E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo-opozita që po mbërthen aksionin politik të Edi Ramës

Përditë e më shumë po dëgjojmë nga lajmëtarët e së majtës shqiptare (me anë të mediave në shërbim të tyre), se qeveria Berisha na qenka e korruptuar.., se ajo nuk po punoka për të mirën e shqipëtarve, por për interesa të ngushta të saj.., se ajo na solli "Gërdecin" me viktimat e dëmet materiale që pasuan..., se ajo vrau Trebickën për shkak se ai (Trebicka), na paska qenë kundër Qeverisë Berisha.., se gomoneve në bregdet nuk u duhej privuar lundrimi, se do të na dëmtohej peshkimi, si edhe do të shkeleshin të drejtat e njeriut.., (e drejta për të gjuajtur!).., se rruga Durres-Kukës-Prishtinë, nuk qenka vepra më e madhe e të gjitha kohrave në dobi të shqipëtarve, por na qenka "gropa e madhe e korrupsionit qeveritar..", se "ligji për dosjet" na qenka anti kushtetues, e të tjera..

Shoqëria njerëzore, që me arritjen e ndërgjegjes për krijimin e grupeve shoqërore, për ata që bënin faj krijoi organin e ndëshkimit të fajit. Sot shteti ynë, ashtu si të gjitha shtetet e konsoliduara, ka sistemin gjyqësor modern, në të cilin kushdo mund të bëj padi për çka ai e shikon të arsyeshme duke e kërkuar, po të dëshiroj, deri në Strasburg. Këtë të bënte e majta shqiptare për ato që ajo mendon se magjoranca i bën keq, nuk i bën fare, shkel ligjet, shkel kushtetutën, nuk qeveris e të tjera. Në këtë formë ajo do të zgjidhte të gjitha ato veprime që ajo i mendon si të gabuara e që qeverisja në të gjitha instancat e saj i ka bërë keq ose nuk i ka bërë fare, veprime këto që mund të jenë shkelje te lehta, të rënda, dëmtime ekonomike, shkelje e të drejtave të njeriut e shumë të tjera, që ajo (opozita pra) i mendon e i vërteton si të tilla. Mbas këtyre veprimeve do të fillonte ndreqja: me gjobitje, me pushime nga puna, me burgosje e të tjera ndëshkime sipas neneve që përmbajnë kodet civile e penale. Në këtë mënyrë opozita do të fitonte pozitat e saj të humbura duke dëshmuar se ajo, di t’i gjejë gabimet edhe fajet, di t’i korrigjojë, t’i dënojë, dhe si rezultat, di të qeverisë.

E kundërta e këtyre që përmendëm ndodh me opozitën shqiptare. Ajo nuk po u referohet sa thamë më sipër, por bën përpjekje që gjërat t’i rregullojë më të shumtën me rrugën e "forcës" së mediave, se sa me ate të arsyes, të ligjit. Nga këto veprime kuptojmë se: ato gjëra që opozita i ngre si "shkelje ligjore, të të drejtave të njeriut, shkelje të marrëveshjeve me organizma të Bashkimit Europian apo ato ndërkombëtare nuk janë të tilla, nuk përbëjnë shkelje. Pra kjo formë përdoret nga opozita që të bëhet sa më shumë zhurmë nëpër medjat, ndoshta edhe duke menduar atë shprehjen e hershme "shpif, shpif se diçka do të mbetet..."

Ndërsa në lidhje me qëndrimin që mbajti e majta shqipëtare gjatë votimit në Kuvendin Shqipëtar të ligjit "për dosjet", mbetet për të thënë se, ata debutetë që nuk e votuan ligjin, ose janë të përlyer me organet e diktaturës dhe ligji do të veproj mbi ta, ose kanë njerëzit e afërt të tyre, të tillë. Ata duhej ta mendonin se erdhën në Kuvend me votën e të majtës shqiptare, dhe kjo e majtë është shumë e pastër për sa bën fjalë ligji i sipër cituar dhe do ta votonin ligjin me të dyja duart. Në këtë mënyrë ata tradhtojnë votuesin e tyre, veprim ky që mund të kushtoj shtrenjtë në votimet e ardhshme. Shtetit Shqipëtar dhe Kuvendit nuk i duhet një opozitë vasale e mendimeve dhe veprimeve të vjetra, ato duhet të groposen bashkë me kohën që i solli. Ky nuk është një element që nuk është kuptuar nga opozita, mbasi ka patur raste që kjo opozitë ka bashkëpunuar në aprovimin e ligjeve të rëndësishme, por këto veprime të mirëpritura nuk duhet të mbeten sporadike, apo të katandisen në llogje pa fund e pa idè, siç po shohim këto ditë në Këshillin Bashkiak të Tiranës e ndonjë herë edhe në Parlamentin Shqipëtar

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›