Beqaj lavdëron punën 100-ditëshe të MZHE-së
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka shpalosur njëqind ditët e punës së ministrisë që ai drejton, duke filluar nga përgatitja e legjislacionit që është bërë, me procesin e transaksionit të PTK-së dhe lidhjen e marrëveshjes së re të Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), që sipas tij nuk është dështim prishja e marrëveshjes “Stand-by”.
Ai në një konferencë për media, të hënën ka thënë se kjo ministri ka filluar me ristrukturimin, ngase ngërthen në vete monitorimin e ndërmarrjeve publike dhe pjesën e telekomunikacionit.
Po ashtu ai ka shtuar se kjo ministri është marr edhe me pjesën ligjore, ku janë disa ligje në proces, siç është ligji për efiçencën e energjisë, i cili ka kaluar në qeveri dhe leximin e parë, pastaj ligji për ndërmarrjet publike, i cili ligj i rregullon menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
Beqaj ka shtuar se gjatë këtyre 100 ditëve, është marr vendimi në qeveri për privatizim e PTK-së dhe komiteti drejtues për privatizim, ka bërë rekomandimet, të cilat kanë kaluar në Kuvend dhe është bërë pjesë e ligjit.
Ai ka shtuar se gjatë javës së kaluar është bërë parakualifikimi i ndërmarrjeve që kanë qenë pesë të interesuar, ndërsa dy ndërmarrje kanë plotësuar kushtet. Beqaj me këtë ka thënë se kjo është një kënaqësi, pasi që këto dy ndërmarrje kanë një imixh të mirë dhe duke pas mbi 160 milionë parapagues në tërë botën.
Por i pyetur nga gazetarët se mos shtrirja postës në veri të vendit dhe mungesa e kodit telefonik të Kosovës, do të mund t’ia ul vlerën, Beqaj ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se kufijtë e Kosovës janë të njohur ndërkombëtarisht.
“Ne postën dhe të gjitha transaksionet të cilat i bëjmë, i bëjmë për tërë territorin e Kosovës, nuk shohim ndarje, nuk dëshirojmë të bëjmë ndarje të privatizimit të ndërmarrjeve. Prandaj në këtë kontest, çdoherë kur komunikojmë me secilin investitor potencial flasim për tërë territorin e Kosovës në kuadër të kufijve të pranuar ndërkombëtarisht. Ndërkohë çdoherë kur komunikojmë me secilin investitor potencial flasim për tërë territorin e Kosovës në kuadër të kufijve të pranuar ndërkombëtarisht. Ndërkohë çështja e kodit lidhet me anëtarësimin e Kosovës në ITU, por njëkohësisht edhe me pranimin në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Beqaj.
Po ashtu ai ka shtuar se mungesa e 3G nuk ul vlerën e PTK-së, sepse siç ka thënë Beqaj Kosova brezin aktual frekuencave, mund të ketë ende të shfrytëzueshëm.
Ministri Beqaj ka theksuar se në buxhet flitet për një moment, ku 300 milionë të të hyra të mëhershme do të inkasohen dhe që nuk lidhen me shitjen e postës dhe përcaktimin e postës që është diskutuar shumë herë. Sipas tij çmimin e postës do të vlerëson tregu.
Po ashtu ai ka folur edhe për një komunikim të drejtpërdrejt që kanë zhvilluar me sindikatat.
Ndërkohë ai nuk e ka quajtur dështim prishjen e marrëveshjes së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Unë nuk do të quaj dështim, kam parë me vëmendje të gjitha komentet, edhe nga opozita edhe nga ekspertët sa i përket marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ne nuk flasim për shkëputje të marrëveshjes, ne flasim për një ristrukturim të marrëveshjes, për një periudhë kohore do të jetë në monitorim të stafit”, ka theksuar ministri Beqaj.
Ndërsa për projektin e Kosovës Re, ministri ka thënë se është bërë ristrukturimi i Komitetit Drejtues për projektin, pasi që është dashur që të shpallet ky projekt materialisht më i avancuar, duke marr konfirmimin edhe nga Banka Botërore.
Ndërkaq parakualifikimi për këtë projekt është bërë me herët dhe tash dihet se janë katër ndërmarrje të parakualifikuar. /kosovapress/