E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çi ndan të djathtët

Kryetari republikan Fatmir Mediu thotë se duhet të sheshohen problemet mes aleatëve qeveritarë dhe se Kodi Zgjedhor është një nga arsyet që ndan të djathtët. Kryetari i Partisë Republikane flet për nevojën e nisjes së bisedimeve në kampin e djathtë

Ish-ministri i Mbrojtjes thotë se tashmë ka ardhur koha që e djathta të mblidhet dhe të nisin diskutimet për bashkëpunimin e ardhshëm. Në bisedë me “Korrierin”, Mediu thotë se në tryezën e partive të djathta duhet të ftohen edhe ato forca të djathta të cilat nuk kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës. Sipas tij, duhet që diskutimet për zgjedhjet e ardhshme, por edhe për më vonë, të jenë sa më gjithëpërfshirëse, pavarësisht peshës politike. Ndërkohë, kreu republikan nuk pranon të marrë rolin e gjykatësit, nëse në tryezën e djathtë duhet të jenë apo jo forcat politike, të cilat kanë bashkëpunuar më parë me të majtën. Megjithatë, sipas tij, marrëdhëniet në të djathtën nuk duhet që të fillojnë të kushtëzuara. Ndërkaq, Mediu komenton orientimet e ndryshme mes forcave të koalicionit të djathtë, ku PDK-ja mendon të dalë vetëm në zgjedhje, PDR-ja mendon të shkrihet me PD-në, PBDNJ-ja të bëhet pjesë e tryezës së djathtë, ndërsa forcat e tjera, përfshirë PR-në, kanë pakënaqësi nga Kodi Zgjedhor. Sipas Mediut, kjo është një nga arsyet se pse e djathta e ka të domosdoshme nisjen e diskutimeve për të sheshuar këto probleme.

-Kampi i majtë nisi diskutimet në tryezat e tij. Po në kampin e djathtë, mendoni se është koha që të nisin diskutimet?

“Duhet të kuptojmë se jemi një mazhorancë qeverisëse, që do të thotë se janë kontaktet qoftë të nivelit politik, qoftë të niveleve të tjera ekzekutive dhe parlamentare. Është e rëndësishme dhe e domosdoshme që në këndvështrimet e zhvillimeve të reja, qoftë elektorale, qoftë edhe të zgjedhjeve që vijnë, duhet patjetër që të ketë një diskutim. Diskutimet duhet të jenë më të institucionalizuara, në mënyrë që të mos i lëmë zhvillimet politike të rastësishme”.

-Po flitet për një takim pas dy-tri ditësh të partive të djathta. Sa jeni në dijeni ju?

“Nuk di akoma gjë për diçka të tillë. Megjithatë, mund të them se duhet patjetër një tryezë e tillë”.

-Mendoni se në këtë tryezë duhet të thirren edhe parti të tjera, përveç atyre që janë tashmë në mazhorancë?

“Unë mendoj se është e nevojshme dhe e rëndësishme që të ketë një përfshirje sa më të gjerë të të gjithë spektrit politik të djathtë, pavarësisht nga pesha politike që ka gjithsecili. Sepse në fund të fundit, pavarësisht se kemi qenë të detyruar që të ecim me këtë kod zgjedhor të hartuar, tendenca është që të jetë një koalicion i përbërë, por gjithsecili subjekt në fund të fundit merr atë që i ofron qytetari me votën e tij”.

-Kur të mblidhet tryeza e djathtë, do të bëni ju ndonjë propozim konkret për federatën, apo do të qëndroni vetëm te koalicioni i përbërë?

“Unë patjetër që jam i idesë që duhet një e djathtë më e organizuar dhe me standarde të tjera politike, e cila do të mund të konsiderojë të gjitha idetë e mundshme. Nuk mendoj se unë kam idenë më të mirë për këtë çështje. Por unë mendoj që kemi shanse dhe mundësi që, nëpërmjet të djathtës evropiane, të shikojmë sesi janë bërë organizime të tilla në një botë perëndimore. Kjo mendoj se do të bënte që ne të ishim shumë më racionalë, qoftë me ide, qoftë me standardet e organizimit politik dhe elektoral të së djathtës. Ka akoma shanse dhe mundësi që të na ofrojnë mbështetje strukturat politike, të cilat janë të specializuara në këtë drejtim, dhe kjo do të ishte shumë e vlefshme për të djathtën”.

-Si e shikoni një tryezë të djathtë, ku kësaj radhe pjesë e diskutimeve për koalicionin parazgjedhor do të jenë edhe parti që kanë bashkëpunuar me të majtën?

“Unë nuk mendoj që Partia Republikane apo unë personalisht duhet të marr të drejtën e gjykatësit se kush duhet të jetë dhe kush nuk duhet të jetë. Mendoj se kjo marrëdhënie nuk mund të fillojë e kushtëzuar. Duhet të jetë një marrëdhënie gjithëpërfshirëse brenda kësaj marrëdhënieje të koalicionit qeverisës, por edhe jashtë qeverisjes, për të arritur atë që është më racionale dhe më e mira”.

-Në kampin e djathtë, aleatët duket se janë të shpërndarë në drejtime të ndryshme për sa u përket qëndrimeve të tyre. Duke nisur që nga PDK-ja, e cila ka pakënaqësi nga koalicioni, PDR-ja që kërkon të shkrihet, PBDNJ-ja që ishte në tryezën e majtë, si dhe disa forca, përfshirë PR-në që ka pakënaqësi nga Kodi Zgjedhor...

“Unë mendoj se patjetër që ka probleme dhe ka disa opinione të ndryshme, por kjo nuk do të thotë që këto opinione të ndryshme të sjellin kontradikta brenda së djathtës. Mendoj se duhen sheshuar të gjithë problemet në qoftë se janë të tilla, ashtu siç duhen marrë në konsideratë edhe idetë që vijnë nga parti të ndryshme, në rast se ato janë racionale për t’i shërbyer një funksionimi më të mirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›