E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, protestat bllokojnë rrugën kombëtare

Shpronësimet

Banorët e fshatrave Levan dhe Ferras të Rrethit të Fierit janë ngritur paraditen e së martës në protestë. Shkak ka qenë vonesa e shpronësimeve për tokat që ata kanë pronë, të cilat janë prekur nga gjurma e autostradës Levan-Tepelenë. Protesta e banorëve të Ferrasit dhe të Levanit vjen një ditë pas protestave të zhvilluara në Frakull dhe Cakran. Edhe banorët e këtyre dy zonave kanë pasur pikërisht shpronësimet si shkak për hedhjen në protestë. Në orën 10:00 të paradites së mërkurë, me dhjetëra banorë të Ferrasit dhe të Levanit janë mbledhur në rrugën nacionale Fier-Vlorë. Ata kanë shënuar bllokim të saj për më tepër se 30 minuta. Edhe pse policia lokale ka ndërhyrë për të larguar protestuesit, nuk ka mundur, pasi prej protestuesve është deklaruar: “Ndërhyrja e policisë më mirë të vijë kur kjo protestë të përshkallëzohet”. Protestuesit kanë thënë se ende nuk ka përfunduar për ta procesi i shpronësimeve, edhe pse gjurma e autostradës tashmë ua ka marrë tokën që kanë pronë. “Nga katër dynymë sipërfaqe toke që më ka zënë autostrada, më është njohur vetëm 400 metra. Ky është skandal, por ka tre vjet që nuk ka gjetur zgjidhje”, ka thënë Agur Bele, banor i Ferrasit.

“Nuk na është kryer shpronësimi i plotë për më shumë se 230 fermerë të Levanit. Po tallen me ne dhe me djersën tonë”, ka thënë Ardiani, një tjetër banor. Vlerësimi i tokës në mënyrë të diferencuar ka qenë një faktor më shumë i hedhjes në protestë. Përshkallëzimi i protestës është kërcënuar nga banorët e Ferrasit dhe të Levanit. Ata thonë se do të hidhen në grevë urie dhe do të arrijnë deri në vetëflijimin e tyre në mes të rrugës kombëtare. Edhe në pankartat që mbanin në dorë, banorët kanë kërkuar përfundim të procesit të shpronësimeve, çmim real të vlerësimit të tokës, zhbllokim të Hipotekës nga zyra përkatëse e Fierit dhe zhdëmtim për ato sipërfaqe të dëmtuara nga punimet e kryera deri tani. Ritmet e punimeve në autostradë janë të ngadalta, ndërkohë që prej ditësh puna është ndërprerë si shkak i mungesës së likuiditetit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›