Tre albanologët e sotëm
Konkursi për veprën më të mirë albanologjike shpalli dje fituesit. Gjatë dy ditëve pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me 28 veprat më të mira albanologjike, nga autorë vendas dhe të huaj, prej të cilave vetëm tre dolën mbi të tjerat.
Për veprën “Fonetika historike e shqipes” akademiku Kolec Topalli u cilësua autori më i mirë shqiptar. Historiani Noel Malcolm me veprën “Kosova - një histori e shkurtër” u cilësua autori më i mirë i huaj. Studimet për mbishkrimet e zbuluara në Butrint i akorduan Prof. Peirre Cabane dhe Prof. Faik Drinit çmimin për veprën më të mirë me bashkautorë.
Kjo ngjarje, e tillë mund të vlerësohet, ishte një shpërblim sado simbolik për kërkimin shkencor albanologjik. Qendra e Studimeve Albanologjike dha një shembull pozitiv për nxjerrjen në dritë të gjërave me vlerë dhe me rëndësi për kulturën kombëtare. Shtoji edhe faktin që prezantimi i korpusit albanologjik të pesë viteve të fundit mori edhe pikët maksimale nga ata që nuk ishin konkurrentë.
Fituesit folën për “Shekullin” pas marrjes së çmimeve.
Prof. Topalli, urime për çmimin. Tani që u mbyll konkurrimi çfarë rezultatesh solli?
Organizimi i këtij simpoziumi për herë të parë mblodhi dijetarë nga vende të ndryshme të botës për të vlerësuar veprat me të mira që janë botuar në vitet e fundit. Në këtë konkurs për mua fituesja e vetme është vetë shkenca albanologjike. Për herë të parë bëhet një konkurs i tillë kaq serioz dhe me vlerësim nga vetë studiuesit që merren me fusha të ndryshme.
A i kishin prekur më parë botimet e njëri-tjetrit autorët para se të vini këtu? Si ka qene rrjeti i njohjeve dhe i kontakteve midis jush?
Këtu kanë marrë pjesë shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës si Anglia, SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia, kështu që ka qenë i vështirë kontakti. Megjithatë nëpërmjet internetit janë dërguar të gjitha materialet e nevojshme pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. E rëndësishme në këtë mes është krijimi i frymës së bashkëpunimit sepse njerëzit në takime të tilla njihen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë mendime, eksperiencë. Suksesi më i madh i saj është që shkenca shqiptare bëhet më njohur dhe fiton vlera të reja.
Duke pasur parasysh historinë e shkencës shqiptare deri më tani, mendoni se albanologjia është prezente sa duhet në mjediset shkencore evropiane?
Ka njerëz që kanë dhënë vepra dinjitoze. Sigurisht që ekziston dëshira që Tirana të jetë qendra ndërkombëtare e studimeve albanologjike. Nuk e them këtë për të nënvlerësuar qendrat e tjera sepse edhe Prishtina ka Akademi Shkencash, ka Institut Albanologjik dhe qendra të tjera studimore. Po kështu qendra studimore albanologjike ka edhe në Maqedoni, në universitetet e Shkupit dhe të Tetovës. Në Kozenca të Italisë është qendra më e madhe, qendra albanologjike ka edhe në Napoli, Palermo, Romë, Leçe, por ka edhe në Gjermani dhe Austri. Unë mendoj se kjo farë e mirë e mbjellë në gjithë këto vende të Evropës është mirë që të konvergojë në një pikë me qëllim që njerëzit të njohin njëri- tjetrin të bashkëpunojnë dhe të krijohen lidhje të tilla me qëllim që të fitojë ajo që është e përbashkët, shkenca e albanologjike
Ky është një propozim që Tirana të kthehet në qendrën ndërkombëtare të albanologjisë?
Kjo është dëshira ime. Për të realizuar këtë dëshirë natyrisht që duhen plotësuar shumë kushte dhe nuk mund të them se Tirana nuk e luan këtë rol, e luan deri në një farë mase. Mendoj se duhet të punohet më tepër në këtë drejtim dhe duhet më tepër impenjim nga ana e instituteve studimore dhe e universiteteve.
Jo rrallë ndeshemi me ankesa të llojit se janë të huajt që na “lexojnë” ne, janë të huajt që bëjnë atë që duhet të bëjnë shkencëtarët shqiptarë?
Realisht nuk është kështu. Ky simpozium tregoi që ka një bashkëpunim të frytshëm mes albanologëve të huaj dhe albanologëve shqiptare. Ka njerëz që vërtetë kanë dhënë kontribute dhe vazhdojnë të japin, kështu që mendoj se kjo është një fushë e gjerë ku ka vend për të gjithë. Për të gjithë ata që duan të punojnë dhe të studiojnë ka fusha ta palëvruara ka vende të paeksploruara, ka libra për të shkruar. Fusha është mjaft e gjerë mjafton që njerëzit të kenë vullnet, dëshirë dhe përgatitjen e duhur për të dhënë diçka.
Në këto dy ditë konference janë thënë edhe gjëra të reja. Juve çfarë ju ka befasuar, fjala vjen, teza e prof. Eric Hamp-it?
Unë i kam parë dhe lexuar me kohë këto studime të prof. Hampi-t. Është një nga albanologët e brezit të vjetër që kanë lënë mbrapa vepra të mëdha. Tezat e tij janë ngritur para disa vitesh por e reja është se janë pasuruar me materiale dhe argumente të tjera. Në këtë konferencë kishte teza të reja edhe për shumë probleme të tjera të historisë, të arkeologjisë, të kulturës sonë popullore. Dua të nënvizoj atë që i takon Kosovës, ku u ngritën shumë probleme që shqetësojnë shtetin më të ri në botë.
Në fondin e punës suaj shkencore çfarë vendi zë kjo vepër, “Fonetika historike e shqipes”?
Kjo vepër është rezultat i punës 25-vjeçare. E kam nisur me artikuj për çështje problemore që në vitet ‘70 për të ardhur tek 8 monografitë që kam hartuar për probleme të ndryshme të fonetikës historike. Dhe është e natyrshme që pas një pune të këtillë të vinte kjo vepër e re që sintetizon jo vetëm punë time disa vjeçare por bashkon edhe përgjithëson studimet e të gjithë albanologëve që kanë punuar në këtë fushë për vite të tëra dhe nga vende të ndryshme.
“Mbishkrimet e Butrintit” vepra më e mirë me bashkautorë
Çmimi për veprën më të mirë albanologjike me bashkautorë, u nda mes Francës dhe Shqipërisë. “Mbishkrimet e Butrintit” të autoreve Pierre Cabanes dhe Faik Drinit paraqet 218 mbishkrime skllevërish të gjetura në Butrinit. Nëpërmjet zbërthimit të këtyre mbishkrimve autorët kanë sjellë një panoramë më të plotë për organizimin politik dhe social të kohës. Për Prof Cabanes-in e veçanta e zbulimit në Butrint është numri i madh i mbishkrimeve të gjetura. “Ka rreth 600 mbishkrime që kanë të bëjnë me lirimin e skllevërve, në Butrint. Po t’i krahasojmë me ato të një qendre tjetër të rëndësishme siç është Delfi, që nuk kamë shumë se 1400 të tilla, vërejmë që Butrini ishte një qytet i zhvilluar”, shprehet Cabanes-i. Profesor emeritus në universitetin 10 të Parisit, Pierre Cabanes është themelues i misionit francez për arkeologjinë dhe epigrafinë në Shqipëri. Ai erdhi për herë të parë në shqipëri në vitin 1971 i ftuar nga profesor Louis Robert.
Ishte ky i fundit që i besoi materialinarkeologjik dhe e orientoi drejt këtij profili.