E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo hetim ndaj Arben Ristanit, Kolegji Zgjedhor s’gjeti shkelje”

08-06-2011 / Gazeta 55

Prokuroria rrëzon padinë e PS, pushohet çështja ndaj kreut të KQZ-së

Prokuroria vendos të mos nisë procedim penal për kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristanin në lidhje me padinë e bërë nga PS-ja që ka të bëjë me numërimin e votave në kutinë e gabuar për bashkinë e Tiranës.
Grupi i prokurorëve të organit të akuzës së Tiranës kanë vendosur mosfillimin e çështjes me një arsyetim mjaft të thjeshtë dhe konciz sepse Kolegji Zgjedhor në vendimin e dhënë ditën e premte nuk ka gjetur asnjë shkelje në veprimet që ka kryer kryetari Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërimin e votave në kutinë e gabuar.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për pushimin e çështjes së ankimimit të bërë nga Partia Socialiste për pavlefshmërinë absolute të vendimit të KQZ-së për vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit të gjetura jo në kutitë respektive, është i mjaftueshëm edhe për pushimin e çështjes në Prokurori, lidhur me kallëzimin penal të kryer nga Partia Socialiste për kreun e KQZ-së, Arben Ristani.
Vendimi i Kolegjit automatikisht vlerëson konform ligjeve vendimet e KQZ-së dhe rrëzon pretendimet për shkelje procedure apo ligji nga Ristani, sikundër pretendoi PS në kallëzimin penal të kryer në Prokurori.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilëve pushimi i çështjes është thjesht çështje procedurale dhe nuk ka nevojë për një vendimmarrje për plotësimin e procedurës.
Të njëjta burime nga Prokuroria bënë me dije se pas dhënies së këtij vendimi nga gjykata, organi i akuzës nuk mund të dalë mbi këtë organ dhe për këtë arsye ky kallëzim do të shkojë drejt pushimit.
Padia e cila është dorëzuar në 20 maj ka të bëjë me ecurinë e procesit të zgjedhjeve, që prej numërimit të kutisë së fundit, e cilësuar kjo si një skemë për të manipuluar rezultatin përfundimtar të Tiranës. Gjithashtu në këtë kallëzim janë cituar nenet 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor, sipas së cilave votat e hedhura në kutitë e gabuara janë cilësuar si të pavlefshme, deri në daljen e rezultatit paraprak për Tiranën. Më tej, numëruesit dhe anëtarët e KZAZ-ve, të propozuar nga Koalicioni për Qytetarin, ndryshuan qëndrimin, duke i konsideruar votat e pavlefshme si “të kontestuara”. Kjo sipas Partisë Socialiste është shkelje e ligjit e cila e ka dërguar veprimin e kryetarit të KQZ-së, në Prokurori.
Por menjëherë pas vendimit që ka dhënë Kolegji Zgjedhor, duke e cilësuar vendimin e marrë nga KQZ si të vlefshëm atëherë për këtë kallëzim nuk nis procedim.
Para depozitimit të kallëzimit ndaj Arben Ristanit, kryetarit ët KQZ-së, Partia Socialiste tentoi të bllokonte mbledhjet e KQZ-së duke tentuar të hynte me forcë, por që deputetët dhe militantët nuk mundën të kalonin kordonët e policisë.
Presionet e Partisë Socialiste ndaj KQZ-së vijuan më pas me deklarata për dhunë dhe me kallëzimet më Prokurori.
Së fundmi, PS vijoi me të njëjtën strategji edhe ndaj Kolegjit Zgjedhor pas vendimit të së premtes që pushoi ankimimin e saj ndaj numërimit të votave të vlefshme të qytetarëve, të cilët kishin ngatërruar kutitë përkatëse.
Ndërsa për kallëzimin tjetër të bërë për më shumë fletë votimi të hedhura në kuti se votues, burime nga prokuroria bënë me dije se prokurorët po hetojnë dhe se çdo gjë ka kohën e saj të hetimit dhe të verifikimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›