E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Joe Biden do të rikandidojë për zgjedhjet presidenciale në SHBA

Presidenti aktual, Joe Biden, do të rikandidojë për president të SHBA në zgjedhjet e vitit 2024.

80-vjeçari Joe Biden është tashmë presidenti më i vjetër i SHBA-së dhe në kandidimin e tij në vitin 2024, ai dëshiron që amerikanët të vlerësojnë përvojën e tij si ligjvënës, ndërsa kërkon besimin e tyre edhe një herë, raporton BBC.

Biden nisi zyrtarisht fushatën e tij, përmes një video këtë të martë (25 prill).

“Kur kandidova për president katër vjet më parë, thashë se jemi në një betejë për shpirtin e Amerikës dhe jemi ende. Kjo nuk është një kohë për të qenë të vetëkënaqur. Kjo është arsyeja pse unë po kandidoj për tu rizgjedhur. Ta përfundojmë këtë punë. E di që mundemi,” tha Biden drejtuar votuesve.

Menjëherë pas lançimit të videos së fushatës së tyre të rizgjedhjes në vitin 2024, Joe Biden dhe Nënpresidentja e tij Kamala Harris e zyrtarizuan duke dorëzuar dokumentet e tyre të fushatës në Komisionin Federal të Zgjedhjeve.

Ky është hapi i parë formal në shpalljen e kandidaturës për postet e zgjedhura në qeverinë federale të SHBA.

Biden ka të ngjarë të shijojë një rrugë të lehtë drejt nominimit të partisë së tij. Vetëm dy sfidues janë në garë: autorja Marianne Williamson dhe aktivisti kundër vaksinave e avokati mjedisor Robert F. Kennedy Jr.

Në moshën 80-vjeçare, Biden është presidenti më i vjetër i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sondazhet kanë reflektuar vazhdimisht shqetësimin për moshën e tij edhe në mesin e demokratëve. Shumica e amerikanëve – madje edhe shumica e demokratëve – në sondazhet e fundit të NBC kanë treguar pak entuziazëm për një tjetër kandidim të Bidenit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›