Istogu në gjendje të jashtëzakonshme
Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, ka shpallur gjendjen emergjente në tërë territorin e kësaj komune, për shkak të shtimit të numrit të zjarreve, të cilat po gëlltisin hapësira të mëdha të pyjeve dhe fushave.
“Gjendja emergjente do të zgjasë deri në një vendim tjetër, kur do të anulohet kjo gjendje”, thuhet në një vendim të nënshkruar nga kryetari Rugova.
Përveç kësaj, kryetari Rugova ka autorizuar kompaninë e ujësjellësit “Hidrodrini”, atë për mirëmbajtje “Mirëmbajtja”, brigadën e zjarrfikësve dhe Drejtorinë komunale për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim që të bëjnë furnizimin me ujë të pijshëm përmes autoboteve sipas kërkesave të qytetarëve.
“Obligohen të gjithë qytetarët e komunës së Istogut që gjatë kësaj gjendjeje emergjente të kujdesen maksimalisht që ujin e pijshëm ta shfrytëzojnë ekskluzivisht për pije dhe mbajtje të higjienës, dhe jo për qëllime të tjera”, thuhet në vendimin e kryetarit të komunës së Istogut.