E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo më limuzinashëtitje me helikopterpër çiftin

SHKUP- Muaji korrik njihet si sezoni i ri i dasmave për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët vijnë për pushime nga vendet perëndimore dhe njëkohësisht kryejnë edhe dasmat e tyre në vendlindje. Sipas një shifre zyrtare, shqiptarët e Maqedonisë vetëm gjatë muajit
korrik të këtij viti do të harxhojnë për dasmat e tyre 100 milionë euro. Dasmat kanë filluar, por kulminacioni pritet në 15-ditëshin e dytë të muajit korrik, ku emigrantët e kamur do të marrin nuset dhe do të zbrazin xhepat.

Por dasmat e kësaj vere kanë filluar me një trend të ri. Shumë emigrantë apo biznesmenë të kamur kanë hequr dorë nga limuzinat amerikane, pasi një trend i ri ka zënë vend këtë verë. Shëtitja e nuses dhe e dhëndrit e më të afërmve me helikopter. Dhe ky luks i ri ka një kosto të lartë, ku çmimi shkon deri në 30 mijë euro me helikopterët më luksozë. Janë disa familje shqiptarësh në Maqedoni, që kanë porositur helikopterë për të shëtitur çiftin ditën e dasmës.

Vetëm para pak ditësh, një familje biznesmenësh e ka bërë dasmën me helikopter luksoz. Por, siç thotë një drejtues agjencish dasmash në Shkup, Inajet Avdullaj, "janë shumë biznesmenë dhe emigrantë të pasur, që këtë verë kanë porositur helikopter për të shëtitur çiftin e ri". "Kështu, - thotë ai, - kemi edhe tarifat përkatëse: Për helikopterë luksozë, çmimi për një orë shëtitje në ajër shkon në 5.000 euro ora, ndërkohë që ka edhe helikopterë modestë me çmim pak më të ulët".

Sipas tij, pas prenotimeve ata porositin agjenci në Greqi dhe Bullgari, të cilat posedojnë helikopterë për këto ceremoni. Vetëm gjatë kësaj jave janë bërë dy dasma nga shqiptarët e Maqedonisë me helikopter, ndërkohë që janë bërë disa porosi të tjera për të shëtitur çiftin ditën e dasmës me helikopter.
(e.n/summerpages/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›