E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo festival amatorësh

Kompozitori Dorian Nini komenton prurjet e Festivalit të Këngës në RTSH. Sot nata finale për 20 këngë konkurrente

Dorian Nini është një nga pak kompozitorët me përvojë në dy epoka që solli edicioni i 47-të i Këngës në RTSH. Është kthim pas 18 vitesh emigrim në Gjermani. Emri i Ninit kujtohet sidomos nga ngjarjet që pasuan festivalin e 11-të ku ai kishte marrë pjesë si këngëtar me “Erdh’ një djalë në fshatin tim”, dhe prej andej u transferua në Mirditë.

Nini konkurron me “Dita një jetë” me tekst të Pandi Laços, e kënduar nga Dorina Garuci e zbuluar tek edicioni i fundit i “Ethet e të premtes mbrëma”. Në distancë për shumë vjet dhe së fundi nga fare afër ngjarjeve muzikore, Nini komenton atmoferën e tregut muzikor shqiptar dhe prurjet e festivalit në RTSH.

Përse përfaqësoheni me Garucin?

Rastësisht e dëgjova Garucin tek “Ethet”. Më erdhi keq që me ato vlera që ka duhej të ishte fituese.

Çfarë vlerësoni në zërin e saj?

Unë kam qenë violinist dikur. Ajo është violiniste, pra është e përgatitur muzikalisht, shumë e përgatitur. Vokali i saj është nga më të rrallët, pavarësisht se është akoma e re. Them që gjatë një 5-vjeçari Garuci do të jetë një nga këngëtaret më të mira të Shqipërisë.

Atëherë ju doni të thoni se kultura muzikore është një e dhënë bazë që u mungon në përgjitësi këngëtarëve të sotëm të tregut muzikor në Shqipëri.

Mungon, dhe mesa shohim në tregun e ri në Shqipëri, këngëtarët janë të paformuar, janë amatorë, spekullojnë me forma të ndryshme këngësh, spekullojnë me kompjuterizime...

A nuk është festivali i këngës një mundësi për t’i shoshitur këto punë, për të dalë në skenë ata që nuk kanë të bëjnë me shoë-n muzikor?

Sigurisht, unë mendoj që edhe udhëheqësi artistik Pirro Çako, ka pasur një pikësynim të qartë që ky festival të mos tingëllojë më amator, që edhe krijuesit, edhe interpretuesit të mos jenë amatorë dhe me sa shihet, këngët janë me cilësi më të mirë se sa vitet e kaluara. Them që do të ketë këngë të bukura dhe ka këngë të bukura.

Po, mbrëmë u vu re që ka tendencë për këngë të bukura, por këngët kanë elementë që nuk rrinë së bashku në harmoni, që nga teksti, orkestrimi dhe sigurisht vokali dhe interpretimi i sforcuar i këngëtarit ose tendenca për të demonstruar “zë të jashtëzakonshëm”?

Sot në botë kërkohet pop-i. Po t’i vësh re hitet në Evropë, janë komplet të qarta nga ana melodike. Mendoj se në këtë drejtim Çako ia ka arritur qëllimit: të sjellë këngë melodioze. Ky është një sukses që na afron më pranë kërkesave të kohës. Sigurisht që kjo arrihet përmes orkestracioneve moderne... ka shumë për të bërë.Por që të këndosh live, nuk është edhe aq e lehtë.

Mund të them që janë disa këngë që edhe unë nuk i kuptoj. Unë dëgjoj shumë rryma, por janë disa këngë që pyes ku hyn kjo? Këngëtarët ose mundohen të ulërasin, ose të krijojnë efekte, por ka edhe këngë të bukura, të qeta. Psh, flas për një këngë që vjen nga Kosova e Vedat Ademit.

Si ju duket organizimi?

Shoh një egoizëm.

Në çfarë aspekti?

Unë jetoj në Gjermani, dhe nga përvoja që kam me trupat gjermane, njerëzit janë të çiltër, janë dashamirës, dëshirojnë më të mirën për kolegët e tyre. Ndërsa këtu gjej një hipokrizi të madhe, atje ku të urojnë, mbrapa krahëve të shajnë. Mungon sinqeriteti në marrëdhëniet mes njerëzve, mungon bashkëpunimi.

Ju thatë se ka një problem që le ta quajmë “teknik” për momentin, përderisa ju vetë nuk po e identifikoni, në ekzekutimin e këngës, muzikës.

Nga problemet teknike më i madhi është problemi i dëgjimit në sallë edhe në televizion. Ka luhatje të tmerrshme. Diku dëgjohet bukur, diku dëgjohet keq.

Përse ndodh kjo?

Nuk mund ta them. Unë nuk dua t’iu besoj thashethemeve që nëpërmjet teknikës mund të ulësh vlerat e një krijuesi qëllimisht. Nuk dua ta besoj këtë. Por ka disa probleme teknike që teknikët duhet t’i dinë. Për shembull në rastin e provave të sotme duhet t’i them unë teknikut ngrije volumin. Përse duhet t’i bëj unë këto? Këto gjëra duhet të jenë të qarta që në fillim.

Cili ka qenë angazhimi i fundit në festivalin e RTSH?

Në fakt kjo është pjesëmarrja e parë pas ikjes sime në Gjermani. Kam 19 vjet i ikur, por 12 vjet kanë qenë të vështira sepse s’kisha të drejtë të lëvizja. Dhe këtë njerëzit s’e kuptojnë sepse më thonë pse s’ke ardhur. Më vonë erdhën kushtet, nënshtetësia gjermane... Kam ndërtuar një bazë ekonomike që mund të vij dhe të shkoj në Gjermani, dhe të rri edhe këtu. Por dëshira është që gjithmonë të krijoj diçka.

Përsa i përket asaj që dëgjojmë drejtpërdrejt në skenë, harqet, vokali, orkestra...

Është bërë një traditë jo e mirë që orkestra nuk luan live dhe kjo vjen për shkak të organizimit që bëhet. Njerëzit s’kanë përgjegjësi, janë të lodhur, nuk duan t’iu futen punëve serioze, sepse festivali shumë mirë mund të bëhet live. Por kjo do një punë 2-3 mujore gjë që Radio Televizioni nuk e arrin dot financiarisht. Megjithatë mund të fillojë diku, me harqet, me perkusionin... Dmth është një tendencë jo pozitive. Dhe kjo është një punë o burra ta bëjmë.. gjëja më e lehtë është t’i biem shkurt.

Zoti Nini çfarë kontrate keni ju me RTVSH si autor pjesëmarrës në festival?

Mua më kanë dhënë një kontratë në fakt dhe më thanë që duhet ta firmos. Nuk e kam mbyllur akoma dhe nuk jam i qartë shumë për kontratat që bëjnë këtu në Shqipëri.

Në shtyp është deklaruar nga organizatorët që këtë vit ka më pak konkurrentë dhe si rrjedhojë autorët janë paguar më mirë.

Mundet... në kontratë thuhej psh që kënga juaj mund të orkestrohet në forma të ndryshme nga të tjerë. Por edhe sikur të ketë ekskluzivitetin Radio Televizioni unë s’mund të lejoj që çdo arranxhator të marrë këngën dhe ta orkestrojë sepse krijimtaria është e imja.

Ka ndodhur që një kompozitor ka marrë këngën time dhe e kishte orkestruar si kishte dashur për “Këngët e Shekullit” pa më pyetur jam apo s’jam dakord. Ishte një këngë e Luan Zhegut.

---------------------------------Ndjesë Gjergj Bojaxhiut

Redaksia e Kulturës së “Shekullit” i kërkon ndjesë Gjergj Bojaxhiut emri i të cilit është përmendur me një pasaktësi përbri, në njoftimin e djeshëm si anëtar i jurisë së festivalit të 47-të në RTSH. Emri i çdo anëtari është shoqëruar me profesionin, dhe gabimisht si profesion i Bojaxhiut është shënuar “inxhinier elektrik”. Saktësojmë se drejtori i përgjithshëm i KESH-it, ka studiuar Filozofi dhe ka kryer master për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

I kërkojmë ndjesë edhe publikut për një gabim (të padëmshëm) që ndodhi për shkak të rrethanave ku është marrë informacioni për jurinë e Festivalit të Këngës në RTSH. Marrëdhëniet me shtypin, me përjashtim të një konference për shtyp të para dy javëve kur organizatorët dolën në një konferencë për shtyp, kanë qenë hermetike. Kujtojmë se ky institucion publik ka komunikuar gojarisht nëpërmjet personave që punojnë për festivalin që nuk lejohet hyrja e gazetarëve gjatë provave të Festivalit në Pallatin e Kongreseve po ashtu edhe prania e tyre pa biletë në netët e festivalit. “E keni parë Eurosong-un?”, ishte përgjigja e një personi në instancën drejtuese të RTSH, duke iu referuar marrëdhënies që Festivali Evropian (sipas tij) krijokërka me gazetarët.

Urdhri ndryshoi në momentin e fundit, dhe mediat sërish nuk janë vënë në dijeni as për këtë ftesë me pishmane të RTSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›