Jetonte i vetëm, vetëvritet nga depresioni 45-vjeçari
Përmet- Një 45-vjeçar nga rrethi i Përmetit i ka dhënë fund jetës duke u vetëqëlluar me një çifte gjahu, në kushtet e depresionit psikologjik. Megjithëse si shkak i vetëshkrepjes së armës mbi trup ai ka ngelur i plagosur, sërish nuk ka arritur t’i mbijetojë plagës së marrë. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, ngjarja është regjistruar orët e vona të ditës së mërkurë, në fshatin Luar të rrethit të Përmetit. “Fillimisht ne kemi marrë informacion se banori i këtij fshati, 45-vjeçari Mendor Brahimaj po transportohej për të marrë ndihmën mjekësore në spital, pasi ishte plagosur me një çifte gjahu”, thonë burimet policore. Në këtë situatë efektivat blu kanë ndihmuar për transportimin e të plagosurit në drejtim të spitalit Rajonal të Gjirokastrës, duke nisur edhe hetimet për ngjarjen. Megjithëse ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spital, sërish si shkak i plagës së marrë në pjesën e barkut, gjendja e tij shëndetësore është rënduar ndjeshëm dhe 45-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë. Sipas hetimeve paraprake, grupi hetimor ka konstatuar se ai ishte vetëqëlluar me një armë zjarri tip çifte gjahu, në pjesën e barkut.
“Sipas edhe konstatimeve të ekspertit mjeko-ligjor, viktima është vetëvrarë dhe në trupin e tij nuk është konstatuar asnjë shenjë tjetër përveç goditjes në pjesën e barkut, e cila rezultoi se është goditje me puthitje”, thonë burime në grupin hetimor. Duket se vendimin ekstrem 45-vjeçari e ka marrë në kushtet e një gjendje të rënduar psikologjike. Prej dy vitesh ai jetonte i vetëm në shtëpinë e tij në fshatin Luar, çka ka ndikuar që ai të kalojë një situatë depresive. Në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike, orët e vona të ditës së mërkurë 45-vjeçari pasi ka marrë çiften e gjahut, ka dalë jashtë banesës së tij, dhe në hyrje të saj është vetëqëlluar në pjesën e barkut, plagë e cila do të shkaktonte edhe vdekjen e tij në spital.