Jo ndryshim të përbërjes së KQZ-së

Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Betim Gjoshi, i ka quajtur joparimore kërkesat për ndryshimin e përbërjes së këtij institucioni. Ai ka thënë se këto kërkesa nuk i kontribuojnë mbarëvajtjes së zgjedhjeve dhe funksionimit të KQZ-së.
“Kërkesat për ndryshim të përbërjes së KQZ-së janë joparimore dhe nuk i kontribuojnë as mbarëvajtjes së zgjedhjeve as funksionimit të këtij institucioni. Subjektet politike duhet të kuptojnë se ne jemi një institucion teknik, që organizon zgjedhjet dhe kemi rol më shumë të institucionit përgjegjës për ofrimin e shanseve të barabarta, ndërsa votuesit janë ata që përcaktojnë fuqinë politike të një subjekti politik”, ka thënë Gjoshi në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai i ka akuzuar partitë politike opozitare për politizim të reformës zgjedhore.
“Reforma zgjedhore në të cilën unë kam përfaqësuar PDK-në (në Grupin Punues të Zgjedhjeve) nga shumica e subjekteve politike, sidomos nga ato opozitare, është politizuar tejmase dhe që nga fillimi nuk kanë pasur gatishmëri për t’i kontribuar pozitivisht reformës, por më shumë e kanë përdorur për efekte politike”, ka vlerësuar Gjoshi, duke bërë me dije ndërkohë se, pavarësisht problematikës, zgjedhjet në veri pritet të mbahen në të njëjtën ditë me zgjedhjet në pjesët e tjera të Kosovës.
“Si rezultat i angazhimeve të Qeverisë, besoj se do të krijohen kushte më të mira që të organizohen zgjedhje në gjithë territorin e Kosovës”, është shprehur Gjoshi, duke shtuar se KQZ-ja është e përgatitur për organizimin e zgjedhjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës./Indeksonline/