E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetimi ne rruge 23-vjecari deshmon per diskriminimin

Është 23 vjeç dhe prej dhjetë vitesh, ai zyrtarisht ka statusin e jetimit, por në fakt, fati i tij i keq e ka përplasur në dyert e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” që në moshën 8-vjeçare. Edmond Tusha që prej 5 vitesh jeton në ambientet e konviktit të shkollës së mesme teknologjike. Krahas problemeve që ai has çdo ditë, tashmë i duhet të përballet dhe me atë të strehimit.

Kushtet në dhomën ku ai jeton po e bëjnë jetën gjithnjë e më të vështirë. Tashmë, në këtë dhomë ai duhet të përballet edhe me mungesën e energjisë dhe të ujit të pijshëm. Ai është drejtuar prej kohësh në zyrat e bashkisë për një strehëz si një i rritur jetim, ndërkohë që ende nuk ka marrë një zgjidhje.

Edmond Tusha: “Jam 23 vjeç. Banoj në Shkollën Hoteleri-Turizëm. Kam mbaruar shkollën e mesme “Karl Gega”, profesionalen dhe unë kam gati 5 vjet që jetoj në këtë konvikt. Kam gati dy javë që jam pa drita dhe pa ujë”.

Edlira Sulejmani: “Përveç kësaj, ke frikë mos të largojnë nga ambienti ku ti strehohesh prej 5 vitesh?”

Edmond Tusha: “Edhe ajo është”.

Edlira Sulejmani: “Meqënëse ke statusin e jetimit ke të drejtë të aplikosh për strehim. Ke aplikuar për strehim në zyrat e bashkisë?”

Edmond Tusha: “Po kam aplikuar dhe emri s’më ka dalë akoma. Po të kisha të ardhura nuk rrija këtu, por shkoja merrja një shtëpi me qira dhe jetoja si gjithë të tjerët, por ky është vendi që unë mund të përballoj”.

Historia e Edmondit është e ngjashme me shumë histori të fëmijëve jetimë në vendin tonë, të cilët pas moshës 18 vjeç duhet të përballen me problemin kryesor, atë të strehimit. Disa arrijnë të gjejnë një zgjidhje, qoftë në këto konvikte, ndërkohë që shumë të tjerë duhet të përballen  me realitetin në rrugë, duke u ndjerë edhe më shumë të vetmuar, nga ata që ligjërisht duhet të ofrojnë përkujdesje.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›