Jewel Howard Taylor, ish-gruaja e një diktatori
Ishte e martuar me një President të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Por në Liberi ish-gruaja e Charles Taylor-it ka nisur një jetë të re, me shumë ambicie për të prekur majat
Jewel Howard Taylor është nga ato gra që e nis gjithmonë ditën me një lutje. E ulur në zyrën e saj në Monrovia, tregon se kjo i shërben për tu qetësuar në këtë kohë konfliktesh dhe luftërash. Ndoshta shumë pak e dinë, por Jewel-i ka qenë bashkëshortja e Charls Taylor-it, që në prill të vitit 2012 u shpall fajtor nga Gjykata e Hagës, për më shumë se 11 krime, mes të cilave, vrasje, përdhunime, zhdukje, që lidheshin me luftën civile në Sierra Leone. Por nëse në vend mendimet për këtë kriminel janë edhe pro edhe kundër, për Jewel-in ai është thjesht babai i fëmijëve të saj, njeriu me të cilin u dashurua para se të drejtonte rebelët dhe burri i saj për afro dhjetë vjet. Të dy u njohën në fillim të viteve 90-të kur Jewel ishte pedagoge në universitet. Shumë shpejt erdhi në jetë fëmija i tyre i parë. Jewel më vonë u largua drejt SHBA-së, ku Taylor-i rrinte fshehur pas akuzave në vendin e tij për vjedhjen e një milion dollarëve. Jewel iu fut studimeve në SHBA, ku frekuentoi Amerikan Institute of banking. Në New Jersey punoi në sektorin bankar deri në 1996 dhe më pas u kthye sërish në Liberi. Një vit më vonë, Taylor-i i kërkoi të martoheshin, duke bërë një dasmë përrallore, pak para fitores së tij në zgjedhje.
Por pas martesës, Jewel thotë se ka pasur raporte shumë të vështira me gruan tjetër të Taylor-it, me ish-gruan dhe të dashurat e tij. Kjo situatë do të vazhdonte për shumë vite, deri kur në 2005-n ajo kërkoi divorcin. Ajo e mohon se ndarja shërbeu vetëm për të mbrojtur pasurinë e Taylor-it nga sanksionet dhe thotë se nuk ka marrë asnjë qindarkë nga divorci. Pasuritë e fshehura të Presidentit, sipas një artikulli të New York Times-it shkojnë nga 280 milionë deri në 3 miliardë dollarë. Unë nuk kam marrë dhe nuk kam kërkuar asgjë. Nuk u martova me të për paratë, vazhdon të përsërisë shpesh ajo. Gjithsesi, gruaja pranon se vazhdon të mbajë raporte të mira me ish-bashkëshortin e saj. Kam dy fëmijë me të dhe jam pjesë e familjes së tij. Sigurisht që flasim, sidomos për problemet e fëmijëve,tregon. Kur e pyet për krimet e kryera nga ish-bashkëshorti i saj Jewel-i mban qëndrim: nuk flet shumë. Ajo thekson se ka nevojë të vazhdojë jetën e saj përpara, pa e lidhur me emrin e Charles Taylor-it. Por ndërsa pushteti i Taylor-it në Liberi ka nisur të zvogëlohet, ish-gruaja e tij është gjithmonë e më e fortë. Ngjitja e saj në karrierë ka nisur që në vitin 2005, me triumfin e jashtëzakonshëm në zgjedhjet për senatore. Sot, rreth 7 vjet më vonë, Jewel është gruaja më e rëndësishme e panoramës siberiane, pas Presidentes Ellen Johnson Sirleaf. Në senat është një nga më aktivet, për më tepër ka gjetur kohën për tu diplomuar edhe për drejtësi. Në janar ishte gati për tu zgjedhur Presidente e Senatit, por e humbi betejën vetëm për një votë. Gjithsesi, edhe marrëdhëniet e saj me Presidenten e vendit, e cila nuk e mbështeti në zgjedhjen për kryetare të senatit, nuk janë të mira. Nuk jemi armike, por nuk shkojmë me njëra-tjetrën. Jam krenare që është Presidentja e parë femër e Liberisë, por më duhet të them që secili prej nesh ka vizionin e tij për një ngjarje të caktuar. Ndoshta për këtë kemi pasur disa konflikte dhe momente të vështira, thotë Jewel. Edhe pse e ka mbështetur zgjedhjen e Presidentes, Jewel thekson se dënimi i Taylor-it duhet të çojë në dënimin e të gjithë atyre që kanë pasur një rol, qoftë edhe të vogël në luftën civile siberiane. Indirekt e ka fjalën për Johnson Sirleaf, që vet e ka pranuar se i ka dhuruar dhjetë mijë dollarë Taylor-it në vitin 1990. Të gjithë duhet të paguajnë për atë që kanë bërë. Për shumë politikanë në vend Jewel Taylor nuk është më vetëm ish-gruaja e Taylor-it. Ajo vlerësohet shumë edhe nga partitë e tjera dhe ka qenë e para anëtare e opozitës që ka njohur qeverinë e Sirleaf Johnson-it, pas fushatës për bojkotim të zgjedhjeve. Tashmë të gjithë besojnë se herët apo vonë Jewel do të kandidojë për Presidente. Mandati i saj si senatore skadon në 2014-n. Nëse do të arrijë të rizgjidhet, do të jetë në një pozicion të jashtëzakonshëm për tu prezantuar në zgjedhjet presidenciale të 2017-ës. Nuk e di, por gjithçka mund të ndodhë. Asgjë nuk është e pamundur, tregon ajo.
Çifti
Të dy u njohën në fillim të viteve 90-të, kur Jewel ishte pedagoge në universitet. Shumë shpejt erdhi në jetë fëmija i tyre i parë. Jewel më vonë u largua drejt SHBA-së, ku Taylor-i rrinte fshehur pas akuzave në vendin e tij për vjedhjen e më shumë se një milion dollarëve.
Biografia
Martohet me Charles Taylor-in në 1997, nga i cili u divorcua më 2006-n. Kur i shoqi ishte në pushtet, mbulonte role të ndryshme institucionale, mes të cilave edhe zëvendësguvernatore e Bankës Kombëtare të Liberisë. Merret edhe me mësimdhënie dhe drejton projekte të ndryshme humanitare.
Jewel Howard Taylor, ish-gruaja e një diktatori burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip