E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vranësirat e pritshme që po rrezikojnë Maqedoninë

Më 3 prill 2008, në gazetën "Shpic", në tekstin me titull "Prapa e kemi dimrin" paraqita disa parashikime konkrete, për atë se çfarë do të ndodhë me Maqedoninë në muajt pas Samit të NATO-s në Bukuresht.

Më 3 prill 2008 parashikova. Ja se ç'shkruajta atëherë: 1. Reaksioni i parë do të jetë derdhja e emocioneve të forta anti-greke. Ne ndjehemi të fyer nga veprimet e fqinjit tonë (…). Kampanja anti-greke edhe shumë do ta keqësojë pozicionin tonë ndërkombëtar, sepse do ta verifikojë tezën e liderëve grek se Maqedonia është fqinj me disponim armiqësor. Kjo do t'i rëndojë gjasat për kompromis konstruktiv në situatën kur Aleanca, prapëseprapë na la derën e hapur. 2. Retorika nacionaliste e llojit millosheviqian u bë lajtmotiv bazë i jetës politike në vend. Zurlat mediale të pushtetit do të bëjnë çmos që maqedonasit të besojnë se janë popull "hyjnor", se janë të kënaqur, se mund të jetojnë duke hëngër rrënjë, se izolimi politik në dimensionin hapësirë mund ta tejkalojnë me aventurat në dimensionin kohë, duke u zhytur në të kaluarën antike (…) 3. Flatra do të fitojnë euroskeptikët, njerëzit që hapur angazhohen që vendi ynë të mos bëhet anëtare e NATO-s dhe Unionit Europian(…) Para se gjithash mendoj për të pafajshmit e kampanjës anti-NATO të pushtetit, që udhëhiqet me besim e shpresë, siç do të thoshte Gruevski, se Maqedonia mund të bëhet vend i pasur dhe me prosperitet (si Zvicra), edhe sikur të mos jetë pjesë e procesit të integrimit në Evropë, në hapësirën e unifikuar ekonomike, politike dhe të sigurimit (…) 4. Qeveria do të zhvillojë koncepte shterpë se si të fitojmë ndonjë të mirë nga kjo situatë, duke e paditur Greqinë në Hagë për mospërfilljen e Marrëveshjes së përkohshme dhe duke ngritur procedure në Organizatën botërore kundër Greqisë për heqjen e referencës IRJM (…) 5. Nikolla Gruevski, alfa dhe omega e politikës maqedonase, do të tentojë dhe mendoj se do të ketë sukses, ta konkretizojë idenë e zgjedhjeve të parakohshme. Maqedonia do të bëhet farkëtare e pasioneve politike, do të harxhohet energji e madhe, e cila mund të përdoret për konsolidimin e pozitës sonë ndërkombëtare për vazhdimin e proceseve eurointegruese. 6. Çështjet e hapura të ndërlidhura me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do të kalojnë në krizë ndëretnike. Në mungesë të pozitës së forte ndërkombëtare (kjo do të thotë ftesa për NATO), kjo qeveri nuk ka kapacitete t'i zgjidhë këto çështje, por edhe ta menaxhojë krizën. 7. Turbulencat politike, kriza ndëretnike dhe histeria e përgjithshme nacionaliste mund të shkaktojnë keqësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe Bullgarinë (…) Por, edhe me Serbinë do të kemi probleme kur do ta pranojmë Kosovën si shtet të pavarur, të cilën gjë patjetër duhet ta bëjmë nëse dëshirojmë që të kemi një paqe me shqiptarët në vendin tonë. 8. Maqedonia s'do të mund të mbajë nivelin e përkrahjes së miqve të saj perëndimor, siç është sot (…) Për fat të keq, maqedonasit nuk kuptuan se sa e rëndësishme ishte përkrahja e Bushit, ndaj edhe e ofenduan jo vetëm Metju Nimicin, por edhe Daniel Fridin dhe Viktorija Nulandin dhe shumë të tjerë që u përpoqën të na ndihmojnë. Kur do të pushojnë këto ofendime, pozita e Greqisë në NATO dhe UE do të jetë edhe më e fortë. 9. Në një atmosferë të këtillë, në Maqedoni mendoj se do të forcohen konceptet jo demokratike dhe antiliberale. Do të jemi dëshmitarë të përpjekjeve të ashpra për vënien e censurës, në rrezikimin e lirive bazë politike, në forcimin e intervencionizmit shtetëror në ekonomi, në rrezikimin e karakterit sekular të shtetit dhe në zhvillimin e shumë koncepteve tjera karakteristike jo vetëm për konservatizmin, por edhe për despotizmin në politikë".

Ja, kështu kam shkruar para dhjetë muajve. Sot mund të them se jam i lumtur, jo për atë që në mënyrë precize i kam paraparë proceset e pavolitshme, por për atë që nuk u realizuan disa parashikime të mia të zeza. Duke iu falënderuar durimit të liderëve të shqiptarëve në Maqedoni, kriza ndëretnike nuk ndodhi. Mbajtëm marrëdhënie korrekte me fqinjët tanë, duke përjashtuar këtu Greqinë. Përkundër kësaj, euforia nacionaliste në vend dhe keqësimi dramatik i pozitës sonë ndërkombëtare i tejkaluan parashikimet e mia. Por, edhe sikur shumë analistë tjerë, nuk e parashikova shpërthimin e recesionit global.

Parashikoj sot, më 7 shkurt, 2009:

Sërish, edhe tani, do të jem i pakujdesshëm dhe do të rrezikoj të parashikoj se çfarë do të ndodh me ne në muajt pas zgjedhjeve lokale dhe presidenciale, bile pavarësisht çfarë do të jetë rezultati. 1. Porta e Uniont Evropian do të mbyllet fort. Pos Kroacisë, të gjithë pretendentët tjerë do ta presin ratifikimin e Aktit të Lisbonës. Dhe vetëm pastaj Brukseli do ta redefinojë politikën e zgjerimit, gjatë së cilës nuk përjashtohet mundësia që gjithnjë e më zëshëm shprehet - angazhimi për krijimin e njëfarë bafer-zonë për aplikantët e rinj, në formë të anëtarësimit të përkohshëm ose jo të plotë në shoqërinë e të privilegjuarve. 2. Nuk do të anëtarësohemi edhe në NATO. Kontesti me Greqinë nuk do të zgjidhet. Ky është vit i krizës edhe për Shkupin, edhe për Athinën. Në të dy metropolet nuk do të ketë vullnet për kompromis. Do të bisedohet sa për të thënë se po bisedohet. Zgjidhja e kontestit është e njohur, ndërkaq këtë e tregoi Grupi Ndërkombëtar i Krizave - Maqedonia duhet të pajtohet me emër të pranueshëm për përdorim ndërkombëtar, ndërkaq si kompensim të marrë garanci të fuqishme për identitetin e saj. Sikur të ishim të mençur, tash kjo do të ishte punë e kryer. 3. Qeveria e Gruevskit do të vazhdojë me politikën e saj për "antikvizimin" e Maqedonisë (emër i keq për politikë edhe më të keqe!). Por, mendoj se shumë shpejt do të sqarohet se cili është qëllimi i kësaj aventure, e cila edhe më tepër do ta prishë imazhin e Maqedonisë në botë. Do të humbim edhe miq të tjerë, ndërkaq kjo do t'i japë argumente plus Greqisë për ta bllokuar procesin e mënjanimit të barrierave të Shengenit për qytetarët e Maqedonisë. 4. Iluzioni për vetekzistimin e Maqedonisë, vend i cili mund të ekzistojë i izoluar nga bota, nën valën e krizës botërore ekonomike shpejt do të rrënohet. Vendi do t'i thith rezervat e brendshme dhe në mënyrë eksprese do të përballet me probleme të shumta në ekonomi. Me mijëra njerëz do t'i humbin vendet e tyre të punës dhe do të shtohet numri i të varfërve. Nëse deri në fund të vitit nuk bien barrierat energjetike, gjendja do të ashpërsohet edhe më shumë. Njerëzit nuk do të mund të kërkojnë punë dhe bukë në vendet fqinje. Maqedonasit do t'i humbin shpresat e tyre, do të mbretërojë letargjia, apatia dhe ndjenja e paperspektivës. 5. Edhe më tej jam i bindur - e do të kisha dëshiruar të gaboj - se trendet e këtilla të pavolitshme mund të shkaktojnë një krizë të re ndëretnike. Nëse bashkësia shqiptare në Maqedoni mbetet e izoluar si tani, nuk e besoj se liderët shqiptarë gjatë kohë mund të bashkëpunojnë me ata maqedonas. Nuk përjashtohet që rrugëdalja përkohësisht të kërkohet në prishjen e kufijve mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës me krijimin e "mini Shengen zonës", e cila në shfaqjet mitike gjithsesi do të përjetohet si "Shqipëri e Madhe". Nuk e kam të qartë se si këtë do ta gëlltisë Qeveria vmro-iste e Gruevskit. 6. Dhe në fund, konceptet jodemokratike, despotike dhe anti-liberale për të cilat pata bërë fjalë para dhjetë muajve, do të marrin hov dhe do të shkrihen në politika konkrete në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Megjithatë, pres që këto të përballen me rezistencën e ashpër të forcave progresive dhe liberale në shoqërinë maqedonase.

A do të realizohen këto parashikime? Kuptohet, nuk do të thotë kjo që të ndodhë. Filozofi i njohur Hana Arent thotë se parashikimet e ardhmërisë nuk janë asgjë tjetër pos "projektime të proceseve dhe procedurave të tashme, të cilat me siguri do të bëhen ngjarje nëse njerëzit nuk veprojnë ose nëse nuk ndodh diçka e papritshme". Çdo aksion kah e mira apo e keqja, çdo incident, thotë Arent, "patjetër e prish kornizën në të cilën zhvillohen parashikimet dhe në të cilën ato e kërkojnë dëshminë e vet". Me fjalë të tjera, nëse dëshirojmë ta ndërrojmë kornizën që proceset i bën lehtë të parashikuara dhe nëse dëshirojmë ta ndryshojmë rrjedhën e ngjarjeve, atëherë - duhet të veprojmë.

Maqedonisë i nevojitet një kornizë e re, një rrëfim i ri. Shpresoj se kampanja që do të pasojë do ta shënojë fillimin e saj.

Nga e përditshmja e Shkupit "Koha"

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›