E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti shkollor ka filluar zoti Beqja!

Andon Andoni 

Në të vërtetë shkrimi “Për vitin e ardhshëm shkollor” i botuar në “Panorama” më datë 27 qershor 2008, me autor Ilir Beqjan, që në titull të jepte përshtypjen se ishte një shkrim që do ngrinte e pozonte ndonjë sjellje e problem të fillimit të vitit të ri shkollor, kur po nis një nga reformat e mëdha të këtij mandati qeverisës (i anonçuar që në qeverisjen socialiste) ai i kalimit të sistemit nga tetë në nëntëvjeçar të shkollës bazë dhe atë trevjeçar të shkollës së mesme, që për hir të së vërtetës ka angazhuar në këtë fundviti shkollor të gjithë strukturat e arsimit nga ministria deri në shkolla dhe mësuesit që kanë filluar nga puna prej kohësh.
Mendova se do ta kishte lidhur këtë fillimviti edhe me një tjetër aksion të madh të shkollës me përfundimin e Maturës Shtetërore 2008, e cila mund të merret si një model i një dore shtetërore përfaqësuese në raport me të gjithë palët në jetën shoqërore.
Por me logjikën e një ekonomisti kurnac (kishte bërë plot llogarira, por të të tjerëve, jo të vetat), gjithë motivet dhe argumentet e shkrimit ishin një dështim hipotetik në shtatorin 2008 i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i Qeverisë, i shkollës, i librit që nga mosdija se kur do fillojë viti i ri shkollor dhe deri te mungesa e librave dhe amullia e prindërve, duke humbur kohë të konvertuar në euro, për t’i blerë ato tek oborri i shkollës, tek libraria e qytetit apo për t’u rimbursuar tek zyra e postës shqiptare që na bëkërka konkurrencë të pandershme e monopoliste.
Më thanë se zoti Beqja është komisioneri i Partisë Socialiste për çështjet sociale dhe duke përzierë të gjitha çështjet jo sociale, si atë të çmimit të letrës, të rimbursimit të librit shkollor, të numrave të vendimeve të qeverisë që kishte përmendur etj., etj., për t’u bërë edhe ekspert i arsimit, apo më saktë parashikues i shtatorit të dështuar 2008, më zhgënjeu me logjikën e shkrimit të tij “që do bëhen gorricat edhe në dimër se më hahen mua”.
As një çudi nuk është nëse gjen edhe në shkrimin e Beqjes pohime të tilla si:
“Duhet pranuar se deri në 2004 procesi i prokurimit të librit shkollor ka qenë nga më të përfolurit… Në mes të vitit shkollor fletët (e librave) fillonin e shqiteshin. Në disa tekste nxënësit shikonin që dielli apo qielli kishin ngjyra të tjera nga ato që kanë në natyrë. Drejtuesit aktual të Ministrisë së Arsimit (dhe Shkencës) u përpoqën që të shmangin motivet që e bënin të përfolur punën e tyre (nënkupto punën e kolegëve të Ilir Beqjes që ishin në pushtet në 2004). Në parim përpjekja (reforma e Altertekstit) është e admirueshme. Por kjo s’mund të bëhet nga çeta aktuale e qeverisëse!?”
Pra, as më shumë dhe as më pak thelbi i kësaj logjike është ky:
Ne që e dreqosëm deri në 2004 me punën e librit shkollor, por mund ta … “ndreqim”, (nënkupto përdhosim, katranosim) siç dimë vetë po e morëm edhe njëherë në dorë, pasi ju o njerëz qeverisës të sotëm, kini vetëm dëshirat për t’jua përshëndetur e sa për realizimet jemi ne, progresistët që dimë t’i bëjmë në këtë vend!
Më shkoqur s’ka ku të vejë. Ajo që prej kohësh po presim të mësojmë se si Partia Socialiste do të zgjidhë në një koncept konkret të sajin një problem të pozuar në realitetin e jetës në këtë vend, po na bëhet me dije përmes zotit Beqja:
-”Ju mbillni reforma dhe idera, ndërsa ne do vijmë të korrim me metodën tonë tashmë të shpallur e të njohur si njëherë e një kohë”.
Do bjerë vapa e gushtit dhe do hyjë shtatori dështak dhe i mëgjunjur në arsim, sipas shkruesit në fjalë.
Por sërish nuk patëm fat të mësojmë ndonjë alternativë të suksesshme të hedhur prej tij. Në shkrim, siç është e njohur dhe gjithë deviza politike e grupimit që ai përfaqëson, rrotulloheshin paragrafë apostrofike, hipotetike, që i kushtoheshin dështimeve permanente e të paevitueshme të kësaj qeverie dhe në veçanti Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, mungesës së vizionit të politikanëve qeverisës, vështirësimit dhe varfërimit të panevojshëm të jetës së popullit nga kjo qeverisje antipopullore, vuajtjeve të pafund që ajo shkakton tek nxënësit  dhe mësuesit etj., etj. As edhe një fjali për ndonjë sugjerim konkret opozitar për të zgjidhur një problem (Po e ulim stekën me vetëdije tek përdorimi i fjalës “sugjerimi” se me grishjen për të shpalosur vizione alternative, nuk duam të tuten edhe ato potenciale që padyshim duhet të jenë në të majtën e opozitës). Ndërsa pohimit të së vërtetave të suksesshme tashmë të mirëpritura nga të gjithë njerëzit e këtij vendi, siç ishte dhe “Matura Shtetërore 2008” ia kanë frikën si djalli prej temjanit.
Gjithsesi, Beqja tenton të mos jetë krejt bardhë e zi dhe e quan pozitive kompensimin kundrejt dokumentit fiskal si dhe njeh që cilësia fizike e librave shkollorë, në rrethanat e konkurrencës që solli ALTERTEKSTI është shumë më e lartë seç ka qenë para 4 vjetësh. Ai është disi më i sjellshëm dhe se ndonjë komisionere për Arsimin në strukturat e PS, që nuk e ka për gjë të kritikojë rëndë MASH dhe reformën e Altertekstit, duke tundur në ekran libra shkollorë të hershëm dhe me gafa të rënda, por pa thënë se ato janë produkt i qeverisjes socialiste, si dhe i skemës së saj me seleksionim unik e me tender shtypshkronjash, të cilën Beqja saktësisht e quan të përfolur për korrupsion.
Dhe që fatkeqësisht, sipas kësaj skeme, këto keqprodukte duhet të qarkullojnë tre vjet përpara se të zëvendësohen me librat e reformës cilësore të Altertekstit.
Sigurisht që në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe në Bordin e miratimit të teksteve bëhen dhe po bëhen përpjekje të arrihen afate kohore shumë më të efektshme se sa deri më tani. Ka sugjerime dhe ide edhe nga grupet e interesit, siç janë botuesit, shkollat, komuniteti pranë tyre për përmirësime të procesit si në fitimin e një kohe produktive, ashtu dhe në organizimin e elementëve që shmangin ndërhyrjet për përzgjedhjen e librit nga shkollat dhe mësuesit, ku këta të fundit jo rrallë përballen me presionin e botuesve dhe autorëve për përzgjedhjen e librave të tyre.
Por asnjëherë ndonjë ide dhe alternativë nga krahu opozitar i politikës.
Përveç ndonjë broçkulle si ajo e një deputeti socialist, sa llafazan edhe të rastësishëm që propagandonte se PS-ja do t’i çojë çdo prindëri paketën e librave në shtëpi?!
Zaten edhe “ankesa” se tani ministria nuk shpall dhe di se në  ç’datë do fillojë shkolla në vjeshtë; po të donte Beqja do ta kishte marrë vesh e se sipas Dispozitave Normative të Arsimit Parauniveristar, prej më shumë se dhjetë vitesh, shkolla fillon të hënën e tretë të shtatorit. Ndaj nuk mund të shënohet datë fikse. Thjesht zoti Beqja duhet të marrë një kalendar apo një celular me opsionin kalendar për të hequr merakun.
Tjetër gjë është padija, fare tjetër stisja, tjerrja, trashja dhe dizinformimi për të ngritur re të zeza si në këto ditë me diell përvëlues. Ajo që duhet thënë si përmbyllje e këtyre radhëve, është fakti se për mijëra e mijëra njerëz në të gjithë vendin që e duan arsimin, dhe punojnë ditë e natë për të, viti i ri shkollor ka filluar zoti Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›