E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetë e çmuar

Sapo kam parë një dokumentar të ri të regjisorit Shlomi Eldar, reporter i Gazës për kanalin televiziv izraelit të lajmeve, “Channel 10”. I titulluar “Jeta e çmuar”, filmi ndjek rrëfimin e Mohammad Abu Mustafas, një foshnje katërmuajshe palestineze,  e cili vuan nga një mungesë e madhe imuniteti. I prekur nga plogështia e djaloshit, Eldar ndihmon beben dhe nënën e tij të shkojnë nga Gaza në spitalin izraelit Tel Hashomer për kurimin dhe shpëtimin e jetës së djalit që ka telashe të mëdha me eshtra. Operimi i palestinezit kushton 55 mijë dollarë amerikanë. Eldar vendos ta sensibilizojë botën nëpërmjet televizionit për fatin e katërmuajshit. Menjëherë paraqitet një pasanik hebraik izraelit, i cili vendos ta dhurojë donacionin i shtyrë nga vdekja e djalit të tij gjatë shërbimit ushtarak në një ofensivë kundër militantëve palestinezë.
Dokumentari merr një kthesë dramatike, kur nëna e palestinezit të sëmurë, Raida, për të cilën flitej zi e terr pse po kuronte djalin e saj në Izrael, thotë se shpreson që djali i saj kur të rritet do të bëhet një sulmues vetëvrasës për të rikthyer Jerusalemin në duar të palestinezëve. Radia i thotë Eldarit: “Që nga foshnja më e vogël, madje edhe më e vogël se Mohammedi, e deri tek plaku më i vjetër, do të sakrifikojmë gjithçka nga vetja për hir të Jerusalemit. Mendojmë se neve na takon. Keni të drejtë të inatoseni, andaj inatosuni”.
Eldari demoralizohet nga fjalët e saj dhe ndalon xhirimin e filmit. Por ky nuk është një film i propagandës izraelite. Drama e shpëtimit të djalit palestinez në një spital izraelit është vënë përbri hakmarrjeve për bombardimin e Gazës, që kishte marrë jetën e familjeve të tëra palestineze. Dr. Raz Somech, që trajton Mohammadin sikur të ishte i biri i tij, është detyruar të niset drejt Gazës për të kryer misionin e tij në Gazë. Gara për të shpëtuar një jetë nga të dyja anët është mbuluar nga belaja e madhe ndërmjet të dy palëve.
“është e qartë për mua se lufta në Gazë ishte arsyetuar – asnjë vend nuk do të lejonte që të goditej me raketa – por nuk shoh shumë njerëz që u dhimbet shumë jeta e palestinezëve të vrarë”, i ka deklaruar Eldar gazetës izraelite, “Haretz”. “Për shkak të zemërimit që kishim kundër ‘Hamasit’, të gjithë izraelitët mendonim se duhej ndjekur nga Gaza. Dhe nuk ndodhi deri në incidentin e dr. Abu al-Aish – fizikanin e Gazës me të cilin kam folur drejtpërdrejt në televizion pas goditjes së shtëpisë së tij me raketa që lanë të vdekura vajzat e tij dhe kur ai ishte zhytur në pikëllim – kur unë kuptova se shumica e izraelitëve të heshtur ndjenin dhimbje për njerëzit, përfshirë edhe për palestinezët. Kuptova se shumë izraelitë bashkëndjenin me mua”. Pra, Eldar mbaroi filmin e tij dokumentar se si ishte shpëtuar jeta e Mohammadit në Izrael.
Belaja që prezanton filmi është ajo që unë e njoh në Lindje të Mesme – një prej atyre që është e mishëruar me urrejtje të thellë ndërmjet armiqve, dhe madje një që mezi i lejon të marrin frymë, megjithëse janë fqinjë.
Po shkruaj tani për këtë, sepse diçka nuk po fluturon mirë në qiell. Ka një trend, herë të drejtë e herë të padrejtë për të delegjitimuar Izraelin – për ta kthyer në një shtet të degraduar, sidomos pas luftës së Gazës. Ju dëgjoni regjisorin Oliver Stone duke thënë gjëra të çmendura sesi Hitleri ka vrarë më shumë rusë sesa hebrenj, por hebrenjtë dominojnë vëmendjen botërore meqë kontrollojnë mediat e lobet amerikane. Ju dëgjoni kryeministrin britanik duke përshkruar Gazën si një “kamp burg” të madh të Izraelit dhe kryeministrin turk duke i thënë presidentit izraelit “kur vjen puna te vrasjet, ju dini shumë si të vritet”. Shihni këngëtarë duke anuluar planet për koncerte në Tel-Aviv. Nëse do të ishit nga Marsi, do t’ju krijohej përshtypja se Izraeli është i vetmi vend që ka vrarë civilë gjatë luftës – kurrë “Hamasi”, as “Hezbollahu”, as Turqia, as Irani, Siria, as Amerika.
Nuk jam këtu për të mbrojtur sjelljen e keqe të Izraelit. Gjithnjë kam thënë se kolonizimet izraelite në Bregun Perëndimor janë vetëvrasëse për demokracinë hebraike. Nuk mendoj se miqtë e Izraelit ia arrijnë ta thonë këtë shpeshherë dhe me zë të lartë.
Ka dy lloje kriticizmi. Kriticizmi konstruktiv fillon duke e bërë të qartë: “E di në çfarë bote jeni duke jetuar”. E di që Lindja e Mesme është një vend ku sunitët masakrojnë shiitët në Irak, Irani vret votuesit e vet, Siria akuzohet se ka vrarë kryeministrin e fqinjit kryesor, Turqia lufton kurdët, dhe “Hamasi” angazhohet në bombardime kundër Izraelit dhe refuzon të njohë ekzistencën e tij. Të gjitha këto i di. Por sjellja e Izraelit, kohë pas kohe, vetëm sa i përkeqëson gjërat – për palestinezët dhe për izraelitët. Nëse jua mbushnin mendjen izraelitëve se kuptoni botën në të cilën jetojnë, e pastaj filloni t’i kritikoni, atëherë do t’ju dëgjojnë.
Kriticizmi destruktiv shurdhon veshët izraelitë. U thotë izraelitëve: Nuk ka kontekst që mund të shpjegojë sjelljen tuaj, dhe gabimet e tua janë gabime të hatashme që ata i hijezojnë edhe të mirat që ua thoni. Kritikët destruktivë e cilësojnë Gazën si një burg izraelit, pa përmendur se ishte “Hamasi” – pasi Izraeli në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga Gaza – të kthehej më parë në Dubai sesa në Teheran. Izraeli do të sillej po ashtu ndryshe. Kriticizmi destruktiv vetëm sa u jep krahë elementëve destruktivë izraelitë se çfarëdo që bën Izraeli, s’ka rëndësi, prandaj pse të ndryshohet?
Pse secili prej nesh të mos marrim pak frymë thellë, të hamë nga një qese me kokoshka dhe ta shikojmë “Jetën e çmuar”, që tregon Lindjen e Mesme reale, dhe nëse do të doni të mbesni kritik (si unë), bëhuni konstruktiv. Shumë më shumë izraelitë dhe palestinezë do të kenë durim t’ju dëgjojnë.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “The New York Times”. “Koha Ditore” ka të drejtën ekskluzive të botimit të komenteve të së përditshmes njujorkeze)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›