E Shtunë, 31 Tetor 2026

Johanson shumë shpejt në Shqipëri

Pas vizitës një ditore të kampionit të Francës, Mishel Platini, në Shqipëri do të jetë edhe presidenti aktual i UEFA-s dhe njëkohësisht kandidat për tu zgjedhur sërish në këtë post, Lenart Johanson. Ky i fundit e ka në axhendën e fushatës së tij elektorale vizitën në vendin tonë dhe një gjë të tillë pritet ta bëjë shumë shpejt. Një lajm të tillë e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Roland Mici. "Presidenti aktual i UEFA-s dhe njëkohësisht kandidat për tu zgjedhur sërish në këtë post, Lenart Johanson në axhendën e fushatës së tij elektorale ka edhe vizitën në Shqipëri.Ashtu sic bëri kandidati tjetër për president të UEFA-s, Mishel Platini, i cili e vizitoi përpara dy ditësh vendin tonë të njëjtën gjë do të bëjë edhe Johanson. Nuk mund të them datë të saktë por e rëndësishme është që vizita e tij në Shqipëri është e sigurtë" deklaroi Mici. Ndërkohë që i pyetur se si e shihte sondazhin që bëri publik përpara disa ditësh revista sportive "France Football" në të cilën thuhej se Shqipëria është përkrahëse e Platinisë, Mici deklaroi se nuk mund të thuhet me siguri një gjë e tillë. "Nuk mund të them se nëse kjo është e vërtetë ose jo. Vota që do të hedhë presidenti Armando Duka në ato zgjedhje do të diskutohet një herë në Komitetin Ekzekutiv. Të gjithë anëtarët e këtij komiteti kanë të drejtë të japin mendimet e tyre që do të diskutohen por në fund është vetë presidenti që vendos se për kë do të votojë. Ne si Federatë kemi marrëdhënie të mira me të dy kandidatët kështu që nuk mund të jap një përcaktim se për kë do ta japë votën Shqipëria" përfundoi Sekretari Mici. Ndërkohë që panvarësisht nga ato që shkruan revista franceze "France Football", personalisht presidenti Armando Duka ka marrëdhënie të mira pune dhe miqësore me presidentin aktual Johanson. Duhet të kemi parasysh që ky i fundit e ka ndihmuar jo pak herë FSHF-në, e cila ka rrezikuar dhe rrezikon të përjashtohet nga UEFA për shkak të konfliktit mëse një vjecar me MTKRS-në. Kështu që vota e kreut të Federatës duket se do të shkojë në favor të Johansonit por gjithsesi ngelet që një gjë e tillë të vërtetohet më 27 janar 2007, ditë kur do të zhvillohen zgjedhjet për presidentin e ri të UEFA-s.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›