E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativat e opozitës

Nga Express më 06 qershor 2011 në ora 17:08

Partitë opozitare po i shtojnë përpjekjet e tyre politike për të dalë në opinion me ide dhe alternativa të reja të politikave qeverisëse. Ditë më parë, LDK-ja vendosi të formojë disa grupe të ekspertëve të cilat do të punojnë në vazhdimësi në hulumtimin dhe prezantimin e politikave qeverisëse si alternativë në raport me politikat e qeverisë aktuale.

Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se grupet e formuara të ekspertëve nuk janë një qeveri në hije, por janë ekipe që do të punojnë nëpër fusha të ndryshme. Ato do të përcjellin punën e qeverisë dhe kohë pas kohe do të japin ide dhe sugjerime se si do të duhej vepruar në lidhje me qeverisjen në vend.

“Nuk është ideja e organizmit të një qeverie nën hije, por është organizimi për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe mundësisë për të ofruar një alternativë sa më mirë të artikuluar nga LDK-ja, për proceset politike që ndodhin në Kosovë”, thotë Gashi.

“LDK dhe kryetari Isa Mustafa kanë vendosur që të formojnë grupet e ekspertëve të cilat në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të LDK-së dhe Kryesinë e partisë, do të krijojnë një trekëndësh i cili do të bëj të mundur që të hartohen politika strategjike të LDK-së dhe të krijohet mundësi që të kemi një qasje më profesionale dhe më strategjike lidhur me qeverisjen e Kosovës, tash dhe në të ardhmen”, thotë ai.

Ndërkaq lidhur me bashkëpunimin e spektrit opozitar, zyrtari i LDK-së thotë se bashkëpunimi do të zhvillohet në nivelin politik, pasi që këto ekipe janë kryesisht nivel teknik që kanë për qëllim të ndihmojnë punën e LDK-së në Kuvend dhe Kryesi të partisë duke ofruar alternativa dhe ide të reja.

Qeverinë e parë nën hije si opozitë, shikuar nga prizmi i përvojës së deritashme të demokracisë në Kosovë e pati formuar subjekti aktualisht më i madh që drejton edhe me qeverinë, Partia Demokratike e Kosovës.

Por një organizim i tillë nuk pëlqehet nga i gjithë spektri opozitar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parapëlqen angazhimin politik sesa atë të organizimeve nën hije.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se kjo parti politike ka një traditë qeverisëse dhe nuk i sheh të arsyeshme dhe produktive organizimet tjera përderisa është në opozitë.

“Ne kemi një program mbi të cilin bazohemi dhe po ashtu edhe strukturat e partisë që kanë pasur edhe më herët një eksperiencë në qeverisje. Prandaj, formulimet e tilla si qeveri nën hije apo në formën e improvizimit duket se nuk janë aq të suksesshme. Puna e jonë bazohet në vlerësimin e situatës që e kemi dhe në një vizion që e ndryshon këtë situatë”, thekson Isufi.

Partitë opozitare në legjislaturën e re, LDK, Vetëvendosje dhe AAK, edhe në rastet kur kanë kundërshtuar apo kanë kritikuar veprimet e qeverisë, jo çdo herë janë treguar unikë dhe të koordinuar.
Sidoqoftë, me gjithë dallimet ekzistuese, kjo legjislaturë njihet për një opozitë shumë më të fuqishme sesa ato të mëparshmet. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›