Jezusi i Wikipedias

Në ora 13:12, më 3 mars të vitit 2001, Jimmy Wales e krijoi një faqe për Jezusin në websajtin tremuajsh të quajtur Wikipedia. "Jezus Krishti është një figurë qendrore në krishterim”, ka shkruar ai. Bashkëthemeluesi i websajtit ua bën një kërkesë redaktorëve të gjeneratës së parë: “Kam frikë se ky shënim i enciklopedisë nuk është i shkruar mirë dhe kështu mendoj se duhet të thellohemi dhe ta pastrojmë shpejtë”. Katër muaj më vonë, një përdorues i quajtur ‘Hiram’ iu përgjigj thirrjes, duke e ndryshuar ‘një figurë qendrore’ në ‘figura qendrore’ dhe duke shkruar një përmbledhje prej katër paragrafësh të tregimit biblik të Jezusit. “Kam shtuar disa detaje. E di që nuk mjaftojnë”, ka shkruar ai të komentet e redaktimit të tij.
Wikipedia i ka mbushur 10 vjet javën e kaluar dhe ndoshta asnjë shënim nuk e përshkruan më mirë epërsinë kaotike sesa ai për Jezus Krishtin. Ajo që pason është histori e shkurtër e Jezusit të Wikipedias, testi i tij, gjykimet dhe bota kaotike në të cilën ai është lindur.
Jezusi ka pasur një adoleshencë të qetë, sipas redaktorëve të mirësjellshëm. Përdoruesit e kanë mbushur me sentenca dhe paragrafë, duke u zgjeruar në referenca dhe duke shtuar një numër më të gjerë të shënimeve mbi rolin e tij në religjionet hebreje. Për një kohë të shkurtër Ai ishte promovuar në ‘figurën më qendrore në krishterim”, por ishte kthyer në qendër të dukshme në redaktimin e radhës. ‘Hebrenjtë për Jezusin’ kanë bërë një paraqitje të shkurtër në faqen e tij në gusht të vitit 2002, por ishin larguar me një sqarim të sjellshëm për arsyen.
Jezusi i Wikipedias ishte vandalizuar për herë të parë më 6 nëntor të vitit 2002, kur një përdorues anonim e kishte zëvendësuar tërë faqen me frazën e përsëritur “bla bla është krejt çka dëgjoj”. Jezusi ka jetuar pesë minuta në një gjendje të tillë para se ta shpëtonte një përdorues tjetër. Në vitin e ri ai u bë me fotografi. Ishte larguar tri ditë më vonë. Në ditëlindjen e tij të dytë, ai kishte një shënim me katër kapituj që mbulonte mësimet e tij, rolin që ka pasur në besimet dhe religjionet tjera, si dhe gjurmës historike. Nga kjo pikë, ai po bashkonte dishepuj, me një numër të vogël të Wikipedianëve që dilnin në shesh si shënues parësor të mësimeve dhe trashëgimisë së Jezusit. (Disa i kanë bërë redaktime faqes gjashtë apo shtatë herë në ditë.) Më 1 shkurt të vitit 2004, ai u takua me një robot, një lloj i ri i Wikipedianit i cili i rregullon faqet në mënyrë automatike, sikurse Roomba. Ai e festoi redaktimin e njëmijtë rreth ditëlindjes së tij të tretë, i pavetëdijshëm se re të stuhishme po mblidheshin në horizont.
Derisa rritej profili i Wikipedias, Jezusi tërhiqte më shumë vëmendje të padëshiruar. Në vitin 2004, dikush i quajtur Lord Cornholio e kishte shlyer faqen dhe e kishte lidhur me websajtin, tani jofunksional, të quajtur ‘tubgirl’. Madje edhe kur faqja ishte e sigurt nga vandalët, lexohej me admirim më të paktë. “Jezus Krishti... është figurë kontroverse për të cilin ka shumë pikëvështrime”, thuhej në fjalinë e parë të shënimit në prill të vitit 2004.
Shumë redaktime janë hedhur poshtë nga mbrojtësit besnikë të Jezusit sepse ato nuk kanë qenë ‘PVN’ (term i Wikipedias për pikëvështrim neutral). Ka pasur një seri të gjatë poshtë e lartë rreth seksualitetit të tij. Në nëntor të vitit 2004, ai shkurtimisht ishte akuzuar për ofrim të këshillave politike për rishtas të rizgjedhurin George W. Bush por menjëherë ishte shfajësuar.
Vandalët vetëm sa bëheshin më të këqij. Më 19 janar të vitit 2005, Jezusi i Wikipedias mori një element të sigurisë; përdoruesve të paregjistruar tani nuk u lejohej ta redaktonin këtë faqe. Sapo mbrojtja u shpërnda, vandalët u kthyen. Ndjekësit e tij filluan të zhvillojnë një shpërndarje të punës: Disa ishin roje, të tjerët gramatikanë dhe disa të tjerë monitoronin të gjithë kontribuuesit legjitimë me një sy të kujdesshëm. Ose për shkak apo pavarësisht nga përpjekjet e tyre, faqja u shënjua me një mospranim: “Neutraliteti i këtij artikulli është i diskutueshëm”. Ka pasur një diskutim të tendosur mbi përdorimin e ‘A.D.’ kundër ‘C.E.’ për datat.
Nga kjo pikë, Wikipedia është rritur deri në atë masë saqë nevojitej një mbiemër për Jezusin, për ta dalluar atë nga njerëzit tjerë me emrin Jezus. Në verë të vitit 2006, elementi i tij i sigurisë u kthye për të mirë. Kjo siguroi një shkallë të stabilitetit dhe pas disa muajve Jezusi i Wikipedia-s papritmas është njëri i rritur. Faqja e tij është 16 mijë fjalë e gjatë. Shumica e redaktimeve kanë përmirësuar pikat minore; bibliografia është pjesa e faqes që është rritur më shpejt, derisa është shtuar shumë e më shumë dokumentim.
Mbretëria e Wales-it është rritur paimagjinueshëm që kur e ka krijuar Jezusin e Wikipedias. Më shumë se 2.5 milionë shënime janë shkruar që nga 3 marsi i vitit 2001 dhe shumica e redaktimeve për Jezusin janë thjesht lidhje për të gjitha këto faqe të reja. Në vitin 2006 afër 7 mijë redaktime janë bërë në profilin e Jezusit. Në vitin 2009 mëzi janë bërë një mijë. Përdoruesit do të vazhdojnë të përmirësojnë profilin e tij, por puna e tyre duket që është kryer. Ndërkohë, qarku i vandalëve është në pritje të momentit kur do të bie kjo mbrojtje.
Slate.com
Përktheu: A. Beka