E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Joe Biden: Plan prej 2.3 miliardë dollarësh për ndryshimin e klimës

Presidenti i SHBA Joe Biden ka zbuluar planin e tij për të luftuar ndryshimet klimatike, në një kohë kur shumë shtete dhe vende evropiane janë përfshirë nga një i nxehtë ekstrem.

“Ndryshimi i klimës është një rrezik i qartë dhe i menjëhershëm, si dhe një kërcënim ekzistencial për kombin tonë dhe botën. Shëndeti i bashkëqytetarëve tanë është në rrezik, por gjithashtu siguria dhe ekonomia jonë kombëtare“, tha Biden gjatë vizitës së tij në një termocentral të vjetër me qymyr në Massachusetts.

Kjo fabrikë është mbyllur në vitin 2017 dhe sot është shndërruar në njësi të prodhimit të energjisë së erës. “Meqenëse Kongresi nuk po bën atë që duhet unë do të përdor fuqitë e mia ekzekutive,” tha presidenti 79-vjeçar.

Megjithatë, Biden e shmangu, të paktën për momentin, shpalljen e një “emergjence klimatike”, siç i kanë kërkuar disa ligjvënës demokratë. Nuk është e qartë se çfarë efekti do të kishte kjo, por mund t’i japë atij disa kompetenca shtesë.

Presidenti synon të vazhdojë me ritmin e tij dhe ka disa fuqi që ai mund të përdorë për të filluar, tha këshilltarja e tij për klimën, Gina McCarthy.

Ndër urdhrat ekzekutivë të përgatitur nga administrata Biden është ai që ofron fonde shtesë për të mbrojtur zonat që përballen me valët e të nxehtit  si dhe masa për të rritur prodhimin e energjisë së erës në SHBA. Ai njoftoi një plan prej 2.3 miliardë dollarësh për ndryshimin e klimës.

Këshilltari i Biden, John Kirby tha të martën se ndryshimi i klimës është një çështje e “sigurisë kombëtare” që “ndikon në infrastrukturën tonë”.

Biden thotë se është i vendosur të mbajë angazhimet e tij, veçanërisht në drejtim të reduktimit të emetimeve të gazeve serrë. Ai u kthye në marrëveshjen e Parisit për klimën, të cilën paraardhësi i tij Donald Trump e braktisi dhe njoftoi prillin e kaluar se SHBA do të shkurtonte emetimet me 50-52% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e 2005-ës./ CNN.gr

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›