Jeta tragjike e poetes amerikane

Në prill të vitit 1959, në një bar të Bostonit, dy poeteshat, 26-vjeçarja Sylvia Plath dhe 30-vjeçarja Anne Sexton pinë koktej dhe flasin me lehtësi për sallonin ku kanë provuar të vetëvriten. Ishin takuar në një seminar për krijuesit e rinj.
Anne dhe Sylvia ndanin bashkë eksperiencat e tyre, për të mposhtur depresionin, tentativat e vetëvrasjes dhe qëndrimet personale ndaj artit. Anne Sexton lindi më 1928, në një familje të pasur afër Masachusets. Fëmijëria e vështirë la gjurmë të thella në jetën e saj. I ati ishte i alkoolizuar, ndërsa frymëzimet letrare të së ëmës ishin shuar nga familja. Anne nuk gjendej rehat në mjedisin e saj familjar, ndaj zgjodhi të largohej për të jetuar te një e afërt e familjes. Nuk i pëlqente shkolla. Provoi të frekuentonte disa dhe bëhej gjithnjë problematike.
U regjistrua në “Garland School”, një shkollë profesionale, ku më shumë se çdo gjë, femrave u mësohej si të bëheshin bashkëshorte dhe nëna perfekte. Anne duroi vetëm një vit në këtë shkollë dhe më 1947 u arratis së bashku me Alfred Muller Sexton, me të cilin u martua. U transferua në Boston ku punoi si modele për një periudhë të shkurtër. Pas lindjes së vajzës iu shfaqën edhe shenjat e para të sëmundjes mendore. U regjistrua në laboratorin e poezisë në Boston, nën kujdesin e John Holmes. Anne nisi të shkruante në vargje për t’u shkarkuar nga ndjesitë e saj.
Ndryshe nga mikesha e saj, Sylvia Path, që ishte e ndrojtur, Anne bëri një jetë të shfrenuar e nuk vuajti kurrë nga ana ekonomike. Anne, një femër gjithnjë elegante pati shumë të dashur. Mes tyre kishte poetë, psikiatri i saj, një berber jugosllav që e njohu në Romë etj. U njoh si poetja që shkroi për tema të konsideruara tabu deri më atëherë si aborti, ndërsa në rreshta hidhte gjithçka nga jeta.
Mjafton të përmendësh tituj si “Aborti”, “Menstruacionet në moshën 40-vjeçare”, “Dashnorit tim që u kthye tek e shoqja” etj., për ta kuptuar këtë gjë. Por kishte edhe probleme të rënda. Nuk ishte vetëm viktimë e depresionit si Plath, por vuante nga turbullime psikike, binte në gjendje ekstreme për orë të tëra, pinte shumë, merrte ilaçe për depresionin dhe sillej si e çmendur. Një grua dhe një nënë jashtë kornizave normale, Anne, për çdo libër të saj kishte nevojë për një situatë të fortë sentimentale, prandaj përfundonte shpesh në krahët e të dashurve.
Kështu lind libri “Të gjithë të dashurit e mi” (1962). Poezitë e saj nisin të kenë sukses. Tematika e tyre lidhet gjithnjë e më shumë me situatën analitike të vetes së saj. “Nëse do të kisha bërë të gjitha gjërat që rrëfej, nuk do të kisha kohë të shkruaja poezi”, thotë ajo duke pranuar natyrën biografike dhe rrëfimtare të poezive të saj. Suksesi i saj bëhet i dukshëm, shfaqjet e saj publike i paguhen shumë, lë gjithnjë të presë një turmë njerëzish e ndodhte që papritur të hiqte këpucën, ta flakte mes njerëzve e niste të recitonte poezi me ton seksual. Falë këtij suksesi, në vitin 1966 fiton çmimin “Pulitzer” me përmbledhjen e tretë, titulluar “Jeto ose vdis”, e shkruar në një kohë kur e kishte lëshuar veten dhe kurohej.
Ndryshe nga mikesha e saj Sylvia Plath, e cila u bë e famshme pas vdekjes së saj, Anne Sexton e përjetoi suksesin e poezive. U kthye në një poete të suksesshme për muzikën pop. Në vitin 1968 formon një grup rroku që u quajt “Anne Sexton and Her Kind”. Gjendja e saj mendore sa vinte e përkeqësohej. Prej vitit 1972 e në vazhdim, Anne ra në një gjendje të pasigurisë ekstreme. Beteja mes dëshirës për të jetuar dhe vdekur ishte shumë e fortë. Në veprat e fundit shihej një qasje e saj ndaj propagandimeve fetare. “Libri i çmendurisë” (1972), “Shënimet e vdekjes” (‘74), “Drejt Zotit të Madh”, shkruar para se të vdiste, e dëshmojnë këtë.
Edhe poezitë në vazhdim ishin dëshmi të një gjendjeje kaotike dhe të dëshpëruar në kërkim të një pike referimi mbi njerëzore. “U përpoqa pafund të bëja një jetë tradicionale, por është e pamundur të ndërtohen pallate të vegjël të bardhë, që të mbajnë larg makthet. Sipërfaqja u thye kur isha rreth 28 vjeçe. Pësova një sulm paniku dhe tentova të vetëvritesha”, ka treguar ajo. Mikesha e saj, poetja Sylvia Plath, kishte arritur të përmbushte vetëvrasjen. Hapi gazin e sobës së gatimit dhe u asfiksua.
Këtyre momenteve Anne Sexton u kushton disa vargje titulluar “Vdekja e Sylvia”. “Si munde të rrëshqisje e vetme në vdekjen \ që e dëshirova aq shumë e aq gjatë,\vdekja që të dyja thoshim se e kishim kaluar,\...vdekja për të cilën flisnin shumë, në Boston,\ndërsa kthenim tre martini me fund.\ Kur vendosi të vetëvritej me të vërtetë, e bëri sepse e kuptoi që s’do të ishte kurrë e kënaqur me veten, se ishte e gatshme të shkonte përgjithnjë. Pas shumë tentativash vetëvrasjesh, më 4 tetor 1974, viti i divorcit të saj, Anne Sexton zbret në garazh dhe pasi ndez motorin e makinës, vdes nga rrjedhja e monoksidit të karbonit.