Paniku i atyre që s’e gjetën dot martirin e joreformimit të drejtësisë

Nuk kemi nevojë për panik. Sidomos kur pas atentatit të një gjyqtari të republikës shfaqen simptomat e një lajthitje kolektive. Hamendësime e prapaqëllime nga më të ndryshmet. Me pista hetimesh gazetareske. Të pa cipa. Sot sidomos sot nuk kemi nevojë për panik. Republika i mbron qytetarët e saj më të gjitha organet e mundshme. Kurdoherë. Por sot: një ditë pas atentatit, atyre iu kërkohet të jenë super-heronj, madje edhe të tipit alla-Minority report. Kjo është një ngjarje rëndë, ku njerëz me principe kriminale, tentojnë të godasin ashpër qytetarin. Lirinë. Jo drejtësinë. Sepse një kriminel nuk e di çfarë do të thotë "drejtësi". Për të drejtësia është diçka abstrakte. E pakonceptueshme. Ai godet. Godet lirinë e qytetarit e pastaj atë që quhet drejtësi. Thirrjet se duheshin parandaluar me rreptësi këto krime kundër drejtësisë tregojnë një cektësi prej kaste jakobine. Tipike shqiptare.
Sepse natyra e krimit është krimi. Dhe vetëm krimi. Pa më thoni, krimet ordinere nuk duhen parandaluar? Apo duhet të bëjmë një seleksionim të krimeve që duhet parandaluar? Absurde. Ja pra ndodhemi në një videokraci ku sa më shumë flet përpara kamerash aq më shumë bëhesh paladin i drejtësisë televizive e populiste. Ja pra ndodhemi në një deklarata-kraci ku sa hap e mbyll sytë bëhesh tribun i drejtësisë. Ku shkojnë këto avokatët e djallit? E pra ka diçka që nuk shkon. Demokracia nuk shkon kështu me histerizma. Histerizmi i politikanëve, i kastës së drejtësisë mediatike bashkë me klubin e jakobinëve, me e kthye një atentat ndaj së pari një qytetari e pastaj së dyti ndaj funksionari të shtetit është diçka që le për të dëshiruar. Politika duhet të pyes veten. Politika duhet të heqë dorë nga shembujt e gabuar: sepse, jo çdo lajm i kronikës së zezë është një shkak për t’iu vërsulur institucioneve. Në vetvete sulmi ndaj funksionarit të shtetit na bën të shprehim përkrahjen tonë me fatkeqin, por në të njëjtën kohë disave i jepet preteksti i sulmit politik. Kemi kulturë e hienave ku çdo trup apo ngjarje është e mirë për të bërë pak gjullurdi apokaliptike. Kjo tregon maturinë e politikës që është kthyer në një politikë sensacionale. Pa rend e pa kuptim. Organet që i janë deleguar ndjekjes së krimit kanë iterin e tyre. Patjetër duhet sinjalizuar se kaposhizimi i politikës dhe i politikanëve në një ditë të tillë nuk ndërlidhet vetëm e thjesht me ta. Është edhe zelli voyeur-ist i cili shquhet deri në paturpësi në media e që duhet të marrë menjëherë fund. Sot ne kemi nevojë më shumë se kurrë në historinë tonë pluraliste për politikanë që nuk e lënë veten të tërhiqen zvarrë prej emocioneve sensacionale të ndodhive, për ta shndërruar kështu ndoshta një kontrastim personal në një kontrast ndër-institucional; nuk i duhet lejuar vetes të bëjmë deklarata e të mbajmë qëndrime "inatçore" në sytë e publikut, vetëm sepse jemi oponentë të një politike të caktuar. Përkundrazi, gjithnjë e më shumë sjellja duhet të jetë e qetë dhe e matur dhe pikërisht këtu konsiston merita e demokratit që ka përzemër të "mirën publike". S’duhet t’i njollosim institucionet vetëm sepse një funksionari i është bërë një atentat. Indeksi i histerive është i lartë kur situata është paradoksale e atipike.
Eksitimi i atyre që përdorin gjithçka për të bërë politikë, po s’e pate mendjen, të dërgon drejt e në humnerë. Manipulohesh. Aq më shumë kur kemi të bëjmë me një panik media-shtetëror, e cila ndërthuret në mënyrë maniakale me fabrikën e pasjes frikë. Me fabrikën e pa-sigurisë. Frika e shtetit që është shpesh pa shkak ose pa e ditur arsyen e vërtetë. Duhet të dijmë se edhe atentatorët kanë arsyet e tyre. Që natyrisht nuk përputhen me principet tona. Sepse janë të dëmshme. Por qesharakë janë edhe ata që e supozojnë "atentatin" si frikë të institucioneve për institucionet. Hamendje të një klimë mosbesimi. Mosbesimi në strukturat e shtetit. Të gatuara në politika të reja e të vjetra. E përsërisim, arsye-hetimet e shtetit që cilësojnë Atentatin, si një veprim që kryhet në kundërshtim me ligjet në fuqi, që ka pasoja të dëmshme e të rrezikshme për shtetin, për shoqërinë a për ndonjërin nga pjesëtarët e saj, dhe që dënohet në bazë të kodit penal, janë edhe të tonat. Për këtë jemi dakord. Padyshim.
Neuroza e sistemi mediatik pas atentatit ndaj një gjyqtari të republikës së Shqipërisë po kalon fazën e neverisë. Lart e përposhtë nga strofullat e tyre jakobine dëftehet qartë një zhgënjim i tipit nevrastenik. Zhgënjim i madh sepse kërkonin një martir për një kauzë të humbur. Një martir që do të ndalonte reformimin e sistemit të drejtësisë. Neuroza që vjen nga mospasja e një martiri, i cili do të paraqiste një dëshirë dhe mbrojtje perfekte të jakobinizmit totalitar. Mirëpo kësaj radhe falë zotit s’kemi martir për politikën dhe median kinse të lirë.
...