Tërhiqet Agim Vinca
Lajmin e ka bërë të ditur vet Vinca, përmes një deklarate, në të cilën ai përshkruan arsyet e kësaj tërheqjeje. Arsyetimi i tij është se juria që e jep këtë çmim është e përbërë nga njerëz që vijnë nga një parti politike si dhe nga individë profesionalisht jokompetent.
“Të shtunën, më 22 janar, nëpërmjet shtypit, u informova për përbërjen e jurisë që pritet të marrë vendim për dhënien e Çmimit ‘Azem Shkreli’ për vepër jetësore dhe për veprën më të mirë letrare të botuar gjatë vitit 2010 nga fusha e poezisë, e prozës, e studimit të letërsisë dhe e përkthimit letrar, çmim ky, për të cilin, ndër të tjerë, është propozuar edhe libri im ‘(Po)etika e fjalës’”, shkruan ai në këtë komunikatë.
Tutje ai ka sqaruar se si në juri janë zgjedhur njerëz që i takojnë një krahu politik, në mesin e të cilëve, sipas Vincës, ka militantë fanatikë partiakë.
“Meqenëse në këtë juri janë zgjedhur, si me qiri, njerëz që i takojnë një krahu politik, në të vërtetë një partie politike, në mesin e të cilëve edhe anëtarë kryesie dhe militantë fanatikë partiakë, si dhe individë profesionalisht jokompetentë, me një a dy përjashtime, deklaroj se si autor i njërit nga librat e propozuar heq dorë publikisht nga ‘gara’ për çmimin në fjalë,” ka theksuar Vinca.
Me këtë rast, ai ka shfrytëzuar rastin për ta falënderuar Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë që e ka propozuar librin e tij për këtë çmim prestigjioz, në mbledhjen e saj të datës 22 dhjetor 2010, në të cilën ai vetë thotë se as që ka qenë i pranishëm.