E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e klonuara ja si grabisnin me gruan police

Vetëm një ditë pas arrestimit të 3 personave mes tyre dhe një punonjëse policie e kryeqytetit, hetimet vazhdojnë ende. Operacioni “Skimmer 3”, pasardhës i “Skimmer 2”, ku u grabitën 150 mijë euro, është pikasur fillimisht nga vetë bankat e nivelit të dytë në vendin tonë. Nga detajet e hetimit ka dalë se pas tentativës për kryerjen e një transaksioni të një shume të konsiderueshme eurosh, banka kishte arritur të bllokonte kartën e kreditit.

Kjo është përforcuar më tej, me dëshmitë e punonjësve të bankës, të cilët kanë thënë para njësisë task-forcë se karta ka qenë me mbishkrime çirilike, çka fillimisht ka ngjallur dyshime, ndërsa më pas është kryer denoncimi në policinë e kryeqytetit, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë nisur hetimet për rastin në fjalë. Nga të dhënat e fundit të hetimeve, për rreth gjashtë muaj, Bedri Muda ka përdorur disa herë karta të klonuara, ndërsa ai është fiksuar dhe nga kamerat e sigurisë së bankës.

Por ndryshe nga përdorimi në masë i bankomateve dhe abuzimi me to, punonjësja e policisë, vëllai dhe bashkëshorti i saj kishin filluar të aplikonin dhe transaksionet bankare nëpërmjet depozitave. Fillimisht, për njësinë task-forcë ka qenë mjaft i vështirë implikimi i tyre, por mësohet se të arrestuarit kanë rënë në grackën e parave të vjedhura kur blerjet e tyre nëpërmjet bankomatave kapin shumën e 30 mijë eurove. Sipas hetimeve të policisë, kartat e klonuara vinin nga Britania e Madhe, por hetimi mund të shkojë edhe më tej drejt Rusisë, vend ky i njohur për piratët kompjuterikë të cilët janë dhe furnitorët kryesorë të këtyre kartave.

Deri tani, policia në bashkëpunim me prokurorinë e Tiranës, ende vazhdon punën për identifikimin e kësaj forme të re krimi, ndërsa skema ka lidhje dhe me operacionin “Matrix” të disa viteve më parë, ku u prangosën 17 të rinj të cilët nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit, arritën të merrnin një shumë prej 200 mijë eurosh në qytetet kryesore të vendit. Nga dëshmitë e tyre në prokurori, ata ishin lidhur me hakersat rusë të cilët mund të gjenin kode dhe numra llogarie nga persona që kryenin blerje nëpërmjet internetit. Këto numra dhe kode i nxirrnin në internet dhe nëpërmjet një pagese çdo person mund të bëhej posedues i tyre.

Jul Kasapi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›