Lojë spiunësh
Skënder Minxhozi
Në politikën shqiptare ka pasur gjithmonë një zonë gri. Ka qenë ajo pjesë e kontingjentit të figurave aktive në skenën e sotme, që kanë mundur ta kamuflojnë pjesërisht ose tërësisht të shkuarën e tyre, nga sytë e kureshtarëve dhe filtrat e rregulloret në fuqi, dhe më pak nga faqet e shtypit apo nga zhurmnaja e përhershme e thashethemeve që popullon bisedat e opinionit publik. Megjithatë mesa duket edhe një herë, pas komisioneve, nismave parlamentare dhe filtrave të tjerë ligjorë, u dashka të nisim një betejë të re qesharake me spiunët. Në vazhdën e lëvizjeve për të markuar hap pas hapi kreun e shtetit, maxhoranca ka vendosur ta spostojë luftën e saj brenda llojit, tek krijimi i një preteksti të ri për të rrëzuar kandidaturat që Bamir Topi do të sjellë për Gjykatën e Lartë (sa shumë sherr po ndez ky institucion). Një iniciativë që kërkon të parandalojë filtrimin e ish-agjentëve të Sigurimit në strukturat e shtetit dhe drejtësisë, po përgatitet të kalojë me urgjencë në bangat e Kuvendit, megjithëse jeta e përditshme do të sugjeronte një listë krejt tjetër prioritetesh për punën e deputetëve të këtij populli.
Kjo qeveri ka sot njëmijë e një halle më të rëndësishme, më akute dhe më të prekshme për të ardhmen e vendit, sesa kjo fushata e fundit “me goditje të përqendruar” për spiunët. Zgjedhjet, çmimet, papunësia, energjia, infrastruktura, korrupsioni, grevat e minatorëve – lista e asaj çka do të duhej të zgjidhte kryeministri mund të zgjatet pafund, por mesa duket, siç e ka thënë një koleg gazetar para do kohësh, “kryeministrin mos e ngacmoni, se ai vetëm me qeverisjen s’ka punë”. Shqipëria e sotme është vërtet vendi i shpresave historike, vendi që ka marrë ftesën për në NATO dhe po përpiqet të zvarritet drejt derës së vagonit të fundit të BE-së, porse ai është gjithashtu vendi i krizave endemike dhe i problemeve që s’u zgjidhën kurrë.
Vaji i kandilit të antikomunizmit shqiptar, i konceptuar si doktrinë kundërvënieje dhe revanshi social e politik, ka kohë që ka mbaruar. Donkishotët që përpiqen t’i fryjnë e ta mbajnë gjallë, do të duhet t’u shpjegojnë para së gjithash atyre mijëra adoleshentëve të sotëm, të rritur në një tjetër botë dhe me të tjera standarde, kërkesa e aspirata, se çfarë është kjo rrangalle që shkojnë e nxjerrin nga bodrumet e propagandës së viteve ’90, sa herë që punët nuk u shkojnë mirë. I parë me sytë e një të riu që kërkon një vend pune më tepër, një shpresë më tepër dhe jo një sherr parlamentar më tepër, kjo kartë e zverdhur, mbi të cilën kanë “përmjerrë” të gjithë hipokritët e politikës shqiptare në dy dekadat e fundit, nuk ia vlen të keqpërdoret më tej.
Duke e marrë të mirëqenë se të luftosh sot Bamir Topin si person është një makiavelizëm i panevojshëm dhe budalla për shumicën aktuale, mund të konstatojmë njëherazi me qetësi dhe dëshpërim, se është tërësisht joproduktive dhe jashtë kohe që të shtyhen deputetët për të miratuar projektligje rrufe, tamam si prindërit tanë që i nxirrnin dikur nëpër oborret e pallateve për të pastruar plehrat me urdhër. Natyrisht duke shtuar se kjo puna e plehrave atëherë e ka pasur gjithsesi një efekt pozitiv, ashtu siç nuk ka veçse mllef të kotë dhe inat bizantin kjo puna e ligjit të spiunëve në këtë moment.
Nëse vërtet demokratët kanë vendosur të luftojnë Topin, le ta gjuajnë ballazi “me top”, por mos ta hanë pas shpine, si ata gjakësit e dikurshëm që të vrisnin pas ferre.
Projektligji për spiunët është një marrëzi vere, e cila megjithatë nxjerr edhe një herë në pah me të gjithë shëmtinë e saj, krizën e thellë të institucioneve që s’po gjen zgjidhje në Shqipëri. Dhe nëse kjo situatë vijon të tërhiqet në kufijtë e “revolucionit të pandërprerë”, asgjë e mirë nuk parashihet për këtë vend të drobitur nga politikanët e tij idhnakë dhe hileqarë.
Shoqëria dhe politika shqiptare i njeh spiunët e saj. Secili prej eksponentëve të sotëm politikë, me ose pa stazh politik, e di fare mirë kush ka bërë çfarë në kohën e Enver Hoxhës. Njerëzit, ose të paktën një pjesë e tyre, janë gjallë dhe kanë parë, dëgjuar apo edhe pësuar gjatë diktaturës komuniste, nga ata që dikur spiunonin për një “krodhe buke”, kurse sot bëjnë gjithfarë akrobacish majtas dhe djathtas, për të qëndruar në karron e postit zyrtar apo politik. Kjo është e vërteta e prekshme, jo e vërteta virtuale që kërkon të krijojë një projektligj, që pasi fjeti dy vjet në sirtarët e Kuvendit, tani po i heqin pluhurin dhe po e votojnë me urgjencë. Kjo lojë spiunësh është po aq e shëmtuar se edhe ato paraardhëset. Për pasojë edhe po kaq e dështuar sa ato të tjerat. Spiunët nuk hiqen me urdhër apo me ligj. Ata nuk kandidohen qysh në krye të herës, qysh në atë momentin magjik që i shndërroi ata nga mostra të së shkuarës diktatoriale, në “asete” të vlefshme për partitë politike të sotme – këto lozha masonike dhe “faltore” të mëdha të mëkateve të së shkuarës, që Berisha dhe Topalli kujtojnë se do t’i pastrojnë me një të rënë të lapsit.