Jo njëanshëm në Veri
Nga tetë faqe raport për punën njëqindditëshe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri Bajram Rexhepi asnjë fjali nuk ia ka kushtuar situatës kaotike në veri të vendit.
Për zonën, e cila është jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare tash e sa vjet, ministri Rexhepi pranoi se rezultatet atje janë modeste, e për këtë arsye nuk e ka përmendur fare në raport. Por ai tha se gradualisht, ligji do të vendoset edhe atje.
Ministri Rexhepi të hënën prezantoi para medieve punën për tre muajt e parë të këtij mandati të dikasterit që drejton, kurse për gjendjen në veri të Kosovës, foli vetëm pasi u pyet nga mediat.
Ai sërish tha se aktivitetet kriminale në veri të Kosovës janë fuqizuar edhe politikisht, dhe përgjegjës për këtë bëri Serbinë që po ndihmon strukturat ilegale paralele.
Rexhepi tha se Kosova ka kapacitete të arrestojë ata persona, por sqaroi se këtë nuk mund ta bëjë në mënyrë të njëanshme, pa koordinim me EULEX’in dhe KFOR’in.
“Kemi fuqi që ata njerëz t’i arrestojmë, t’i largojmë apo t’ua ndërpresim veprimtarinë, por çdo veprim i njëanshëm i institucioneve tona, pa koordinim me EULEX’in dhe KFOR’in, dihet se na kthen prapa në shumë aspekte”, tha ministri Rexhepi, sipas të cilit, për këtë arsye duhet koordinuar veprimet.
Ai madje tha se kjo është rruga e vetme që në veri të Kosovës të vendoset rendi e ligji. “Edhe pse është rrugë më e gjatë, por tjetër zgjedhje nuk kemi”, tha troç ministri, i cili nuk dëshiron që EULEX’in ta shikojë njësoj siç është shikuar UNMIK’u.
“Me të drejtë kemi pritur që EULEX’i të bëjë shumë më tepër në vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, aq më parë kur në raport të progresit kërkohet rritja e nivelit të sigurisë”, tha ai, duke përsëritur se me rezultate modeste që kanë pasur deri më tani, nuk kanë qenë të kënaqur.
“Tash shihet një lëvizje dhe aktivitet pak më i madh i EULEX’it dhe dëshirojmë që të jetë një fillim i mirë dhe presim që të ketë rezultate me pozitive për zbatimin e sundimit të rendit. Do të vazhdojmë me kritika nëse gjithnjë ka vend për to, në mënyrë që të kemi rezultate sa më të mira në vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit”, u shpreh ministri Rexhepi.
Duke folur për moszbatimin e urdhrave nga Prishtina zyrtare nga ana e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ministri Rexhepi tha se të gjithë ata që refuzojnë ta bëjnë këtë, do të përballën me suspendim apo edhe largim nga puna, sikurse me gjashtë komandantët e stacioneve në atë pjesë të vendit.
“Ne nuk kontaktojmë me struktura ilegale komunale dhe ne nuk i kemi partnerë. Nëse ndërkombëtarët arrijnë pa kompromis t’i bindin ata pjesëtarë të policisë, atëherë do të vazhdojnë punën ne vendet e reja që janë caktuar. Nëse jo, atëherë humbin vendin e punës”, tha Rexhepi, duke shtuar se janë konsistentë që edhe atje të shtrihet autoriteti legal i Kosovës.
Por më shumë se Policia e Kosovës, sipas ministrit, duket se në atë zonë ka punë EULEX’i dhe KFOR’i, pavarësisht se njësitet speciale të Policisë së vendit i përshkroi si të gatshme për çfarëdo situate.
“Për pjesën veriore, veprimet koordinohen me EULEX’in dhe KFOR’in. Në rast se njësitet e ndryshme mbështetëse të regjionit janë në ndjekje të ndonjë aktiviteti kriminal, atëherë njësitet speciale do të veprojnë në tërë territorin e vendit, sigurisë edhe në Veri”, u shpreh ministri Bajram Rexhepi.
Por situata ndryshon kur bëhet fjalë për operacione të koordinuara apo planifikuara me KFOR’in dhe EULEX’in.
“Prezenca e KFOR’it megjithatë e jep një siguri më të madhe në Veri. Në koordinim me EULEX’in dhe KFOR’in, jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në atë drejtim, derisa të shtrihet funksionimi ynë i plotë dhe i marrim përgjegjësit në të ardhmen e afërt, normalisht që edhe na takojnë”, sqaroi kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sa për dokumentin e hartuar nga Ylber Hysa, koordinator i Qeverisë për Veriun e Kosovës, ministri Rexhepi tha se shumicën e atyre që janë shkruar i di, por është mirë që janë vënë në letër.
“Pa cinizëm, po them se kam kërkuar që ndërkombëtarët ta lexojnë këtë raport, sepse ka shumë të dhëna që ata ndoshta s’i kanë ditur. Por, është një identifikim faktografik dhe jemi të vetëdijshëm për veprimet e tyre”, tha ai.
Në mënyrë të tërthortë, Ministria tha se ligji e rendi në Veri mungojnë edhe nga kujdesi i madh që faktori ndërkombëtar i kushton asaj zone.
“Ju e dini se faktori ndërkombëtar është më i kujdesshëm, përdor forma pak më të ngadalshme dhe me mjete politike. Në vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, kemi dallim, por shpeshherë them se çdo ditë është e përshtatshme për vendosjen e rendit dhe ligjit”, tha ministri, duke qartësuar se ndërkombëtarët kanë politika të tjera që i përdorin, sepse u përgjigjen edhe shteteve prej nga vijnë.
“Ne konsistojmë në atë se duhet larguar strukturat ilegale të sigurisë dhe të shpërbëhen strukturat paralele dhe të riorganizohen zgjedhjet konform Pakos së Ahtisarit”, u shpreh Rexhepi, duke e konsideruar bllokimin e rrugëve nga serbët në veri të vendit si të kundërligjshme.
Bllokimi i rrugëve
Ministri Bajram Rexhepi tha se tentimi që nëpërmjet bllokimit të rrugëve të detyrohen institucionet e gjyqësisë dhe EULEX’i që t’i lirojnë njerëzit që dyshohen për krime ekonomike, është tërësisht i papranueshëm. Sipas tij, ata kanë shprehur gatishmërinë që nga koha e nisjen së bllokimit të rrugëve, që bashkë me EULEX’in dhe KFOR’in të bëjnë planin e veprimit dhe të reagojnë. “Deri më tani, ky disponim yni nuk ka hasur në ndonjë kërkesë zyrtare. Jo pse dëshiroj të gjuaj topin te dikush tjetër, por pengesa më e madhe u bëhet EULEX’it dhe KFOR-it gjatë lëvizjes së tyre”, tha Rexhepi, duke shtuar se nëse këta mekanizma ndërkombëtarë janë aq tolerantë dhe e kanë gjetur një model që me deklarata t’i bindin serbët për zhbllokim të rrugëve, atëherë është problem i tyre. “Ne nuk mund të shkojmë kundër strategjisë së tyre. Por nëse kërkohet asistenca jonë, jemi të gatshëm që në çdo moment të jemi në zhbllokim të rrugëve”.
Fakte për 100 ditë
Janë lëshuar më shumë se 80 mijë letërnjoftime, më shumë se 49 mijë pasaporta, më shumë se 44 mijë patentë shoferë, më shumë se 13 mijë tabela të reja automjetesh. Nëse gjithçka vazhdon sipas procedurave të parashikuara, në tetor do të nisë dhënia e pasaportave biometrike.