Jo bojkotit

Partia Socialiste hodhi poshtë dje mundësinë e bojkotit parlamentar, duke këmbëngulur për të vijuar të gjitha format demokratike të opozitarizmit, në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Edi Rama vlerësoi pozitivisht dje takimin me krerët e tjerë të partive, të organizuar nga ai vetë për këtë qëllim. “Pa përjashtuar asnjë formë demokratike të opozitarizmit, ne nuk do të mungojmë asnjë ditë në sallën e parlamentit për të mbrojtur Shqipërinë, e cila kërkon drejtësi, siguri dhe shtet. E dimë fare mirë se cilët janë problemet dhe cilat janë detyrat tona, ashtu sikundër jemi fare të qartë se ne do të fitojmë me votën e njerëzve të drejtën për të qeverisur dhe për të ndryshuar këtë vend dhe në asnjë rrugë tjetër”, - tha kreu i partisë më të madhe opozitare. Ai nuk përjashtoi nga ky proces asnjë njeri, përveç vetë kryeministrit Sali Berisha. Takimi i thirrur dje nga kreu i PS-së u zhvillua me synimin e sensibilizimit të forcave parlamentare lidhur me nevojën e një veprimi të bashkërenduar në Kuvend, duke i dhënë mbështetje edhe me ligj prokurorisë, për procesin e zbardhjes së të vërtetës së Gërdecit.
Takimi
Të gjithë ishin në një mendje, për një opozitë e bashkuar, në aksionin e saj politik, në veprimtarinë parlamentare dhe jashtë saj, vetëm se palët në takimin e parë kanë propozuar rrugëzgjidhje të ndryshme. “Të vegjlit” kanë qenë më të ashpër në kërkesat e tyre, duke këmbëngulur për largimin e kryeministrit Sali Berisha. LSI-ja e PSD-ja kanë qenë në një mendje për ndërprerjen e marrëdhënieve me mazhorancën. Socialistët kanë kërkuar të jenë më të matur, duke i lënë një afat deri më 15 tetor shumicës, për të ndërruar mendje. Por ky propozim është kundërshtuar, me argumentin se kryeministri do të vazhdojë të shkelë ligjet, siç ka bërë në të shkuarën, edhe nëse ai për prokurorinë e gjyqësorin do të plotësojë standardet e kërkuara nga opozita. Ideja e LSI-së për bojkot ka marrë përgjigje negative nga të gjithë të pranishmit, dhe Ilir Meta, siç thonë burimet, nuk këmbënguli më. Askush nuk përjashtoi format e të bërit opozitë, që nga protestat (të tjera veç asaj të së premtes) e deri tek mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit. Madje krah të majtëve kësaj here doli edhe PBDNJ-ja, ndonëse edhe gjatë diskutimeve në tryezë Dule ka shmangur të japë një pozicionim për mocionin, ndryshe nga sa mësohet të jetë shprehur pozitivisht për protestat.
Deklaratat
Pas takimit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi imponimin nga ana e opozitës, për të detyruar kryeministrin Sali Berisha të dorëhiqet, e për këtë nuk përjashtoi asnjë lloj forme demokratike. “Vetëm imponimi, jo kërkesa për dorëheqje Sali Berishës, mund të çlirojë drejtësinë nga trysnia e jashtëzakonshme e tij, mund t’iu japë perspektivë dhe shpresë qytetarëve shqiptarë se do të ketë drejtësi për Gërdecin, por dhe se do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”, - deklaroi kreu i LSI-së. Sipas Metës, është i pavend çdo lloj bashkëpunimi i mëtejshëm me ekzekutivin. Për LSI-në, që kërkon ndërprerje të marrëdhënieve me mazhorancën, çdo eksperimentim i mëtejshëm me të, duke qenë në postin e kryeministrit Sali Berisha, do të shtojë pasojat për një sistem demokratike në vend e do të dhunojë përditë pavarësinë e institucionit të prokurorisë e gjyqësorit, por edhe do të pakësojë shanset për standarde në zgjedhje. Por, ndërsa Meta nuk përjashton çdo lloj forme demokratike për të rrëzuar kryeministrit, çka nuk lë jashtë as protestat, as mocionin e mosbesimit ndaj shefit të ekzekutivit, PBDNJ-ja duket e lëkundur. Vangjel Dule tha se mocioni nuk ishte pjesë e diskutimit, ndonëse garantoi mbështetjen e partisë së tij për mbrojtjen e sistemit të drejtësisë. “Çështja e drejtësisë i kalon caqet partiake. Do të jemi bashkë me çdo forcë kur bëhet fjalë për një shtet të së drejtës. Bashkohemi me të gjithë, në funksion të shtetit të së drejtës, në frymën e konsensusit që kanë të bëjnë me të ardhmen evropiane”, - tha Vangjel Dule, që merrte pjesë në takim së bashku me deputetin Leonard Solis, ish-ministër i Shëndetësisë gjatë qeverisjes së socialistëve. Ndërkaq, për t’u vërejtur është deklarata e Paskal Milos. “Opozita duhet të koordinojë qëndrimet dhe besoj se beteja për të mbrojtur institucionet kushtetuese duhet të zhvillohet në Kuvend”, - deklaroi ai, ndërsa të martën, kryesia e LSI-së kërkoi bojkot të Kuvendit. Ndërkaq, kreu i grupit parlamentar të PSD-së, Engjëll Bejtaj, e cilësoi si pozitiv takimin e djeshëm, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme të palëve. “S’mund të pretendohet afrimi në qëndrime të përbashkëta me një takim të vetëm. U la e hapur rruga e dialogut, duke qenë dakord për bashkëpunimin parlamentar dhe atij jashtë parlamentit”, - tha Bejtaj. Pra, pavarësisht opsioneve të propozuara nga palët, të gjithë ishin në një mendje për organizimin e veprimtarisë së tyre, si një opozitë e bashkuar, në qëndrimet në vazhdim kundër mazhorancës në pushtet. saqellari@korrieri.com