E Shtunë, 31 Tetor 2026

I çonte vëllait kokainë

Një 50-vjeçare është vënë në pranga teksa i çonte një dozë kokainë vëllait të saj, Orgest Drugut. Gardianët ia gjejnë mallin tek tutat sportive. Burime të besueshme policore bëjnë të ditur se ai ishte përdorues prej vitesh

RROGOZHINË - Dy qese të vogla me “mall”, të gjetura në xhepat e një të burgosuri, kanë çuar në pranga motrën e tij. Kokaina ishte fshehur mirë deri në momentin e kontrollit, kur agjentët e Antidrogës së Tiranës i kanë vënë prangat motrës së tij, e cila kishte shkuar për të takuar vëllanë, por doza e kokainës që kishte marrë me vete e ka çuar edhe atë në qeli. Burime të besueshme policore bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në burgun e sigurisë së lartë në Rrogozhinë, kur Luljeta Drugu, 50 vjeçe, është arrestuar nga specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës, pasi në kundërshtim me ligjin i ka futur vëllait të saj, Orgestit, sasinë prej 1 grami kokainë. Pasi kishte shkuar të takonte të dënuarin, përveç ushqimeve të rastit dhe plaçkave, në tuta kishte futur edhe qesen, të cilën mendonte se e kishte fshehur mirë dhe se nuk do të zbulohej nga punonjësit e policisë së burgut. Luljeta Drugu është vënë në pranga menjëherë pasi është zbuluar nga policët e burgut të Rrogozhinës. Në veshjet dhe ushqimet që kishte sjellë me vete, e arrestuara kishte marrë edhe një sasi të vogël kokaine për vëllanë e saj, i cili nga burime të besueshme mësohet të jetë përdorues i rregullt narkotikësh që para se të arrestohej e t’i jepej dënimi. Pasi ligjërisht asaj i lejohej që të bënte takimin me të vëllanë, punonjësit e kontrollit të burgut kanë nisur të bënin kontrollin rutinë të Drugut, e cila futej kushedi për të disatën herë në takim me vëllanë e saj të dënuar. E ndërsa herët e tjera ka rezultuar “e pastër”, dje ajo është ndaluar, duke iu vënë prangat për shkelje. Burimet bënë të ditur se pas ndalimit, 50-vjeçarja e akuzuar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” është marrë në pyetje në lidhje me rastin dhe mësohet ta ketë mohuar faktin që ajo po ndihmonte vëllanë e saj në lidhje me marrjen e kokainës, duke mohuar kategorikisht që ka qenë ajo personi që ka fshehur qesen në tuta. Ajo ka thënë se nuk ka qenë aspak në dijeni të kësaj ngjarjeje dhe se vëllai  i saj nuk ka qenë kurrë përdorues narkotikësh, duke hequr në këtë mënyrë përgjegjësinë nga vetja dhe nga Orgest Drugu. Por varianti i të arrestuarës duket se nuk ka qenë aspak bindës, përderisa forcat policore i kanë vënë asaj prangat. Nga burime zyrtare të policisë u bë e ditur se gjatë kontrollit të çantës së saj u gjetën një palë tuta, ku në xhepin e tyre ishin dy mbështjellëse plastmase. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.1 gram kokainë, një pasaportë shqiptare, një çantë e zezë dhe një palë tuta sportive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›