E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku me Italinë, kapen 18 pistoleta në portin e Durrësit

SHKRUAN: Aleks Kalemasi 01-07-2011 10:56

DURRËS- Trafik armësh mes Italisë dhe Shqipërisë, një 23-vjeçar arrestohet në mesnatë nga policia kufitare. 18 pistoleta të markave të ndryshme, 43 arka me fishekë janë gjetur dhe sekuestruar nga shërbimet e policisë kufitare të Durrësit në një automjet që sapo kishte zbarkuar nga trageti i linjës Ankona-Durrës.

Kontrolli

18 pistoleta të markave të ndryshme janë sekuestruar në pikën e vendkalimit kufitar në portin e Durrësit, pas kontrollit të ushtruar në një autoveturë që vinte me traget nga porti i Ankonës. Burime të drejtorisë rajonale të kufirit dhe emigracionit kanë bërë të ditur se pistoletat janë gjetur të fshehura në autoveturën e një emigranti shqiptar nga Shijaku, i cili i kishte fshehur në vende të ndryshme të autoveturës pistoletat dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh.

Ali Koçi, 23 vjeç, nga fshati Shetel i Shijakut, është arrestuar disa orë pasi në autoveturën tip Mercedes Benz me targa BV 208 XL u gjetën pistoletat. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se kontrolli i kësaj autoveture ka nisur pas orës 17.00, kohë kur trageti i linjës Ankona-Durrës mbërriti në port. Pas një kontrolli që ka zgjatur për afro një orë e gjysmë, efektivat e policisë kufitare kanë gjetur pistoletat që ishin fshehur në pjesë të ndryshme të motorit të makinës si dhe në sediljen e pasme. Menjëherë kanë nisur hetimet për të zbardhur linjën e trafikut të armëve dhe municioneve, ndërsa mësohet se Koçi ka qëndruar paraprakisht në pozita mohuese, ndërsa është arrestuar në flagrancë për trafikim armësh, si dhe prodhim e shitje armësh e municionesh luftarake.

Pistoletat

Shumica e pistoletave janë të prodhimit austriak, 9 copë, më pas 3 pistoleta janë tip Beretta, një pistoletë tip Para-Ordance, një pistoletë prodhim turk, një pistoletë me mbishkrimin “Carakal Int”, një pistoletë prodhim kanadez, një pistoletë prodhim çek dhe një pistoletë pa mbishkrim në trup. Gjatë këtij kontrolli janë gjetur të fshehur edhe 2200 copë fishekë të ndarë në 44 kuti. Në njërën prej tyre janë gjetur 50 fishekë në kutinë me mbishkrimin “Winchester”, të cilët janë prodhim amerikan. Sasia tjetër e fishekëve ka qenë në 43 kuti me 50 copë fishekë, secila me mbishkrimin “Fioçhi”. Në këtë operacion struktura e policisë kufitare ka bashkëpunuar me seksionin kundër trafiqeve të paligjshme. Pistoletat mësohet se kanë pasur si destinacion tregun vendës, por një pjesë e mirë e tyre janë marka të panjohura për policinë, e cila në operacione të ngjashme nuk është ndeshur me lloje të tilla armësh. Rreth mesnatës, 23-vjeçari Ali Koçi është arrestuar dhe akuzohet për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve luftarake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›