Komisioni Evropian reagon pas publikimit të raportit nga OSBE/ODIHR

Shqipëria kaloi testin elektoral, koha e mbetur të shfrytëzohet në funksion të “statusit kandidat”
Bashkimi Evropian ka dhënë sinjalet e para pas publikimit të raportit përfundimtar, për zgjedhjet vendore në Shqipëri. Brukseli shprehet se dokumenti i ODIHR e vlerëson 8 majin si një test pozitiv për Shqipërinë. Përmes një deklarate për shtyp, Komisioni Europian shprehet se tani që raporti u shpall, ai do të shihet në të gjitha detajet e tij dhe do të përfshihet në diskutimin e progres – raportit të Komisionit Europian në shtator, dorëzimi i të cilit do të bëhet tek autoritetet shqiptare në muajin nëntor. “Ne mendojmë se nuk ka më kohë për të humbur, për klasën politike shqiptare. Duhet të gjenden mënyrat për të përmbushur 12 rekomandimet që kanë mbetur për t’u plotësuar. Performanca për zgjedhjet lokale është mjaft e rëndësishme, por ky është vetëm një nga 12 rekomandimet. Janë dhe 11 rekomadime të tjera dhe duhet që klasa politike ta shfrytëzojë kohën në maksimum”- thuhet në reagimin e Komisionit Evropian. Ndërsa vlerëson qartësisht se “testi demokratik për zgjedhjet nga ana e Komisionit Europian duket i kaluar, pasi nuk ka më surpriza”. “OSBE dhe ODIHR i ka vlerësuar këto zgjedhje si të lira dhe demokratike dhe tashmë konkurruese. Pra, nuk ka më surpriza, nuk ka një pozicion të ndryshëm që mund të mbajë Komisioni Europan. Komisioni Europian thekson se një proces mjaft i rëndësishëm ka të bëjë me plotësimin e rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR, në raportin përfundimtar”- thuhet më tej në reagimin zyrtar të Komisionit Evropian, vetëm një ditë pas zbardhjes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, për zgjedhjet vendore të 8 majit.