E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pas vdekjes së nënës, të merret shteti me rritjen e dy jetimeve”

SHKRUAN: Irena Vreto 01-07-2011 10:54

Pogradec- Viktima e masakruar nga i dashuri, familjarët kwrkojnw qw shteti të kujdeset për dy fëmijët e saj. Fatkeqja 35-vjeçare Mirela Spahiu, e cila u masakrua një ditë më parë në dhomën e një hoteli, në periferi të qytetit të Pogradecit nga i dashuri i saj, është përcjellë për në banesën e fundit.

Familjarët

Të shokuar nga dhimbja, në një ceremoni të thjeshtë mortore familjarët e Spahiut i kanë dhënë asaj lamtumirën e fundit. Por nga ana tjetër kërkojnë që shteti të ndërhyjë për të marrë në kujdes dy fëmijët që gruaja ka lënë jetimë. 35-vjeçarja prej disa vitesh ishte zhvendosur në fshatin Vërdovë të rrethit të Pogradecit. Ajo jetonte e divorcuar dhe në varfëri të plotë, bashkë me prindërit e moshuar dhe dy vajzat e saj që kishin ardhur në jetë nga një martesë e dështuar me bashkëshortin i cili ishte larguar përfundimisht në Greqi. E vetme, ajo përpiqej të siguronte të ardhura për të mbajtur frymën gjallë e familjarët e saj. Nisur nga kushtet e vështira ekonomike, gruaja ishte detyruar të punonte çdo lloj pune që i dilte përpara. Sipas familjarëve të saj, gjatë kësaj periudhe ajo ishte e punësuar në një lokal si pastruese. Tragjedia e një dite më parë i ka shokuar familjarët, të cilët kanë bërë të ditur edhe në polici se nuk kanë patur dijeni për lidhjen e saj me 60-vjeçarin. Por krimi shtazarak i ka irrituar të afërmit e viktimës, të cilët i kanë kërkuar organeve të drejtësisë shqiptare të zbardhin të vërtetën dhe të vendosin drejtësi.

Përkujdesja

Por duket se problemi më i madh pas kësaj tragjedie që ka bllokuar familjen Spahiu janë dy fëmijët e vegjël të gruas. Tashmë për ta nuk ka më kush të kujdeset, ndërkohë që gjyshërit e tyre janë tejet të moshuar dhe në gjendje të rënduar shëndetësore dhe ekonomike. Edhe në polici të afërmit e Mirela Spahiut kanë kërkuar që shteti të marrë të drejtën për t’u kujdesuar për fëmijët, babai i të cilëve i ka braktisur gati pesë vjet më parë dhe nuk i ka takuar asnjëherë. Ata apelojnë për drejtësi dhe ndihmë ndaj fëmijëve të mbetur jetimë. Mirela Spahiu u masakrua një ditë më parë me mjete të forta, nga një 60-vjeçar, me të cilin kishte një lidhje intime prej tre vjetësh. Sipas policisë pogradecare, motivi i ngjarjes së rëndë ishte xhelozia. Policia e Pogradecit mundi të vinte në pranga autorin vetëm pak orë pas ngjarjes. Halim Hykellari tashmë do të përballet me akuzën “Vrasje me paramendim”. I moshuari i ka kërkuar Mirelës të martohej me të, pasi dhe ai ishte i divorcuar, kërkesë që nuk është mirëpritur nga gruaja, e cila më pas ka mbetur e vdekur në mënyrë barbare nga i dashuri i saj në një hotel në Pogradec, pasi kishin kaluar dhe një natë së bashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›