Jo me PDK’në
Isa Mustafa ka përjashtuar edhe një herë mundësinë që Lidhja Demokratike e Kosovës të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Zyrtarë të PDK’së kanë deklaruar se kjo parti mbetet e hapur për koalicion me LDK’në.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë në një intervistë për Express, të publikuar të premten, se PDK’ja është e hapur për koalicion edhe me partinë e Mustafës.
“Mendoj se ende është terren i hapur. Për ne, as LDK’ja nuk është parti armiqësore, e papranueshme. As AAK’ja dhe as dikush tjetër. Ata që kanë peshën më të madhe dhe fuqinë më të madhe kanë edhe përgjegjësi më tepër. Ne sillemi me përgjegjësi”, ka thënë Kuçi.
Por Isa Mustafa ka një mendim tjetër. Ai ka dhënë një përgjigje për PDK’në gjatë një tubimi me elektoratin e LDK’së në Deçan.
“Kurrsesi dhe në asnjë mënyrë nuk do të bëjmë koalicion me PDK’në”, ka thënë lideri i LDK’së, Isa Mustafa, në takimin përmbyllës të fushatës, të mbajtur të premten në Isniq të Deçanit. Ai edhe një herë ka përmendur abuzimet me vota dhe rivotimet, duke thënë se e gjithë kjo ka ndodhur pa fajin e LDK’së, por sipas tij, është fakt se është dhunuar vota e qytetarëve dhe është sjellë në pikëpyetje legjitimiteti i zgjedhjeve, por edhe i qeverisjes së ardhshme.
“Nuk mund të kemi parlament dhe institucione të dala nga zgjedhjet, të cilat nuk kanë legjitimitetin e qytetarëve”, ka theksuar Mustafa, i cili ka kërkuar votën e deçanasve për subjektin e tij politik.
Mustafa ka kërkuar edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, i cili nuk lë mundësi për manipulime siç ndodhën në zgjedhjet e 12 dhjetorit. “Askush nuk ka të drejtë të prekë votën dhe besimin qytetar, ndaj zgjedhjet duhet të kenë legjitimitetin e duhur”, ka nënvizuar ai, i bindur se grafikoni i përqindjes së LDK’së do të rritet në zgjedhjet e 9 janarit.