Telefonatë për Shoah-un ndërmjet Papës dhe kancelares gjermane

Papa Benedikti XVI dhe kancelarja gjermane Angela Merkel sqaruan përfundimisht me një telefonatë, qëndrimin e Atit të Shenjtë ndaj shfarosjes së hebrenjve gjatë nazizmit. "Një bisedë e përzemërt dhe konstruktive, shënuar nga paralajmërimi i përbashkët, gjithnjë i vlefshëm, i Shoah për njerëzimin". Kështu komentuan në një komunikatë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi dhe zëdhënësi i qeverisë federale të Gjermanisë, Vilhelm. Biseda telefonike u kërkua nga vetë kancelarja Merkel, pas debatit në shtyp për qëndrimin relativist ndaj Holokaustit të ipeshkvit lëfevrian, Uiljamson, të cilit iu hoq shkishërimi nga Papa sëbashku me tre të tjerë.
Benedikti XVI pret ambasadorin e ri të Brazilit në Vatikan/E mira e njeriut dhe e mira e kombit, janë pikat konvergjente ndërmjet Kishës e Shtetit në Brazil. Kështu tha Benedikti XVI para ambasadorit të ri të Brazilit në Vatikan. "Dashamirësi të sinqertë e vlerësim të posaçëm për kombin fisnik" brazilian shprehu Papa dje, me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale të ambasadorit të ri të Brazilit pranë Selisë së Shenjtë, Luis Felipe de Seixa Korrea, të cilin e porositi që Vendi i tij të impenjohet për paqen botërore dhe mbrojtjen e parimeve themelore, në mënyrë të veçantë atë të sakralitetit të jetës njerëzore. I martuar, me katër fëmijë, doktoruar në Drejtësi, de Seixas Korrea ka qenë ambasador i Brazilit në Meksikë, Spanjë, Argjentinë, Gjermani, si dhe përfaqësues në Gjenevë, e pranë institucioneve të ndryshme në OKB. "Synimi i përbashkët, si ai i Kishës, me misionin e saj të natyrës fetare e shpirtërore, ashtu dhe ai i Shtetit, megjithëse i ndryshëm nga ai i Kishës, duhet të jetë: e mira e qenies njerëzore dhe e mira e përbashkët e Kombit". Këtë pohoi Papa Benedikti XVI, duke përmendur edhe Marrëveshjen e kohëve të fundit ndërmjet Shtetit e Kishës, marrëveshje, e cila përcakton statusin juridik civil të Kishës katolike braziliane si "bashkëpunim të sinqertë" me qeverinë. Papa kujtoi se "Brazili është vend që ruan e kultivon në pjesën më të madhe të popullsisë fenë e krishterë. Ungjillëzimi i popullsisë braziliane është bërë prej më se pesë shekujsh". Në anën tjetër, Papa tha se shpreson që "në përkim me parimet që mbrojnë dinjitetin njerëzor, të cilat Brazili i ka mbrojtur gjithmonë, të vijohet në promovimin dhe përhapjen e vlerave themelore njerëzore", duke njohur "në mënyrë të qartë sakralitetin e jetës familjare e mbrojtjen e foshnjave që nga zënia e deri në mbarimin natyror të jetës". Lidhur me eksperimentimet biologjike, Papa Benedikti XVI porositi "mbrojtjen e një etike, që nuk e shpërfytyron e që mbron ekzistencën e embrionit dhe të drejtën e tij për të lindur".
Një manastir është në rrezik në Turqi: tokat mund t’u jepen fshatrave përreth/Një manastir në rrezik në Turqi. Toka ku ngrihet është ndarë ndërmjet fshatrave përreth, megjithëse murgjërit e Kishës ortodokso-siriane janë aty që prej 1600 vjetësh. Akoma pritet vendimi i gjyqit më 11 shkurt. Gjithçka nisi në janar, kur qeveria turke dha urdhër të ripërcaktohen kufijtë ndërmjet administratave të ndryshme komunale, për të azhornuar regjistrat kombëtarë. Duket se në këtë punë, tokat që i përkisnin manastirit shekullor Mor Gabriel janë ndarë mes fshatrave të zonës. E bashkësia ortodokso-siriane, që jeton aty, rrezikon të shpërngulet nga banesa mijëvjeçare. Në Mor Gabriel jetojnë me një stil spartan, 35 murgjër. Manastiri është restauruar kohët e fundit me fonde të Bashkimit Evropian, të qeverisë së Damaskut dhe të afaristëve sirianë. Çdo vit vizitohet nga mëse 100 mijë besimtarë, sidomos nga diaspora siriane në Gjermani e Zvicër. Në gusht të vitit të kaluar, tri kryetarë komune të zonës i akuzuan murgjërit për veprimtari antiturke, duke thënë se po përpiqeshin të kthenin në krishterim fshehtasi disa djem të zonës. Banorë të një fshati afër manastirit i akuzojnë se zotërojnë toka që mund të shërbejnë si livadhe për grigjën. Fati i Mor Gabrielit do të vendoset me gjyq më 11 shkurt.
...