diplomacisë parlamentare është mbështetja për heqjen e vizave, e bindur se lëvizja e lirë është epilogu i çdo lloj integrimi dhe shqiptarët kanë punuar fort për këtë. Ndërkohë, lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet ngulitshëm në bisedat me homologët e saj, si një e drejtë e kahershme që i ka ardhur ora të vihet në vend të vet. Është e qartë në atë që beson, kërkon dhe lufton.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›