E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jetmiri përçan Domenikën dhe Seldin

Seldi është bërë xheloz për afrimitetin e Domenikës me Jetmirin, gjë të cilën e kanë diskutuar edhe më parë. Një debat i fortë ka lindur mes të dyve, pasi Domenika është shqetësuar që Seldi është afruar me Mirin, kur deri para ca ditësh nuk i fliste fare. Ajo ka aluduar se Seldi i ka nxitur për lojë ndaj Mirit

Debate të ashpra janë bërë brenda shtëpisë së “Big Brother”. Tensionet kanë çuar në ngritjen e zërit, por edhe në ofendime mes banorëve. Ndërkohë që e kanë diskutuar disa herë, Seldi dhe Domenika kanë bërë një debat të fortë për marrëdhënien e saj me Jetmirin. Nga ana tjetër, Manal ka debatuar me Mandin, sepse ajo nuk ka ulur zërin, ndërsa në sfond po jepej një këngë që ai e pëlqente. Por veç këtyre zënkave, banorët kanë bërë edhe lojëra me njëri-tjetrin, madje edhe ndonjë rreng.

Mandi: “Nuk duhet të gëzoheshit për largimin e Oltës”

Një pjesë e madhe e banorëve qëndrojnë në sallon dhe Jona tregon se ka shkruar një poezi, duke kujtuar se ka disa poetë që frymëzohen nga fatkeqësitë për të shkruar. Duke marrë shkas nga kjo bisedë, Mandi ka thënë se edhe në shtëpi banorët janë gëzuar në momente delikate, siç ka ndodhur me reagimet pas eliminimit të Oltës. Ai shprehet se është i justifikueshëm gëzimi i Manal, por nuk e ka kuptuar pse të tjerët duhet të lumturoheshin aq shumë. Domi ndërhyn në bisedë duke thënë se ajo nuk ka reaguar edhe kur nga shtëpia është larguar ndonjë banor për të cilin nuk ka pasur simpati. Domi thotë se Olta nuk i kishte bërë askujt asgjë të keqe që të gëzoheshin aq shumë dhe Erioni shprehet se ata kanë reaguar pasi ashtu e kanë ndier. Jona pyet se si ka qenë situata dhe ata ia tregojnë që ka pasur ovacione të mëdha në momentet që duhej të largohej Olta. Jona shprehet se ndoshta kanë qenë për faktin se ka qëndruar Manali, dhe jo për anën tjetër të medaljes, por Domi thotë se Manal ka vetëm dy javë atje, ndërkohë që Olta kishte shumë më tepër.

Klodi u mëson balet banorëve

Erioni, Klodi, Manal dhe Jona kanë menduar që të organizojnë një orë mësimi sikur janë në një shkollë artistike. Erioni, Jona dhe Manal vishen si balerinë, ndërsa Klodi do të jetë mësuesja e tyre, pasi ai është veshur si femër. “Nxënësit” bëjnë ushtrime duke u mbështetur te tavolina, ndërsa Klodi tregohet i rreptë duke i vënë në dukje defektet dhe duke i detyruar të kërcejnë më mirë. Domi ndërkohë ka qenë duke i mësuar Mandit një pjesë në piano, por me kërkesë të Klodit, ajo shoqëron klasën e baletit me muzikë. Më pas Klodi mendon një koreografi dhe zgjedh si protagonistë Tatianën me Erionin, ndërsa Manal dhe Jona do të jenë shoqëruese. “Maestroja” zgjedh të kërcejnë “Liqenin e Mjellmave” dhe Domi i shoqëron në piano.

Seldi: “Tatiana, je e ftohtë”

Jetmiri, Tatiana, Seldi dhe Kika qëndrojnë në kopsht. Ata kujtojnë momentet para se të futeshin në shtëpinë e BB dhe tregojnë se kanë pasur shumë kuriozitet se si do të ishte të qëndroje në një ambient të mbikëqyrur totalisht nga kamerat. Tatiana tregon se ajo nuk ka vënë gjumë në sy nga emocionet një natë para se të hynte në BB dhe mendonte se do të kishte vështirësi në komunikim me banorët nga gjuha. Jetmiri e pyet se si është gjendur kur është futur brenda në shtëpi dhe ajo tregon se ka pasur mbështetjen e Edit, pasi ai e ndihmonte të kuptohej me banorët. Nisur nga kjo, Seldi e pyet nëse e ka marrë malli për Edin dhe ajo përgjigjet se i mungojnë veprimet e tij, por për të personalisht nuk e ka marrë malli. Seldi shprehet se është çuditur nga përgjigjja e saj që nuk i mungon Edi, ndërsa Tatiana i përgjigjet se brenda shtëpisë po përballon edhe mungesën e njerëzve të saj, kështu që për të tjerët është më e lehtë. Seldi e cilëson se ajo është e ftohtë në sjellje, por Kika nuk e mbështet këtë mendim, pasi shton se Tatiana nuk është hipokrite. Tatiana shprehet se Kika i sheh ndryshe situatat krahasuar me Seldin, pasi kanë mosha të ndryshme dhe Seldi përgjigjet se ajo nuk duhet të bëjë diferencime të tilla.

Seldi, xheloz për Jetmirin

Ditët e fundit, Seldi dhe Domenika kanë pasur disa zënka e debate mes tyre. Një ndër motivet e këtyre zënkave ka qenë Jetmiri, pasi Seldi bëhej xheloz teksa ai bisedonte gjatë me Domenikën. Së fundmi është Domenika ajo që nuk po e pëlqen faktin që Miri dhe Seldi kanë filluar të kenë afrimitet, kur disa ditë më parë nuk i flisnin fare njëri-tjetrit. Këtë gjë ajo ia thotë Seldit dhe më pas i kthen kurrizin. Seldi i kërkon që të kthehet, por Domenika fillimisht refuzon dhe i përgjigjet se ai nuk zë mend asnjëherë. Domenika kthehet dhe të dy bëjnë thashetheme për marrëdhënien e tyre me Jetmirin. Seldi i thotë se edhe nëse ai ka mbajtur qëndrim ndaj Jetmirit ka qenë në të shumtën e rasteve për Domenikën. Vajza e kundërshton duke i thënë se ai ndaj Jetmirit ka mbajtur qëndrim për interesat e veta, sepse Jetmiri e ka ofenduar dhe madje edhe kërcënuar disa herë. Domenika i thotë se i duket e çuditshme që Seldi që ka qenë i pari që ka kundërshtuar dhe ka sharë Jetmirin, kurse tani e mbështet në lojërat që ky i fundit bën. Seldi e kundërshton dhe Domi i thotë se ai bëhet xheloz për Mirin. Seldi e mohon këtë gjë, por Domenika i kthen kurrizin.

Seldi dhe Domenika, debat për Jetmirin

Ndonëse Domenika i thotë Seldit të mos flasin më, ai i tërheq jorganin duke e acaruar tej mase atë. Ajo i thotë që të mos bëjë të fortin me të, por Seldi i thotë se të fortin ajo e bën me Mirin. Përgjigjja e tij nervozon akoma dhe më shumë Domenikën e cila i thotë se me të jo vetëm ai, por as nëna e saj nuk e trajton në atë mënyrë. “Kush je ti që të më trajtosh në këtë mënyrë”, i thotë Domenika. Seldi i përgjigjet “Seldi jam” dhe Domenika i thotë që nëse është thjesht Seldi të mbajë vendin që i takon. Seldi i thotë se ajo mund të bëjë muhabete të tilla me Mirin jo me të. Seldi vazhdon të flasë në mënyrë ironike dhe debati nxehet më shumë, ndrysa Klodi ndërhyn duke i kërkuar Seldit të ulë zërin, sepse në dhomë janë dhe banorët e tjerë të cilët po mundohen të flenë. Seldi vazhdon duke i thënë Domenikës se ajo rri 24 orë në 24 me Jetmirin dhe tani gërricet me të. Ndërkohë që Seldi vazhdon të flasë me Mandin për të, Domenika i thotë të heshtë se mund të thotë gjëra që e dëmtojnë. Seldi e merr për presion, por ajo i thotë se thjesht nuk duhet ta detyrojë të flasë gjëra që nuk janë në interes të tij. Në kuzhinë banorët bëjnë thashetheme për zënkën e Seldit dhe Domit ku Tatiana u tregon të tjerëve për debatin dhe zgjimin e saj për këtë arsye.

Domenika qan pas debatit

Seldi del jashtë dhe pi cigare me banorët e tjerë të shtëpisë. Pasi ai futet në shtëpi, Domenika del jashtë dhe qan. Pranë saj afrohet Klodi, i cili i thotë të pushojë se nuk do ta shohë duke qarë, për më tepër që ajo ka shumë pak kohë me Seldin dhe për të nuk është normale që të qash. Domenika i thotë se asaj i vjen inat për padrejtësitë, jo për faktin që po ndahet nga Seldi. Domi i thotë se asaj i vjen keq për mënyrën e ulët që e ka trajtuar Seldi dhe se si ai reagoi ndaj saj gjatë debatit. Ajo thotë se të gjithë situatën me Mirin dhe marrëdhënien e tij me Seldin dhe Domin e ka kurdisur Seldi gjithmonë siç ka dashur. Ajo thotë se Seldi e ka fryrë atë dhe të tjerët për dy muaj e ca kundër Jetmirit, duke thënë që të mos rrinte, të krijonte afrimitet me të, apo fliste, ndërkohë që tani me Mirin rri shumë afër. Klodi i thotë se ai e ka thënë që në shtëpi ata do të luajnë gjithmonë vetëm, pa përkrahjen e askujt, por vetëm. Pas kësaj bisede Domenika duket më e qetë dhe të dy shkojnë të flenë.

Mandi: “Manal, ti je injorante”

Manal, Tatiana dhe Mandi janë në kuzhinë duke ngrënë mëngjes dhe Manal këndon me zë të lartë, ndërkohë Tatiana fillon të tregojë një histori. Në ato momente Mandi dëgjon këngën në sfond dhe u thotë se i pëlqen shumë. Ai u kërkon vajzave të ulin zërin, sepse do të dëgjojë muzikën dhe Tatiana ndalon. Manal ndërhyn dhe thotë me ironi se nuk duhet të flasin dhe Tatiana thotë se po presin lejen e Mandit. Manal nuk e përfill dhe vazhdon të këndojë. Mandi shprehet se Manal është si fëmijë i keq dhe ajo i përgjigjet duke i thënë se uron që t’i bëhet fëmija i tij, ashtu siç ai dëshiron. Mandi thotë se fëmija i tij ka për t’u bërë shumë mirë, pasi ka prindër të cilët do ta edukojnë, ndërsa ajo nuk ka për të pasur çfarë t’u japë fëmijëve të saj pasi është injorante. Mandi nxehet dhe thotë se ajo i lëshon fjalët vend e pa vend, ndërkohë që Klodi i thotë të qetësohet. Mandi i thotë Manalit që të mos i përmendë herë tjetër familjen, pasi ka disa norma që duhen respektuar. Erioni dhe Klodi shkëmbejnë dy-tri fjalë mbi këtë zënkë dhe Klodi thotë se Mandi nuk duhet të reagojë kaq fort, ndërsa Erioni shton se ai e ka nga presioni dhe nuk mund të mbajë shumë. Më pas Klodi e këshillon Manalin që të mos ngatërrohet duke përmendur familjet e banorëve, por të fokusohet te personat vetë. Tatiana ndërhyn dhe thotë se në përgjithësi shqiptarët reagojnë keq kur u përmendet familja. Manal shprehet se edhe Mandi ka folur për mamanë e saj dhe Klodi i thotë se ajo bën mirë të sqarohet me Mandin, por ajo thotë se nuk mendon se do të jetë e efektshme.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›