E Diel, 1 Nëntor 2026

AAK: Dukuritë negative, nga niveli qendror zbresin në atë lokal

Prishtinë, 9 gusht - Kryetari i Degës së AAK-së në Klinë, Enver Berisha, dhe deputetja e AAK-së në Kuvendin e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, kanë prezantuar të hënën në një konferencë për media në Prishtinë, si thanë ata, defektet dhe dështimet e deritashme të pushtetit lokal në Klinë, të cilat ata i ndërlidhën me “bartjen në nivel lokal nga Qeveria Thaçi”.

Zyra për informim e AAK-së ka bërë të ditur se Donika Kadaj-Bujupi fillimisht ka theksuar spektakularitetin e deklarimeve të EULEX-it dhe mungesën e veprimeve konkrete të tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

“Fenomeni i korrupsionit vazhdon të gllabërojë përditë buxhetin e Kosovës, të dëmtojë ekonominë e vendit dhe të pamundësojë investimet e huaja në Kosovë, e si pasojë e kësaj qytetari i Kosovës po varfërohet përditë”, transmeton Kosovalive fjalët e deputetes Kadaj-Bujupi.

“Sistemi korruptim i Qeverisë Thaçi, i instaluar në Kosovë, është përcjellë përmes grupeve të caktuara edhe nëpër komunat e Kosovës, ndër të cilat më së shumti vërehet në Komunën e Klinës, ku pas abuzimit me votën e qytetarëve, pastaj është instaluar edhe sistemi i korrupsionit dhe i vjedhjes së djersës së tyre, nga kjo qeveri, edhe sot vazhdon të abuzohet me taksat e tyre”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Enver Berisha, ndërkaq, ka potencuar dështimet dhe zhvillimet tjera negative në pushtetin lokal në Klinë, me theks të veçantë mungesën e vazhdueshme të ujit të pijes, ndërkohë që, siç ka thënë ai, Klina vazhdon të flejë mbi ujë, e rrethuar me pesë-gjashtë lumenj.

Ai ka përmendur si dukuri negative edhe blerjen e veturës prej 70 mijë eurosh nga kryetari i Klinës, Sokol Bashota, duke e cilësuar këtë si komoditet të tepruar të pushtetarëve në kurriz të varfërimit të vazhdueshëm të qytetarëve të Klinës.

Berisha ka potencuar edhe dukurinë tjetër negative në Klinë, si për shembull mosinvestimin e Komunës në objektin e Pallatit të Rinisë.

“AAK ka konstatuar edhe një herë se politikat abuzuese, korruptive, krimi i organizuar dhe lidhjet e shkurtra të mafiozitetit në administratën e vendit, nga niveli qendror qeverisës, fatkeqësisht, po barten me besnikëri edhe në nivelin lokal”, tha Enver Berisha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›