E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jo të gjithë antiramët e tregut tonë të brendshëm janë europianistë

17-08-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Me fjalë të tjera: PS-ja e Edvinit është bërë heterogjene dhe jo të gjithë kundërshtarët e tij, brenda radhëve, janë europianistë.
Kongresi i PS-së u shpall për në datën 5 nëntor të këtij viti. Një pasqyrues i kësaj ngjarjeje, i prirur për lajmin, në mënyrë parësore, e nis shkrimin e tij me “Në PS janë shtuar “armiqtë e partisë”! Pikë çuditja, që në fillim të leximit, të zgjon njëfarë kërshërie. Këtë e nënkupton edhe autori i shkrimit të datës 14.08.2011, në një artikull që ka titullin “Nis gjuetia e shtrigave në PS”. Në vijim, krejt ngjitur, vijohet me një frazë, që e vë në mendim lexuesin, për kundërthënien e saj: “Ky lajm, që tingëllon sa arkaik aq edhe absurd në kohën e sotme, duket se është i vërtetë”. Këtu do të duhej pikëçuditja, ne vend të pikës.
Sepse si pajtohet e vërteta me absurditetin? Përse lajmi tingëllon absurd, kur është  i vërtetë? Artikullshkruesi duket më tepër si një reporter, sesa si një komentator. Dhe këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe. Prandaj edhe shkrimi im nuk do të dëshiroja që të ishte i natyrës së një debati, aq më tepër i një replike. Por ja që, në tema të tilla, në të cilat mbizotëron lajmi, dalin vërtet mjaft probleme për sqarim. Kësisoj le të themi se, për shkak të përmbajtjes delikate të një shkrimi që synon të reflektojë një seri ngjarjesh që përfaqësohen në titull, (édhe i vërtetë, édhe absurd)  objektiviteti mund të rrëshqasë, për të dhënat që kërkojnë shpjegime. Vëzhgimi ynë nuk do të përqendrohet në vogëlsirat. Në këtë vëzhgim na duhet të themi se artikullshkruesi na duket si  i vrarë në shpirt për spastrimet “famëkëqija, që na kujtojnë veprimet e dhunshme të ish-Partisë së Punës”. Madjé përmendet edhe 8 nëntori i 1941-shit (70-vjetor) që koincidon me një ndryshesë prej vetëm pak ditësh nga data e 5 nëntorit të Kongresit të PS-së. Me të drejtë bëhet krahasimi ndërmjet atij 70-vjetori dhe këtij kongresi, në përngjasim spastrimesh. Por ajo që përbën thelbin e këtij vëzhgimi është se emri i kryetarit të PD-së, del kushedi sa herë në shkrimin me të cilin po merremi. Ndonëse i përmendur edhe nga politikanë që në kongres do të jenë kritikë ndaj Edi Ramës, në këto prononcime preket thellësisht e vërteta faktike dhe lajmi, qoftë edhe pa dashjen e artikullshkruesit, shformohet.
Le të shohim një mendim të shprehur në këtë kontekst, nga Arben Malaj: “PS është dëmtuar dhe do të vazhdojë të dëmtohet rëndë në qoftë se kërkon të kopjojë modelin e dështuar “Berisha”(!) . Shpresoj që kolegu Toçi e di shumë mirë se kush i shërben Berishës, se kush ia rriti pushtetin absolut Berishës dhe kush është oksigjeni i mbijetesës politike të Berishës në kurriz të socialistëve dhe të shqiptarëve”. Malaj bën sikur nuk e kupton se cili është i dëmtuari dhe cili është i dështuari. Hipoteza se PS-ja (lexo: Edvini, se edhe vetë Malajn s’e ka për pesë qindarka ai), jo vetëm nuk e ka marrë për model Berishën por, përkundrazi, nuk diti t’ia respektonte, së paku, as emrin, gjatë një fushate të tërë elektorale. Ndërsa dialogun E.Rama duhej ta kishte me të mandatuarin për kryetar bashkie, L. Bashën! Ky tregoi edukatën e tij qytetare, duke e përmendur me z. Rama, ndërsa harbuti Edi e quante Lulzim Saliu! Dhe populli e ndëshkoi me votë! A. Malaj, kinse si opozitar i opozitës, në LMN, na kishte qenë me dy mendje, përderisa kishte kundërshtuar bllokimin e parlamentit, lëvizjet anarkiste të rrugëve dhe grevat, ndërsa nuk vonoi të futej vetë në çadrat haxhiqamiliste!
Duket sikur, ashtu si në zgjedhjet e 8 majit 2011, A. Malaj nuk ka asgjë kundër atij që s’desh me ia ditë për nenin 28 të statutit të PS-së, që të ngjitej në kreun e saj, si édera që i rrotullohet në formë spiraleje trungut të pemës për t’iu ngjitur në majë. Vetëm kjo dëshirë e shndërruar në një makth e bëri arrivistin Rama të krijonte një ngërç, në trajtën e një kriptogrami: “Na i vodhën votat!”. Këto katër fjalë u bënë formula magjike që Rama të fitonte kryetarllëkun e të përligjte bllokimin e parlamentit, kooptimin e një korpusi militantësh ekstremistë për mitingje e demonstrata, një detashment propagandistësh me parulla stereotipe monotone dhe një grusht anarkistësh që kërkonin zgjedhje përmes terrorit verbal dhe kërcënimit real të institucioneve, me marrjen e pushtetit me dhunë,  në tavolinë, brenda dy ditësh! A.Malaj, E. Braçe e disa si ata, nuk i kundërvihen shefit të vetëshpallur, se bëjnë njëfarë opozite që nuk ngjet në Perëndim; pra, në funksion të një vokacioni perëndimor. Ata nuk kanë sjellje europianiste dhe kanë qejfmbetjet e tyre vetjake. Se Edvini është i vetëpëlqyer si Narcizi dhe nuk respekton askënd, qoftë edhe në oborrin e tij. Ai kërkon vetëm shërbestarë dhe kuaj të Trojës, për të asfiksuar me metoda autoritariste, pa hijen e transparencës dhe me rrahje fizikisht, qofshin edhe femra. Gjë që tregon se nuk respekton askërkushin, përveç vetes.
Tjetër staturë ka Kastriot Islami, që ka qenë koherent në vërejtjet ndaj Edit, dhe i ka bërë qendresë burrërore edhe provokimeve të skuadristëve të kryetarit të PS-së. Po ashtu ka folur me sinqeritet edhe Elmaz Sherifi i cili prej kohësh e ka ironizuar prerazi E. Ramën: - “Vetë e ideove dhe vetë i formulove nenet e Kodit Zgjedhor. Tani je kundër këtij Kodi? Ç’faj të ka Berisha?”. Tani Rama kërkon sërish ndërrimin e Kodit Zgjedhor  dhe dhe prapë synon të vërë dorë mbi Kushtetutën! Kastriot Islami, Elmaz Sherifi, Edlira Haxhiymeri dhe mjaft zëra racionalë që u grupuan në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe janë, vërtet, një grupim që me objektivitet dhe me një ndjenjë të sinqertë europianiste iu kundërvunë piruetave të hallakatura politike të kryetarit, duke treguar personalitetin e tyre të të majtëve siç janë kolegët e tyre perëndimorë. Ata u përballën denjësisht me Edi Ramën, brenda radhëve, duke e stigmatizuar atë si protagonist të përçarjes. Tani, në mbyllje, duhet të rikujtojmë edhe njëherë atë titull që nxiti këtë shkrim: “Nis gjuetia e shtrigave në PS”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›